LAJMI I FUNDIT:

Polemika në gjykatë mes babait të Triumf Rizës, Enver Sekiraqës e avokates së tij

Polemika në gjykatë mes babait të Triumf Rizës, Enver Sekiraqës e avokates së tij

Në fund të dëshmisë së babait të të ndjerit Triumf Riza, Shefqet Rizës janë krijuar polemika mes këtij të fundit, avokates Kosovare Kelmendi e të akuzuarit Enver Sekiraqa.

Sekiraqa, në shtator 2019 ishte shpallur fajtor për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza, për çka ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, mirëpo në mars 2020, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deri te këto polemika erdhi pasi i dëmtuari Shefqet Riza deklaroi se nëna e avokates Kosovare Kelmendi e kishte liruar nga burgu Enver Sekiraqën.

E më pas reagoi avokatja Kelmendi, e cila kërkoi që të konstatohet në procesverbal kjo deklaratë e të dëmtuarit pasi ajo do të ushtrojë padi për shpifje, duke shtuar se nuk do të lejoj që të ndotet emri i nënës së saj.

“Kur ka qenë ajo ministresh që e ka lshu”, ka pyetur Kelmendi.

Kurse, Riza tha se ka qenë drejtoreshë e Departamentit të Drejtësisë në kohën e UNMIK- ut në vitin 2005.

“Bashkëdrejtuese me Sindik Hamsin  bukur shumë shënone e tash tregoni vitin kur e ka lëshu edhe provat, ju kam toleru boll”, ka thënë më pas Kelmendi.

Tutje, Riza vazhdoi duke thënë se e ka lëshuar nga burgu e ndjera Kelmendi dhe Sekiraqa “ka marr krye”.

“Prej burgut, nana e kësaj e ka lshu Enver Sekiraqën. Ky merr krye mandej. Ky në burg ka qenë për atë rast dhe merr krye tash”, ka thënë ai, ku të njëjtën fjali e ka përsëritur disa herë.

“Nuk e di a ka qenë për rastin kto. Po edhe ni vepër, ky plot vepra ka pas, po krejt Kosova more e din, po në hall jemi kon para luftës”, ka thënë Riza.

Tutje, ai deklaroi se Sekiraqa ka qenë bashkëpunëtor i Arkanit.

“ Ky bashkëpuntor i Arkanit ka qenë pash zotin krejt e din “, ka thënë Riza.

Më pas, ka reaguar edhe i akuzuari Sekiraqa:

Paraprakisht, në fillim të dëshmisë së tij, dëmtuari Shefqet Riza, deklaroi se plotësisht qëndron në ato që i ka dhënë në hetuesi, polici edhe në prokurori speciale.

“Edhe pranë gjykatave  në shqyrtimin e parë e të dytë që faktikisht jemi lodh mo se qe 1 dekadë e sa u bo .Unë veç kam me shty edhe një gjë se tash vonë e kam marr vesh që i akuzuari kur ka qenë në spital para të smutve dhe mjekut ka thënë pa e vra nuk e lo”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka deklaruar se Triumf Rizën e ka pas djalë dhe se i njëjti ka qenë polic dhe se kanë jetuar së bashku në bashkësi familjare.

Babai i Rizës tha se si familje janë intelektualë dhe nuk kanë pasur probleme kurrë dhe se ky është i vetmi rast që kanë punë para gjykatës.

Tutje, ai tha se me të vetmin njeri që ka pas problem e që i ka thënë edhe atij është gjatë punës zyrtare me Enver Sekiraqën, i cili vazhdimisht është sjellë keq me të gjithë policët, është sjellë keq edhe me Triumfin.

“Bile u ka thënë kur e ka ndal Triumfin në vitin 2002, ju ka kërcënu e ka nxjerr granatën, djali ka qenë me një polic të Pakistanit, kanë qenë te rrethi te Spitali, te shkolla e Mjekësisë, Enver Sekiraqa ju ka kërcënu ju ka thënë ‘do të jau boj më zi se në Shqipëri’ Do të thotë do të ju vras.  Në Shqipëri në atë kohë kanë qenë 80 e sa të vram prej bandave”, deklaroi ai.

Dëshminë e tij vazhdoi duke e dhënë edhe për raste tjera kur i akuzuari ka pasur probleme me djalin e tij.

