Policia ndalon një punonjës nga Gjykata Themelore e Gostivarit, dyshohet se ka marrë ryshfet

Policia ka ndaluar një punonjës nga Gjykata Themelore e Gostivarit, për shkak se dyshohet se ka marrë ryshfet për të fshirë gjobat e një personi tjetër.
"Më 20.01.2026 në orën 20:10, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Rostushës kanë ndaluar personin A.J.(49) nga fshati Prisojnicë, komuna e Mavrovës dhe Rostushës, për shkak të dyshimit për vepër penale "marrje e ryshfeti" sipas nenit 357 të Kodit Penal.
Sipas denoncimit nga N.A. nga fshati Kalishtë, komuna e Vrapçishtit, A.J. – punonjës në Gjykatën Themelore të Gostivarit, ka kontaktuar mikun e tij S.M. nga Gostivari dhe i ka ofruar që për shumën prej 100 eurosh të fshijë një gjobë gjyqësore prej 200 eurosh dhe ndalesën për drejtim të automjetit prej gjashtë muajsh, duke pretenduar se dokumentet kanë arritur tek ai për ekzekutim dhe se mund t'ia kryejë punën.
Siç është denoncuar, N.A. në emër të shokut të tij ka kontaktuar personin A.J. dhe kanë rënë dakord për një takim në një objekt hotelerik në Gostivar, ndërsa pasi janë takuar, e ka informuar se është gazetar dhe se po xhiron, pas së cilës A.J. ka tentuar të arsyetohet se po bën shaka dhe është përpjekur të arratiset.
A.J. është ndaluar në stacionin policor dhe pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të paraqitet kallëzim përkatës", thuhet në njoftimin e SPB Tetovë./Telegrafi/




















































