LAJMI I FUNDIT:

Pranon fajësinë i akuzuari për vjedhjen e tri qeseve të kafes në Mitrovicë

Pranon fajësinë i akuzuari për vjedhjen e tri qeseve të kafes në Mitrovicë

I akuzuari për vjedhje, Shenoll Berisha, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Jovo Radoviq, i akuzuari ka deklaruar se e ndjen veten fajtor.


“E pranoj fajësinë për këtë vepër penale. E kam bërë sepse i kam pasur kushtet shumë të vështira e kam bërë mund të them sepse duhet ta ushqeja familjen, ndihem jashtëzakonisht keq, i premtoj gjykatës që nuk do të përsëris këtë vepër edhe ashtu tash më jam punësuar dhe ky është muaji i tretë që jam punësuar që do të thotë së nuk do të merrem më këtë punë, andaj lus gjykatën që të ma shqiptoj një dënim sa më të butë”, tha i akuzuari Berisha.

Prokurori Radoviq, ka deklaruar se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë, pasi që sipas tij pranim i fajësisë ka mbështetje në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës dhe i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor, duke marrë për bazë rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykatësi i çështjes, Rrahman Beqiri e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 22 mars 2021, në ora 11:50.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 15 tetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Shenoll Berisha.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë së i vetëdijshëm për veprën e tij dhe rëndësin e të njëjtës, më 25 nëntor 2019, rreth orës 19:45 në Mitrovicë, në rrugën “Lole Ribara”, e më qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshëm pasurore me përvetësimin e gjërave të huaja të luajtshme kishte shfrytëzuar një moment të papërshtatshëm e nga automjeti i pambyllur me çelës i markës “Fijat – Punto”, pronë e Milosav Popoviq respektivisht i firmës së tij “EKOMEK XTEAM”, kishte marrë tri qese të kafes të markës “HAUSBRANDT”, të vlerës rreth 297 euro, të cilën pastaj e kishte ofruar për shitje tregtarëve në dyqanet e afërta tregtare.Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja”, nga neni 313 paragrafi.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/