Prapaskenat e ndeshjes Rumani – Kosovë: Tensione, hedhja e gjësendeve dhe largimi nga fusha i lojtarëve të Kosovës
Kombëtarja e Kosovës ka luajtur baras 0-0 deri në minutat shtesë në udhëtim te Rumania, në kuadër të xhiros së parafundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Përkundër dominimit total dhe rasteve të shumta të shënimit, ‘Dardanët’ nuk ia dolën që të marrin pikët e plota.
Ndeshja u ndërpre në minutat shtesë pasi lojtarët e Kosovës refuzuan të kthehen në fushë shkaku i thirrjeve raciste dhe fyerjeve të ndryshme.
Dy gazetarët e Telegrafit, Romak Zeqiri dhe Arbios Kryeziu ishin në stadium dhe nga aty ne iu sjellim disa nga prapaskenat që mundur t'u kenë ikur nga ndeshja me Rumaninë.
Ndryshimi i vendit nga ultrasit rumunë
Ultrasit rumunë kanë ndryshuar vendin për ketë takim duke u vendosur në pjesën e epërme të stadiumit dhe jo si zakonisht ku ishin posht prapa portës.
Me të filluar intonimi i himnit të Kosovës, tifozët vendas filluan me fishkëllima të mëdha teksa në stadium pati prezencë edhe të flamurit serb.
Portieri Aro Muric vazhdimisht u vërshëllye nga tifozët sa herë pati kontakt me topin, pasi në ndeshjen e kaluar kishte ofenduar ata.
Tifozët rumunë hodhën gjësende në drejtim të Edon Zhegrovës gjatë ekzekutimit të rivënies këndore, të cilat ai i largoi me forcë dhe mori vërshëllime të shumta.
Po luheshin minutat e fundit të sfidës kur tifozët rumunë filluan thirrjet provokative ‘Serbia, Serbia’ të cilat shkaktuan reagim të menjëhershëm nga lojtarët e Kosovës dhe ndërprerje të menjëhershme të ndeshjes.
Pasi situata arriti kulmin e tensionimit, tifozët vendas filluan hedhjen e gjësendeve në fushë teksa mesfushori Rexhbeçaj iu kundërpërgjigj atyre duke iu treguar logon e Kosovës.
Me t’u larguar lojtarët e Kosovës nga fusha, u vërejt një rritje e numrit të forcave policore për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të mundshëm të situatës./Telegrafi/







