“Një rast osht prapë në shkollën e mjekësisë kur kanë desht Enver Sekiraqa me bandën e tij me i marr dy vajza me dhunë, aty ka qëllu me shokë Triumfi ka ndërhy  dhe e kanë evitu për mos me mujt me i marr ato dy vajzat për t’i dhunu. Rastet tjera janë vazhdimësi mandej, kronologjikisht qysh i kam thënë edhe përpara, i kam përmend”, ka thënë ai.

Tutje, vijoi duke u deklaruar me një ngjarje që kishte ndodhur me 24 dhjetor 2005 në Sëiss Casino.

“Sidomos ngjarja në Sëiss Casino, me 2005 ka ndodh kjo, në ditën e krishtlindjeve, 24 dhjetor, aty Triumfi sulmohet bashkë me një polic tjetër, Arben Selmanaj,  plagoset rëndë polici  Arben Selmanaj nga banda e Enver Sekiraqës, i cili mandej ka shkuar për shërim në Zagreb. Kurse, Triumfi fati se plumbat i kanë shku ka koka, fati ka desht nuk është plagos dhe Triumfi ç’është e vërtetë e ka rrah Enver Sekiraqën. Por, nuk e ka përdor armën në vetëmbrojtje me e vra, as këtë e as gjashtë tjerë që kanë qenë, kanë qenë edhe dy femra, dyjat me armë kanë qenë femrat e ktyne”, ka thënë ai.

Ky dëshmitar deklaroi se Arben Selmanaj nuk është më në detyrë si polic dhe sipas tij deri ditën e dytë ka qenë në polici pas vrasjes së Triumfit.

“Mandej ditën e dytë të vrasjes së Triumfit, ai e ka marrë gruan dhe ka emigruar në Amerikë nga frika se mos po e vrasin edhe atë”, ka thënë ai.

Tutje, deklaroi se pas rastit të Sëiss Casinos mes Triumfit dhe të akuzuarit, ka pasur problem prapë.

“Djali i ndjerë më ka tregu se hap pas hapi gjithkund po e përcjellin Enver Sekiraqa me bandën e tij, prej rastit të Sëiss Casinos kronologjikisht deri në ditën e vrasjes.  Banda e tij janë do emra si Rumqi, më duket se emri i vërtetë i tij është Rrahim, Liza emri i vërtetë Ilir Abdullahu, por ai është endë në arrati e kërkon Interpol, edhe do tjerë nja pesë a gjashtë e kanë përcjellë vazhdimisht”, ka deklaruar Riza.

Tutje, tha se emrat e Rumqit e Ilir Abdullahut i ka dëgjuar nga Triumfi.

“Por edhe nga djali tjetër Visari, i cili dy tri herë ka qëllu kur këta me skutera kanë bërë përpjekje me i vra, edhe me dy vetura kanë qenë në Veternik, si e kanë kaluar menjëherë pjesën e Veternikut. Djali i ndjerë në polici ka katër deklarata rreth kësaj, i ka të deponuara në polici”, ka thënë ai.

Sa i përket personit që është dënuar për vrasjen e djalit të tij, Arben Berishës, i njëjti tha se i ndjeri Triumf kurrë nuk e ka përmendur këtë person.

Ditën e vrasjes së djalit të tij, me 30 gusht 2007, i dëmtuari tha se ka qëlluar te kryetari i Kaçanikut, ku ka qenë edhe nënkryetari i kësaj komune, pasi kishin një projekt, një punë dhe se djali i tij Visari e kishte telefonuar e i kishte thënë  “bab nëse munësh me ardh se e kanë plagos Triumfin”, duke shtuar se nuk i kishte treguar se e kanë vrarë.

Prokurori Haki Gecaj e ka pyetur se a i ka thënë se kush e ka plagosur dhe a kanë dyshuar në dikë.

“Po, më ka thënë djali. Na e kemi dit veç banda e këtij, nuk e kemi dit kush cili. Unë nuk e kam dit, por e kam pyet qysh është plagos dhe ai më ka thënë nga banda e Sekiraqës. Por, si duket nënkryetari i Kaçanikut, Hebib Shehu, ai si duket ka pas informacion që Triumfi ka vdek dhe që gjendet në spital, këtë e kam marrë vesh sepse nuk më lanë me vozit me veturën teme, më prunën drejt në spital në Prishtinë”, ka thënë dëshmitari.

Ndërkaq, avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, deklaroi se dëshiron t’i drejtohet  Rizës me një qëndrim të saj personal.

