LAJMI I FUNDIT:

Premiera e shfaqjes “Dogfall”: Dekonstruksioni intensiv i luftës

Premiera e shfaqjes “Dogfall”: Dekonstruksioni intensiv i luftës

Në teatrin Metropol të Tiranës, u dha premiera e shfaqjes “Dogfall”, me tekst të Caleb Lewisit dhe regji të Stefan Çapalikut.

Dy burra luftojnë për të mbijetuar, por beteja vazhdon dhe armiku ndryshon pa pushim. Dhe pastaj qentë fillojnë të bien…

Për më se njëqind vjet, Will dhe Jack rrinë në një bunker dhe luftojnë në një betejë të pafundme. Nga Somma në Stalingrad, nga Vietnami deri në Abu Ghraib, drama përshkruan një botë të shkuar, ku nga qielli nuk bie vetëm shi, por dhe mace dhe qen; kur burrat sillen si kafshë, dhe vdekja gjendet aty. Pastaj vjen Alusha dhe papritmas bëhen tre…

Përmes kësaj shfaqjeje kemi të bëjmë me një histori ambicioze të shkruar në mënyrë të përsosur, të kontrolluar dhe të mbushur me njohuri dhe referenca. Kështu, “Dogfall” i tejkalon të gjitha pritjet.

Temat komplekse, karakteret simpatikë dhe një komplot absurdi e kthen dramën në një lojë të tensionuar dhe shpesh të pandërgjegjshme.

Kjo është një shfaqje e ashpër, e egër, por shpesh edhe lirike dhe e përzemërt; një dekonstruksion intensiv i luftës sepse vetë drama e Lewisit është mahnitëse, dhe e frikshme.

Shfaqja do t’i shpëtojë zymtësisë totale, duke prekur ndër terrene shpesh qesharake të njerëzimit.

Tekstin e ka përkthyer Kastriot Çipi.

Në shfaqje luajnë aktorët: Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri, Erion Hinaj. Skena dhe kostumet janë konceptuar nga Sadik Spahija. Koreograf i shfaqjes është Gjergj Prevazi, ndërsa asistent regjie, Divni Gushta.

Për sot dhe nesër në ora 13:00, shfaqja jepet për nxënësit e shkollave të mesme, në bashkëbisedim mes ekipit, nxënësve dhe ambasadoreve të Gjermanisë dhe të Francës. Më 19 dhe 20 tetor shfaqja do të jepet në Metropol, për të rriturit. Ditëve tjera ajo do të zhvendoset në Durrës (23 tetor), Elbasan (26 tetor), Shkodër (29 tetor) dhe Korçë (10 nëntor).