eksperti-banner

Të kërcesh nga një plazh drejt e në konferencë për shtyp është një kalim shumë i madh. Kalim edhe më i madh është të flasësh për gjëra kaq të rëndësishme si sovraniteti dhe integriteti i vendit menjëherë pas një pushimi përplot diell. Zëdhënësve të partive politike, përveç tjerash, ka mundësi t’iu ketë rënë dielli kreje gjatë pushimeve dhe gjithçka iu është bërë rrafsh. Ndryshe nuk mund të kuptohet kjo tallje e tyre me sovranitetin dhe integritetin e vendit

Po mbarojnë pushimet dhe me tenin e marrë nga plazhat zëdhënësit e partive politike kosovare iu mësyejn konferencave për shtyp. Dhe atë jo për çfarëdo prononcimesh, po për zgjedhjet serbe në Kosovë dhe për marrëveshjen mes EULEX-it dhe MUP-it serb! Në një shkrim të kolumnistit Agustin Palokaj, të hënën, edhe njëherë u shpjeguan mirë dhe qartë dy gjëra. Se EULEX-i nuk e shef si shtet Kosovën dhe po e zbaton gjashtë pikëshin e Ban Ki Moon. Dhe se Qeveria e Kosoves po e vazhdon mohimin e asaj që po ndodh sa për opinion publik dhe po e mundëson zbatimin e të gjitha këtyre kërkesave të EULEX-it në praktikë, që do të thotë zbatimin e Gjashtë pikëshit të Ban Ki Moon.

Në anën tjetër qasja e partive opozitare që këto çështje kaq të rëndësishme t’i adresojnë nëpërmjet konferencave për shtyp të zëdhënësve të tyre nuk është gjë tjetër vetëm se kundërshtim sa për opinion publik, relativizim i sovranitetit dhe integritetit. Fushatë zgjedhore në kurriz të së ardhmes së vendit.

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i prekur në kolumnen e Palokajt është edhe fakti se Qeveria thjesht po mundëson realizimin e këtyre politikave vdekjeprurëse për sovranitetin e vendit të udhëhequra nga EULEX, në këmbim të një zbutje të retorikës së BE-së për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë, në këmbim të një Raporti më pozitiv të progresit. Mirëpo çfarë po ndodhë në praktikë? Tashmë mund të konsiderohet se është zbatuar së paku një pikë e Raportit të Ban Ki Moon, ajo për doganat. Doganat në pjesën veriore nuk janë duke funksionuar të integruara dhe kjo pjesë thjesht është duke e kthyer ktë vijë nga një kufi të supozuar ndërmjet shtetesh në një kufi virtual administrativ.

Qeveria e Kosovës po e mundëson ktë në heshtje ose duke e mohuar realitetin, kurse partitë opozitare po kënaqen me reagimet e zëdhënësve, të cilët zakonisht veprojnë brenda kornizave që ia kanë caktuar vet vetes, por që përgjthësisht do të thotë se gjithçka është fushtatë zgjedhore - asnjë kritikë ndaj ndërkombëtarëve. Nëse shifet procesi në vazhdimësi, është shumë e qartë pse ekziston një impotencë e tillë e partive politike kosovare ndaj ndërkombëtarëve. Liderët e tyre kanë qenë nënshkrues dhe pjesmarrës në të gjitha dokumentat kryesore mbi të cilat sot mundësohet edhe marrëveshja me MUP-in po edhe zgjedhjet serbe në Kosovë. Ata thjesht sikundër edhe liderët qeveritar sot kanë këmbyer mos-ndëshkushmërinë për korrupsion me nënshkrimin e dokumentave të disfavorshme për interesin e vendit.

Sot është bërë e papërballueshme lehtësia me të cilën po i qasen partitë këtyre çështjeve me kaq rëndësi për shtetin e Kosovës. Të adresosh probleme si zgjedhjet serbe dhe marrëveshjen EULEX-MUP nëpërmjet zëdhënësve në konferenca për shtyp duke mos bërë asnjë tentim tjetër për shembull për ta thirrë një mbledhje të Parlamentit për këto çështje, është thjesht një tallje me opinion publik.

Nëse EULEX-i po vazhdon implementimin e Gjashtëpikëshit të famshëm të Ban Ki Moon nëpërmjet heshtjes së Qeverisë që si kundërshpërblim merr mundësinë e pakufizuar për korrupsion, kjo duhet të adresohet në këtë mënyrë e jo të shndërrohet në fushatë zgjedhore. Si mundet që partitë opozitare kosovare t’na dalin luanë para Qeverisë e lepuj para ndërkombëtarëve?

Kryeministri Hashim Thaçi vërtet po e këmben pushtetin me marrëveshje të dëmshme për vendin që shkojnë kundër shtetsisë së Kosovës, por Parlamenti ekziston pikërisht për këto raste. Pse pikërisht këtij muaji EULEX vendos të nënshkruaj marrëveshje me MUP dhe pse pikërisht tashti po ndodhin zgjedhjet lokale serbe në Kosovë. Ku është kryeparlamentari Jakup Krasniqi? Pasi ka rregulluar bizneset në vend mund të ketë ikur edhe ai në ndonjë pushim të merituar? Cili është qëndrimi i vërtet i partive politike për këto çështje? Jo qëndrimi i zëdhënësve të tyre, por i liderëve të partive!

Të kërcesh nga një plazh drejt e në konferencë për shtyp është një kalim shumë i madh. Kalim edhe më i madh është të flasësh për gjëra kaq të rëndësishme menjëherë pas një pushimi përplot diell. Zëdhënësve të partive politike, përveç tjerash, ka mundësi t’iu ketë rënë dielli kreje gjatë pushimeve dhe gjithçka iu është bërë rrafsh. Përndryshe nuk mund të kuptoj lehtësinë e padurueshme të kësaj qasjeje të partive politike kosovare kur flitet për sovranitetin dhe integritetin e vendit. Kjo që partitë politike po bëjnë nëpërmjet zëdhënësve të tyre, është thjehst një relativizim i gjithçkajes. Një vënje në këndvështrim të fushatës zgjedhore të integritetit dhe të zovranitetit të vendit.

E kemi marrë vesh tashmë se partitë politike janë të zhytura në korrupsion dhe prandaj relativizojnë gjithçka. Mirëpo, a do të vazhdojnë pafundësisht të jenë peng e të bëmave të veta dhe të masin veprimet e tyre me dosjet e krimit si kundërpeshë? A do të vazhdojnë ato pafundësisht të bëjnë politikë zgjedhore në kurriz të vendit të tyre që do të thotë një impotencë totale ndaj gjithçkaje që ka vulë të ndërkombëtarëve? Po shpresoj se zëdhënësit e partive politike një ditë do t’ia shtrojnë këto pyetje vetes në mënyrë që ta kuptojnë se nuk ia vlen shfaqja në foltore sa për ta treguar fytyren para opinionit publik duke ndrequr hesapet e liderëve të tyre të korruptuar, në kurriz të sovranitetit dhe integritetit të vendit që mëtojnë t’i prijnë.

(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)