“Se sa herë që unë ju takoj në këtë proces gjyqësor keqardhja për humbjen e djalit tuaj vetëm sa vjen e shtohet dhe unë si prind ju kuptoj se keni pësuar humbje të pakompensueshme. Por, gjithashtu si një intelektual kërkoj nga ju që fillimisht të kuptoni rolin tim si mbrojtës dhe të kuptoni se proceset gjyqësore fillojnë dhe përfundojnë me prova. Prandaj, ju lus që të keni konsideratë dhe mos t’i përjetoni emocionalisht pyetjet që do të ju parashtroj në vijim meqenëse kanë të bëjnë vetëm me provat”, ka thënë ajo.

Tutje, vazhdoi me pyetje, ku tha se nga dëshmia sot sikurse edhe ato paraprakisht, kuptoi se sipas tij i ndjeri Triumfi dhe këtu i akuzuari në total kanë pas dy incidente, i pari në vitin 2000 te rrethi afër shkollës së mjekësisë dhe i dyti në 2005 në Sëiss Casino. Ajo ka pyetur se a është e saktë një gjë e tillë.

“Kjo është e saktë, por edhe ajo që e thash më përpara në shkollës e mjekësisë dhe katër herë tjera që e kanë përcjell për me vra , edhe në fshat kur e kanë blloku rrugën me gurë të mëdhaj për mos me mujt me kalu, menjëherë te varreza e dëshmorëve të Kaçanikut”, ka thënë Rizaj.

Ai sqaroi se të dy rastet janë të ndara nga njëra tjetra.

“Që të dy rastet kanë ndodhur në të njëjtin vit. Së pari ka ndodh rasti, në të cilin i akuzuari është ndal mu legjitimu dhe në të dytin lidhur me vajzat. Njëra ka ndodh brenda aty në shkollë, brenda në shkollë, ku arsimtar ka qenë edhe profesoresha e kimisë, Fitore Podrimja,  gruaja e Ali Podrimës, ku më ka tregu që kështu ka ndodh ngjarja, fati që ka ndërhyrë Triumfi me atë dhe i kanë shpëtu vajzat e na kanë shpëtu edhe neve pa i rrah”, ka thënë ai, si dhe shtoi se vetëm në njërin rast ka nxjerrë granatën i akuzuari.

Në një rast, ai iu drejtua avokates Kelmendi duke i thënë “Unë ty s’duhet me tu përgjigj hiq. Se hera e parë që po kërkon falje qishtu se je sjell tulifar sharje i keni bo djalit”.

Tutje, avokatja Kelmendi tha se meqenëse këto informacione i ka nga i ndjeri Triumfi, a ka njohuri, a i ka treguar se si ka pas mundësi që brenda një viti, një person të nxjerrë granatë gjatë legjitimimit, t’i kërcënojë policët me granatë, të ik nga vendi ngjarjes, dhe pas një periudhe kohore, të cilën nuk mund ta përcaktojë dëshmitari, por e di se është brenda të njëjtit vit, i njëjti person të paraqitet në shkollë të tentojë me dhunë të marrë vajza që apriori akoma pa i rrëmby po dihet që për me i dhunu, po konfrontohet me të njëjtin polic.

Ajo pyeti se a i ka treguar djali i tij se pse nuk e kanë arrestuar të akuzuarin.

“Pyetjen nuk e kuptova, por unë deklaratën që e kam dhënë atëherë, thash që qëndroj pranë asaj deklarate. Por, mua nuk mu kanë kujtu shumë sene, unë nuk e kam përmend për shembull veturën që ja kanë djeg këta, prapa shpisë. E pse mos me përmend tash, kur atëherë nuk mu ka kujtu mu. Edhe ky rast me shkollë të mjekësisë, e kam përmend edhe atëherë sa e di unë”, ka thënë i dëmtuari.

Kurse, tha se nuk e kanë arrestuar pasi ka ik i njëjti.

“Duhet me pas parasysh që kanë qenë krejt 80 policë shqiptarë në krejt Kosovën. Kanë qenë pak policë, nuk kanë qenë 8000 qysh janë tash dhe natyrisht që i ka ra me u taku me Triumfin”, ka thënë ai.

Më pas, avokatja Kelmendi ka pyetur të dëmtuarin se a ka pas rastin të shikojë intervistën në televizion me drejtorin e shkollës së mesme të mjekësisë, i cili është intervistuar lidhur me të ashtuquajturin incident në shkollën e mjekësisë, të cilit ju i referohet i dëmtuari.

