LAJMI I FUNDIT:

Pompat pa licencë nën menaxhim të AKP-së

Pompat pa licencë nën menaxhim të AKP-së

Disa pika të karburanteve që janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ende vazhdojnë të jenë pa licencë.
Atyre po u kërkohen dokumentet e nevojshme për të marrë licencën nga Departamenti i Naftës në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas këtij departamenti, AKP për pompat e derivateve ende nuk i ka siguruar këto dokumente.
“Ne mesin e dokumenteve te nevojshme për licence sipas UA nr. 07/2010 është edhe Certifikata e Pronësisë apo Kontrata e shfrytëzimit të pronës sipas afatit te licencës, te cilat subjektet nuk kane mundur t’i sigurojnë”, thuhet në përgjigjen e departamentit të naftës.


Në një përgjigje me shkrim ky departament thotë se deri tash të licencuara janë 8 pika shitëse të derivateve ndërkohë që dy të tjera kanë mbetur në procedure.

Megjithëse për numrin e saktë departamenti i Naftës thonë se përgjigje mund të jap Agjencia Kosovare e Privatizimit.

AKP nuk ka dhënë ende përgjigje për Gazetën Fjala edhe pse ka pritur më shumë se dhjetë ditë.
Në veri vetëm një pompë ka licencë

Në tërë territorin e Kosovës deri me datën 3 mars kanë pasur licencë 532 pompa të derivateve (ky numër mund të ndryshoj brenda ditë të rritet apo të zvogëlohet).

“Përveç këtyre licencave në procedurë të licencimit janë 38 kërkesa për licencim”, shkruan në përgjigjen e departamentit të Naftës.
Pavarësisht numrit 532 të licencave, në veri të Kosovës shteti vazhdon të mos këtë qasje tek këta naftëtarë.
Atje vetëm një pompë ka licencë valide, ndërkohë që veprojnë 38 pika të shitjes së derivateve.
“Në komunat në veri të vendit i kemi te regjistruara 38 pika te shitjes me pakice te dizelit dhe benzinës. Ne fillim te këtij viti, MTI ka angazhuar personel shtese ne komunat ne veri te vendit dhe se shpejti pritet te fillojnë procedurat për licencimin edhe te pikave shitëse te karburanteve te cilat operojnë pa licence ne këto komuna”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Visar Bajraktari drejtor i Departamentit të Naftës në MTI, tha për Gazetën Fjala se janë të kënaqur me rritjen e numrit të licencimit të pompave.

Ai tregon se në fillim te vitit 2014 ishin 377 me licencë derisa në fillim të 2015-ës ky numër ishte rritë në 522 licenca.
Nga ana tjerë në vitin 2014 inspektorati i tregut kishte mbyllur 14 pompa të derivateve për mungesë licence, në gjitha regjionet e Kosovës.

Remzi Hoxha Inspektor i Lartë i Mbikëqyrjes së Tregut për Naftë dhe Derivate të Naftës tha për Gazetën Fjala se gjatë dy muajve të parë të vitit 2016 Inspektorati ka bere 95 inspektime për monitorin e cilësisë se derivateve te nafte dhe produkteve te saja si dhe pajisjen me licenca.

Mirëpo sipas Hoxhës në këtë vit nuk është mbyllur asnjë pikë e shitjes së derivateve.
“Inspektorati i tregut gjate kësaj periode nuk ka mbyllur asnjë pike shitëse te karburanteve, me përjashtim te lajmërimit te mbylljeve ne baza vullnetare nga pronaret e subjekteve për shkak konkurrencës se tregut”, tha Hoxha. /Gazeta Fjala/Telegrafi/