LAJMI I FUNDIT:

Poroshenko e Volker bisedojnë për konfliktin në lindje të Ukrainës

Poroshenko e Volker bisedojnë për konfliktin në lindje të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko është takuar me Kurt Volker, të dërguarin special të presidentit amerikan, Donald Trump në Ukrainë, për të diskutuar rreth konfliktit në lindje të Ukrainës.

Sipas një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Poroshenkos, të dy kanë shprehur “shqetësime serioze” për mungesën e përparimit nga ana e Rusisë në zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.


Përmes një postimi në Twitter, Volker ka thënë, se ka pasur “bisedë të mirë” me Poroshenkon, duke shtuar se do të udhëtojë në Dubai në këtë jave për t’u takuar me diplomatët rusë.

Në deklaratën e Poroshenkos është thënë se armëpushimi në lindje të Ukrainës dhe “tërheqja e forcave okupatore ruse nga Ukraina”, kanë “prioritete absolute”.

Kievi ka nisur luftimet kundër separatistëtve pro-rusë në disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës nga viti 2014.

Pavarësisht se Moska kundërshton ndërhyrjen në çështjet e brendshme të Ukrainës, Gjykata Ndërkombëtare për Krime në nëntor të vitit 2016 ka ardhur në përfundim se përleshja është një “konflikt i armatosur ndërkombëtar në mes të Ukrainës dhe Federatës Ruse”.

Në këtë konflikt janë vrarë më shumë se 10,300 persona dhe 1.6 milion të tjerë janë shpërngulur. /Rel/