LAJMI I FUNDIT:

Policia: LVV ka lajmëruar për mbajtjen e tubimit të nesërm

Policia: LVV ka lajmëruar për mbajtjen e tubimit të nesërm

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se LVV ka lajmëruar policinë për mbajtjen e tubimit të nesërm.

“Lidhur me tubimin/manifestimin e paralajmëruar të mbahet nesër (12.06.2020) në orën 17:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës njofton opinionin publik se organizatorët e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës për mbajtjen e këtij tubimi/manifestimi.

Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, dhe me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, me qëllim të mbarëvajtjes së tubimit, mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim theksohet se si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/