“Dhe ajo intervistë ka lindur pikërisht si rezultat i deklarimit tuaj dhe i njëjti publikisht ka deklaruar se në shkollën e tij, ku ai ka qenë drejtor kurrë asnjëherë nuk ka ndodhur një incident i tillë dhe logjikisht ka deklaruar se është e pamundur të ketë ndodhur duke marrë parasysh numrin aq të madh të njerëzve në atë ndërtesë”, ka thënë ajo.

Kurse, i dëmtuari deklaroi se nuk e ka përcjellë atë intervistë.

“Por, mjafton mem thënë njerëzit që kanë qëllu, arsimtarët në sallën e arsimtarëve. A ka qenë drejtori atë ditë në shkollë apo frikësohet me deklaru”, ka thënë ai.

Avokatja Kelmendi ka pyetur të dëmtuarin se e ka njoftuar Triumfi se është paraqitur si rast dhe është iniciuar e kërkohet si i dyshuar Enver Sekiraqa, qoftë për këtë rast në shkollën e mjekësisë, qoftë ai me kërcënim me granatë.

“Unë e di që i ka theksu në ato katër deklarata që i ka dhënë, nuk e di në cilin e ka theksu, por atëherë ka qenë polici i UNMIK-ut dhe nuk e di nëse të njëjtat ekzistojnë edhe sot”, është përgjigjur i dëmtuari.

“Ne i kemi pesë raste lidhur me të ndjerin Triumf dhe ju e dini se grumbullimin e provave dhe ngritjen e aktakuzës e ka bërë prokurori i EULEX në bashkëpunim me hetues vendorë, që ju i njihni. Janë mbledh komplet të gjitha rastet e paraqitura nga i ndjeri Triumf dhe asnjëri nga këto dy raste apo incidente që i përmeni nuk figurojnë, por  figuron rasti i zjarrvënjes të makinës të së ndjerit dhe atë nga NN personave, figuron rasti i kanosjes dhe atë ndaj NN personave, figuron rasti i moszbatimit të urdhrave të policisë dhe nuk ka raste tjera”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Ajo ka pyetur se a ka mundësi që ka informatën e gabuar se këto raste kanë ndodhur e të jenë paraqitur në polici.

“Ato qëndrojnë që po thotë, për deklarata unë katër e di, qenkan pesë. Unë nuk e kam dit që qenkan pesë. Për këto dy raste vet i ndjeri i më ka tregu. Edhe në shkollë dy arsimtarë më kanë tregu”, ka thënë i dëmtuari.

Kurse, avokatja Kelmendi tha se  rastet janë të paraqitura nga i ndjeri Triumf dhe në asnjërën nuk e përmend Enver Sekiraqën.

“Ju duhet të mbështetni edhe në hetuesinë e policisë edhe ata katërcipërisht e kanë nxjerrë kush është fajtor se është fajtor Enver Sekiraqa për të gjitha këto raste deri te vrasja. Përcjella vazhdimisht dhe qëllimi për ta vrarë deri në ditën kritike”, ka thënë ai.

Sa i përket, rastin Sëiss Casino, i dëmtuari tha se ai e di se kur kanë ardhur dy policë, rreth orës 6 të mëngjesit në banesën e tij, i kanë treguar që Triumfi është në polici për rastin që ka ndodh.

“Arbeni veç ish plagos rëndë, këta kanë ardh më vonë këta banda e Enverit së bashku me të kanë ardhur më vonë”, ka thënë ai.

Tutje shtoi se i akuzuari me bandën e tij i kanë sulmuar.

“Këta i kanë sulmu ata, dhe ata janë vetmbrojt dhe lidhur me këtë u përgjigja në pyetje të prokurorit special”, ka thënë ai.

Tutje, avokatja Kelmendi deklaroi në deklaratat që janë edhe në shkresa të lëndës, të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe të ndjerin kanë deklaruar se kur i ndjeri dhe shoqëria e tij kanë shkuar në Sëiss Casino, Enver Sekiraqa me shoqërinë e tij saktësisht jo vetëm që kanë qenë aty, por kishin qenë duke dal prej lokalit.

