LAJMI I FUNDIT:

Poroj, banorët kërcënojnë përsëri me protesta (Video)

Poroj, banorët kërcënojnë përsëri me protesta (Video)

Akoma asnjë reagim nga institucionet lokale dhe ato qendrore lidhur me masat që duhet marrë për kthimin në normalitet të jetës në fshatin Poroj të Tetovës, pas vërshimeve që ndodhën muaj më parë. Situata në këtë fshat vazhdon të jetë e rëndë. Banorët shprehen të revoltuar ndaj neglizhencës së institucioneve. Ata refuzojnë të prononcohen para kamerave duke theksuar se tani e tutje do të flasin përmes protestave.

As protesta e banorëve dhe bllokimi i rrugës që ndodhi javë më parë këtu në fshatin Poroj, nuk ka dhënë efektin e duhur. Si duket komuna dhe Qeveria vazhdojnë të mbajnë vesh e sy mbyllur kundrejt kësaj që ka ndodhur në Poroj dhe që prej muajsh, vazhdon të jetë në këtë gjendje, me urë të shkatërruar dhe urën e drurit e cila vazhdon të jetë për kalim në këmbë edhe përkundër premtimeve të shumta, si nga ministria e Mbrojtjes, Komuna dhe Qeveria.


Kreu i bashkësisë lokale të fshatit Poroj, Sulejman Ramadani, thekson për Alsat M se kërkesat e banorëve të Porojit po hasin në vesh të shurdhër nga autoritetet, ata nuk morën në konsideratë as edhe protestat e organizuara të banorëve.

”Pas protestave nuk ka pasur asnjë lloj reagimi, askush nuk ka dalë në terren dhe të paktën askush nuk na është lajmëruar as edhe në telefon. Thjeshtë gjendja është kështu si duket prej herës së dytë si erdhi lumi në atë gjendje është. Edhe këtë javë do presim dhe javën tjetër dhe javën tjetër do lajmërojmë protesta tjera se banorët janë tepër tepër të revoltuar nga mos interesimi i institucioneve tek lumi këtu”, dekklaroi Sulejman Ramadani, kryetar i BL Poroj.

Ndërkohë fshati edhe më tej vazhdon të jetë i ndarë në dy pjesë dhe me dy ura të shkatërruara. Problem tjetër mbetet edhe çështja e ujit për pije, një pjesë e fshatit ujin e sigurojnë tek kjo çezëm publike.

Gjendje më alarmante paraqitet në fshatin Xhermë, atje ku edhe ka fillimin e tij lumi i Porojit. Atje ka gurë të mëdhenj të cilët ndodhen në shtratin e lumit, dhe që çdo moment rrezikojnë të rrokullisën dhe të shkaktojnë rrezik për banorët e Porojit. /Telegrafi/