Policia apelon për kujdes të shtuar para stuhive, qytetarëve u shpërndahen rekomandime në Mitrovicë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut sot më 22 korrik ka ndërmarrë veprime informuese dhe parandaluese pas paralajmërimeve për përkeqësim të motit, me mundësi të stuhive të shoqëruara me erëra të forta dhe reshje.
Zyrtarët policorë kanë zhvilluar aktivitete në terren duke shpërndarë fletushka informuese në hapësira publike, qendra të qyteteve dhe pranë bizneseve, me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për masat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e jetës dhe pronës.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të largojnë ose sigurojnë të gjitha objektet që mund të zhvendosen nga era, si çadrat e lokaleve, karriget, tavolinat, vazot dhe pajisje të tjera në ambiente të jashtme.
Gjithashtu, qytetarët këshillohen të sigurojnë mbylljen e dyerve dhe dritareve, si dhe të mbajnë të karikuara pajisjet elektronike, përfshirë telefonat mobilë dhe bateritë rezervë, në rast të ndërprerjeve të mundshme të energjisë elektrike.
Për personat që ndodhen jashtë gjatë përkeqësimit të kushteve atmosferike, rekomandohet që të kërkojnë strehim në ambiente të sigurta dhe të shmangin qëndrimin nën pemë, pranë shtyllave elektrike apo në hapësira të hapura.

Ndërkohë, drejtuesve të automjeteve u është bërë apel që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion, të ndalojnë në vende të sigurta në rast përkeqësimi të motit, të shmangin rrugët e përmbytura dhe të mos parkojnë automjetet nën pemë ose pranë shtyllave elektrike.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe u ka kërkuar qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e sigurisë.
Në rast të ndonjë situate emergjente apo rreziku, qytetarët janë ftuar të njoftojnë menjëherë Policinë. /Telegrafi/


































