LAJMI I FUNDIT:

Ponosh: Vuçiq e ka pranuar njohjen “de facto” të Kosovës

Ponosh: Vuçiq e ka pranuar njohjen “de facto” të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili është propozuar në takimin e fundit në Bruksel dhe është pajtuar me draftin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Ish-kandidati për president të Serbisë dhe ish-gjenerali ushtarak,  tani kryetar i partisë “Serbia – qendra”, Zdravko Ponosh, thotë se Vuçiq publikisht ka thënë se mund të bëjë gjithçka përveç njohjes së Kosovës dhe se marrëveshja që ka bërë do të thotë se ka pranuar një “njohje de facto”.


Siç njofton portali “Nova.rs”, gjatë takimeve të ndara mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, me përfaqësues të Bashkimit Evropian, janë hedhur hapa të rëndësishëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ky portal shkruan se propozimi i Statutit të Asociacionit është pranuar nga të dyja palët, por aktualisht po kërkohet forma e duhur që do të kënaqë Beogradin dhe Prishtinën.

Bashkëbiseduesit e portalit serb theksuan se, përveç që Albin Kurti pranoi themelimin e Asociacionit, Vuçiq e pranoi edhe draftin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, por kërkoi që ajo të mos nënshkruhet para datës 17 dhjetor, kur mbahen zgjedhjet në Serbi.

Mediat serbe: Vuçiq pranoi marrëveshjen, por kërkon nënshkrimin e saj pas zgjedhjeve ndërsa Kurti ka pranuar Asociacionin
Lexo po ashtu Mediat serbe: Vuçiq pranoi marrëveshjen, por kërkon nënshkrimin e saj pas zgjedhjeve ndërsa Kurti ka pranuar Asociacionin

Çfarë do të thotë kjo? Asgjë e re, po të pyesësh Ponoshin, i cili kujton se Vuçiq publikisht ka thënë se mund të bëjë gjithçka përveç njohjes.

“Në Bruksel ka pranuar gjithçka që i është kërkuar, me kusht që të mos nënshkruajë në të njëjtën letër bashkë me Kurtin. Modalitetet e mundshme janë, siç raporton portal serb: një betim publik se do të respektojë gjithçka edhe pse nuk e ka nënshkruar, ose që ai dhe Kurti të nënshkruajnë letra të ndara me BE-në. Variantin e parë e ka aplikuar tashmë në Bruksel dhe Ohër, ndërsa të dytin e ka praktikuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Gjithnjë duke aktruar se po e respekton Kushtetutën. Në fakt, kjo do të thotë se Vuçiq pranon njohjen ‘de facto’, e për “de jure” le ta ndjekin dikë tjetër”, sqaron Ponosh dhe nënvizon se kjo ka të bëjë edhe me Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, transmeton Telegrafi.

“Kurti në fakt e shpëtoi Vuçiqin duke u përpjekur ta poshtërojë atë duke insistuar që Vuçiq ta nënshkruante në mënyrë ceremoniale letrën, të cilën ata e pranuan në parim, edhe pse e dinte se ai nuk do të guxojë ta bënte këtë. Ata janë ‘yin dhe yang’ i fatkeqësisë së Kosovës. Dukej sikur po kërkoheshin me qiri derisa gjetën dhe ranë në përqafim të njëri-tjetrit. Njëri do të donte të nënshkruante, tjetri jo, dhe të dy po e shmangin implementimin”, thotë Ponosh.

Ai tregon se Vuçiqit ende i intereson që diçka të lind nga ajo marrëdhënie e çuditshme.

“Ai do të përpiqet të ndërmarrë disa hapa konstruktivë në dy javët e ardhshme. Natyrisht, Serbia nuk do të përfitojë nga këto hapa. Për Vuçiqin është vetëm një investim që evropianët t’i shohin nëpër gishta manipulimet e tij zgjedhore dhe përkohësisht në marifetin e Banjskës. Asgjë e re. Pres të shoh me çfarë kriteresh do t’i rekrutojnë serbët në organet e Asociacionit – Kuvend, këshill, komision, kush do të jetë kryeshefi… tani që Radoiçiq dhe ekipi i tij janë në udhëtim zyrtar”, përfundon Ponosh. /Telegrafi/