Prapaskenat e ndeshjes Kosovë – Danimarkë: Nga topi i shpërthyer tek futja e tifozëve në fushë dhe tallja me trajnerin e Danimarkës
Kosova ka luajtur baras ndaj Danimarkës 2-2 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Prishtinë.
Përtej asaj që u pa në ekranet televizive, Telegrafi u sjell disa nga prapaskenat më interesante të kësaj ndeshje.
Nga topi i shpërthyer, tek iluzion goli dhe talljet e tifozëve vendas me trajnerin mysafir, më poshtë mund t’i shihini prapaskenat më interesante të kësaj ndeshje.
Në të gjitha ndeshjet që Përfaqësuesja e Kosovë i ka zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri është shfaqur rezultati dhe minutat e ndeshjes në ekranet gjigante të vendosur në tribunat prapa golave. Në ndeshjen ndaj Danimarkës, në dy ekranet gjigante nuk shfaqeshin minutat e ndeshjes dhe pyetja më e shpeshtë në stadium ishte ‘Edhe sa minuta kryhet ndeshja’?.
Muriqi dhe Jorgensen e filluan ndeshjen me zënka
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi dhe mbrojtësi danez Mathias Jorgensen kishin shumë duele gjatë ndeshjes, por në fillim të saj patën një zënkë mes vete. Mbrojtësi danez në minutën e dytë e shtyu sulmuesin prizrenas i cili e goditi me dorë, por intervenoi gjyqtari anësorë për t’i qetësuar dy futbollistët.
Schmeichel kërkon ndërrimin e topit pasi ishte shpërthyer
Portieri mysafir Kasper Schmeichel në minutën e 23-të kërkoi nga gjyqtari që të ndërrohet topi, pasi ai që ishte në fushë ishte shpërthyer dhe kishte filluar të shfryhet.
Vedat Muriqi u shërbye bukur në zonë nga Arbër Zeneli dhe goditi me të parën për ta përqafuar topi vetën rrjetën e jashtme. Por nga gjuajtja e sulmuesit shtatgjatë u krijua iluzion goli në stadium nga tifozët të cilët e duartrokitën Muriqin për goditjen e bukur.
Nuk munguan thirrjet kombëtare nga tifozët
Si në çdo takim tjetër të Kosovës edhe ndaj Danimarkës nuk munguan thirrjet kombëtare. ‘O sa mirë me qenë shqiptar’, ishte thirrja më e shpeshtë nga Dardanët.
Futbollistë danez bënë dy ndërhyrje të njëpasnjëshme në sulm por gjyqtari kryesor turku Palabiyik me vonesë akordoi faull në të mirë të Përfaqësueses sonë. Vendimet e vonshme të gjyqtarit kryesor i acaruan trajnerin Bernanard Challandes dhe ndihmësin Muharrem Sahiti të cilët reaguan ashpër ndaj gjyqtarit të katërt që ishte Besfort Kasumi nga Prishtina. Gjithsesi Kasumi i qetësoi trajnerët duke i thënë se ndeshja është duke shkuar mirë.
Ujkani futet me shirit në krah, Schmeichel ia dorëzon Kjaerit
Mesfushori fantastik i Kosovës, Herolind Shala ishte për herë të parë kapiten i Kosovës në takim me Danimarkën. Shala shiritin e kapitenit e mbajti vetëm 45 minuta edhe pse ishte në fushë gjatë gjithë ndeshjes. Në pjesën e dytë u inkuadrua në lojë Samir Ujkani në vend të Arijanit Muric, ndërsa vushtrriasi u fut në fushë me shiritin e kapitenit në krah. Tek danezët si kapiten e nisi ndeshjen portieri Kasper Schmeichel, por ai ia dhuroi shiritin Simon Kajerit pas inkuadrimit të tij në lojë.
Ishte minuta e 55-të e ndeshjes kur futbollistët e Kosovës bënë mbi 30 pasime të njëpasnjëshme. Pas çdo pasimi tifozët brohoritshin dhe duartrokitshin yjet tanë.
Vërshëllehen yjet e Danimarkës
Trajneri i Danimarkës, Age Hareide vendosi që t’i fuste në fushë në 30 minutat e fundit yjet si Christian Eriksen, Simon Kajer dhe Kasper Dolberg, por tifozët e pranishëm në Fadil Vokrri nuk i mirëpritën këto zëvendësime duke vërshyller yjet nordik.
Federata e Futbollit të Kosovës kishte lajmëruar se nuk lejoheshin futja e Vuvuzelave në stadium. Por një tifoz kishte arritur ta fuste në stadium dhe vazhdimisht e përdorte atë. Sigurimi ‘në nivel’.
Rrahmani e dërgon topin te ‘Kafet e vogla’
Amir Rrahmani ishte fantastik në këtë takim, pasi shënoi golin e parë dhe ishte i pakalueshëm në mbrojtje. Në minutën e 75-të prishtinasi e largoi me fuqi topin duke e dërguar krejtësisht jashtë stadiumit në pjesën lindore. Topi i larguar nga Rrahmani u nis drejt ‘Kafeve të vogla’.
‘Kush po bënë stërvitje’
“Pranuam të luajmë kundër një ekip të renditur më ulët dhe kemi gjashtë zëvendësime. Kështu që do të jetë një stërvitje e mirë për ne”, kishte deklaruar trajneri danez Age Hareide. Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer tifozëve kosovarë që në minutën e 88-të brohoritshin ‘Kush po bënë stërvitje’, duke ironizuar me trajnerin danez.
Në minutat e fundit të ndeshjes në fushë u futën dy tifozë. Njëri arriti që të shkonte dhe ta përqafonte yllin e Danimarkës, Christian Eriksen, por që u kap nga sigurimi i stadiumit. Ndërsa tifozi i dytë që u fut në fushë shpëtoi pa u kapur nga sigurimi pasi atij i ndihmoi të largohej drejt tribunës kapiteni Samir Ujkani.
Danimarka në këtë takim kishte përkrahjen e dhjetëra tifozëve që kryesisht ishin nga KFOR-i danez. Në fund dy futbollistët e Danimarkës, Christian Eriksen dhe Jorgensen i dhuruan fanellat e tyre ushtarëve danez. /Telegrafi/



































