Politika ditore në Kosovë është duke shënuar rënie drastike në kuptimin e politikës së mirëfilltë. Kjo po ndodh në kohën kur Kosova gjendet para sfidave më të rëndësishme për të ardhmen e saj në drejtim e mirëqenies shoqërore dhe zhvillimit ekonomik.

Sot politika ditore është shndërruar në arenë akuzash së politikanëve në mes tyre, me qëllim që t’i iket përgjegjësive institucionale për atë që janë të thirrur në krye të detyrës. Vazhdimisht dëgjojmë mediat e shkruara dhe ato elektronike se çdo ditë e më shumë po keqpërdoret detyra zyrtare për të cilën janë të zgjedhur.


Politika shtetërore është shndërruar në arenë akuzash mes pozitës dhe opozitës apo individëve të caktuar. Vetëm rasti i fundit akuzat e Bekim Haxhiut ndaj Albin Kurtit dhe shumë të tjera para tij, tregojnë për mosseriozitet në punën e tyre.

Nga këto sjellje që po i shohim, çdo ditë e më shumë mësojmë edhe një herë dhe më hapur, se gjithë këto akuza janë të pavend, vetëm për një qëllim të caktuar që t’ju iket përgjegjësive ndaj shtetit, ndërsa qytetarëve tu hidhet hi syve.

S’ka asnjë debat të mirëfilltë me gjendjen në veri të vendit, s’ka debat për punësimin dhe shumë çështje të tjera jetike për vendin. Sepse, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në Kuvend akuzash, ndaj njëri tjetrit, duke shfaqur punët e pista që i kanë bërë dhe po i bëjnë ende politikanët tanët. Këta politikanë të vetëshpallur nuk mund të konsiderohen as qytetarë të mirëfilltë të vendit, sepse po u shihen synimet dhe qëllimet e tyre.

Nga kjo që u tha më lartë, qytetarët e Kosovës duhet të ndalen dhe të mendojnë mirë, por dhe të mësojnë nga kjo e keqe që është përhapur dhe që vet politikanët e kanë sjellë deri këtu, natyrisht për përfitime personale dhe për qëllime të caktuar. Pra politika në Kosovë është shndërruar në politikë klanore që asnjë dobi nuk mund t’i sjellin qytetarëve të cilët ua kanë dhënë votëbesimin e tyre, për një qeverisje më të mirë dhe një jetë më të lumtur.

Nga këto që po shohim çdo ditë në skenën politike ditore, mund t’i shtrojmë pyetje vetes: A thua vallë e kujt është Kosova, e politikanëve apo e qytetarëve?! Nga këtu mund të lindin edhe shumë pyetje të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, por që nuk po i jepet rëndësi kësaj të ardhme nga vet politikanët e vendit, duke i vënë akuzat mes vete në rend dite në Kuvendin e Kosovës, duke mos shfaqur interesim për përgjegjësitë dhe detyrat që i presin.

Në këtë rast pozitë, opozitë, kanë filluar debatet e tyre të kota sa për të kaluar kohën në Kuvend dhe për t’u marrë me teket dhe inatet e tyre personale, por me një prapavijë se kush ka qenë kinse patriot dhe kush tradhtar. Pra në të shumtë e rasteve Kuvendi është bërë vendi më i duhur për t’u akuzuar, jo për ndonjë qëllim që do të dalë në dritë diçka, por vetëm të dalin para kamerave dhe të shkruajnë gazetat për to.

Falë Zotit, pot të mos ishin edhe këto akuza të pa kripa nga të dy taborret politike, një pjesë e mire deputetëve nuk do të kishim rastin t’ua dëgjojmë zërin thuajse asnjëherë në mandatin e tyre të fituar kinse nga qytetarët.