LAJMI I FUNDIT:

Politikani opozitar serb: Pas rrahjes brutale nga njerëzit e Vuçiqit, tani po ma kërcënojnë e sulmojnë vajzën

Politikani opozitar serb: Pas rrahjes brutale nga njerëzit e Vuçiqit, tani po ma kërcënojnë e sulmojnë vajzën

Politikani opozitar serb, Nikola Sandulloviq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që qëndron prapa tentim vrasjes së tij.

Ai muajin e kaluar ishte rrahur deri në alivanosje nga agjentët e shërbimit sekret –BIA, për shkak të homazheve dhe vendosjes së luleve pranë varrit të një vajze shqiptare, e vrarë nga forcat serbe në luftën e Kosovës.


Sanduloviq, tha se ende nuk është shëruar nga lëndimet që ka pësuar nga rrahja brutale e BIA-s, por ka thënë se më shumë e shqetëson pasiguria për jetën e tij dhe të familjes.

“Sinqerisht t’ju them, nuk jam mirë, ndiej dhembje në anën e majtë nga një brinjë e thyer që ende nuk është shëruar dhe fatkeqësisht ende nuk mund ta lëviz as dorën e as këmbën e djathtë. Më shumë jam i brengosur se si do të vazhdojë kjo punë më tutje, se për atë që kam përjetuar. Të jem i sinqertë, nuk ndjej kurrfarë sigurie dhe, siç e shihni, vetë situata për mua dhe familjen time është ende e ndërlikuar. Vajza ime është e ekspozuar ndaj sulmeve, kërcënimeve dhe mesazheve të ndryshme, të cilat kanë filluar në rrjete të shumta dhe me publikimin e fotografive të saj. Pra, situata është vetëm vazhdimësi e asaj që keni dëgjuar nga historitë e mia dhe ndodhive mes meje dhe Aleksandër Vuçiqit. Gjithçka ende po vazhdon. Por tani presioni është edhe më i madh dhe kërcënimet janë të dukshme dhe të hapura, siç janë kërcënimet me jetë, dhunime, djegie të shtëpisë e kështu me radhë”,  u shpreh ai.

Ai tutje ka thënë se policia i ka mbyllur sytë në lidhje me këto ngjarje dhe atë që i ka ndodhur atij.

“Tash ata janë duke i ndjekur profilet e mia; i përgjojnë të gjitha telefonatat e familjes sime dhe ata e shohin që unë jam i ekspozuar ndaj kërcënimeve me jetë, si unë ashtu dhe familja ime dhe ata absolutisht asgjë nuk ndërmarrin në lidhje me këtë”, ka shtuar politikani serb.

Ish kandidati për president të Serbisë, ka akuzuar direkt Vuçiqin për rrahjen dhe torturat, teksa e ka quajtur këtë si tentim vrasje.

“Dëshmi e kësaj është edhe deklarata e djeshme e Aleksandër Vuçiqit, i cili në konstatimin e kryeministrit Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit, që policia sekrete më ka rrëmbyer dhe më ka rrahur deri në atë masë, saqë kam mbetur i paralizuar, theksoi se unë jam personalitet i panjohur. Mua më njohin me mijëra njerëz në Serbi, e mos të them miliona njerëz të tjerë nga e mbarë bota, ndërsa Vuçiq thotë që jam personalitet i panjohur, i cili ka marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk i ka fituar as 0,1% të votave. Kjo është një gënjeshtër e madhe sepse ai në përgjithësi po përpiqet të shtrembërojë historinë dhe unë jam i bindur nga përgjigjja dhe mohimi i ngjarjes nga ana e tij që, ai (Vuçiq, v.j), është njeriu i cili ka qëndruar prapa kësaj ngjarjeje dhe gjithë kësaj historie të tmerrshme, torturave dhe rrahjeve dhe lirisht mund të them tentim-vrasjes”, ka nënvizuar Sanduloviq në një intervistë për “RTK Prime” përmes ‘Skype’-it.

Sipas tij, deri tash asnjë organ hetues nuk është marrë me rastin e tij, derisa ka thënë se deklarata e Gjykatës Themelore në Beograd se ata kanë vërtetuar se nuk është përdorur asnjë lloj force ndaj tij tregon që kjo është një vrasje politike e paramenduar.

Sanduloviq më tej ka treguar se gjatë marrjes në pyetje dhe rrahjes prej disa orëve nga shërbimi sekret, e kanë xhiruar me telefona privatë, deri mes tjerave, një nga pyetjet kryesore ishte si kam mundur të vendos lule në varrin e vajzës shqiptare.

“Me këtë rast më kanë pyetur, a është ajo viktimë e pafajshme. Unë ju kam thënë, po, për mua ajo është viktimë e pafajshme. Më pas ata më kanë rrahur, sharë nënën shqiptare, e kështu me radhë. Më pas, mbi këtë është bazuar dyshimi se kam kryer veprën penale “përhapja e urrejtjes nacionale” sepse kam vendosur lule në varrin e kriminelit. Pra, vogëlushja Blerina Jashari, engjëllushja e vogël shtatë vjeçe, e cila është vrarë me plumb në pjesën e pasme të kokës, për autoritetet serbe dhe për regjimin diktatorial nacionalist, qenka një kriminele. Ajo nuk është kriminele për mua. Ai fëmijë i pafajshëm është një engjëll; një viktimë e pafajshme dhe me mendimin tim është pajtuar edhe avokati Çedomir Stojkoviq, i cili ka ardhur dhe ka vendosur lule. Po ashtu ka ardhur edhe nënkryetari i Partisë Republikane, Mihajlo Todiq, si dhe vajza ime Klara”, deklaroi Sanduloviq.