Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në një shtëpi të braktisur në fshatin Rudar i Vogël, në komunën e Zveçanit.

Sipas njoftimit zyrtar, më 25.01.2026 rreth orës 11:20, njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri kanë dalë në vendngjarje pas pranimit të informacionit nga qytetarët për mundësinë e pranisë së armëve dhe municionit në këtë lokacion.


Gjatë kontrollit në objektin e pabanuar, Policia ka gjetur dhe sekuestruar: 9 granata dore, 538 fishekë dhe 3 karikatorë për armë automatike.

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka trajtuar granatat në mënyrë të sigurt, pa incidente.

Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me rastin, deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të raportojnë çdo rast të dyshuar në numrin emergjent 192./Telegrafi/