“Dhe se ai incident ka filluar në mes të Arben Selmanaj dhe Agron Bytyqit. Do të thotë fjalosja, përplasja, përleshja ka ndodh mes dy personave, ku fare nuk kanë qenë të përfshirë as Enveri e as i ndjeri Triumfi.  A ju ka tregu personalisht ndonjëherë Triumfi se si ka ndodh kjo ngjarje”, ka thënë ajo.

Kurse, i dëmtuari Rizaj deklaroi se i ka treguar dhe se nuk e di a kanë hyrë të parët apo të fundit.

“Por, me rëndësi është që Enver Sekiraqa me bandën e tij i kanë sulmu në Sëiss Cassino.  Ata kanë shku me qëllimet më të mira për me festu krishtlindjet dhe Triumfi i ka thënë Arbenit se nuk është vendi me ardh unë. Ai ka insistuar, e ka marrë sepse i ka pas katër bileta. Arbeni ka qenë me bashkëshorten dhe motrën e vet, më duket 10 apo 12 vjeçare”, ka thënë ai.

Avokatja Kelmendi e ka pyetur të dëmtuarin se a ka njohuri se pas rastit të Sëiss Casino, Arben Selmanaj, sipas traditave dhe zakoneve tona, ka dërguar njerëz, miq ose burra dhe atë pikërisht familjarët e bashkëshortes së tij tek i akuzuari për t’i kërkuar falje për incidentin në Sëiss Casino për t’i shpreh keqardhje për lëndimet që i ka pësuar aty i akuzuari.

“Më kanë treguar disa policë, shokë të tij, pasi ka shkuar në Amerikë, sepse ky e ka pas qëllimin ta ndaj atë, vetëm Triumfin ta vraj, a Triumfi në konflikt ka hyrë shkaku i Arbenit”, ka thënë i dëmtuari.

Avokatja Kelmendi tha se në bazë të kësaj që posa e deklaroi rezulton se Arben Selmanaj nuk ka ik për Amerikë shkaku i Enver Sekiraqës, e të cilin informacion e ka pasur i dëmtuari dhe deklaruar disa herë në procese gjyqësor e që është i pasaktë.

Ajo pyeti se a do të thotë kjo se në bazë të kësaj që deklaroi i dëmtuari rezulton se informacioni që ka pas për Arben Selmanaj se kinse i njëjti ka ikur për Amerikë nga frika prej të akuzuarit rezulton të jetë informacion i pasaktë.

I dëmtuari Riza tha se këtë informacion më herët nuk e ka pas dhe nuk e ka deklaruar më herët dhe se që ka ikur në Amerikë është informuar nga policë.

Kurse, avokatja i tha se këtë informacion se Arben Selmanaj është pajtuar me të akuzuarin e ka pasur para se të vinte sot në gjykatë sot dhe përkundër asaj i tha trupit gjykues se Arben Selmanaj ka ikur për Amerikë nga frika se po vritej nga i akuzuari sikurse i ndjeri Triumf.

Kurse, i dëmtuari tha se ai ka informacion të saktë se ka ik nga frika.

Tutje, avokatja Kelmendi pyeti se a ka dëgjuar i dëmtuari ndonjëherë të kenë ndodhur problemet ndaj të ndjerit me persona të tjerë, e të cilat raste janë lidhur me rastet, në të cilat i ndjeri Triumf i ka pas me persona të tjerë dhe atë jo gjatë detyrës zyrtare, e për të cilat prokuroria ka dorëzuar një dosje e cila është pjesë e shkresave të lëndës dhe mban emrin “Rastet Disiplinore T.R”

“Unë e di që s’ka pas problem me dikë tjetër, e qysh po bojka me pas aj problem kur 18 mirënjohje i ka persë gjalli nga policia, e 3 pas vdekjes. Qysh paska mujt me pas problem e me u ngrit aktakuza disiplinore e knej 18 mirënjohje e dekorata  i ka. Shumica nga Shërbimi Policor, edhe ambasada amerikane, e së fundi është shpall hero nga presidenti”, ka thënë i dëmtuari.

Ai ka mohuar se i ndjeri ka pasur probleme me persona të tjerë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqen për vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e Sekiraqes duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë shqyrtimin gjyqësor të shtyrë e kishte mbajtur me trup gjykues të ndryshuar dhe nuk e kishte filluar rishtas. Po ashtu kjo gjykatë ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar ishte i paqartë, i pakuptueshëm dhe kontradiktor, ndërsa në arsyetim sipas Apelit nuk ishin dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qartë lidhur me faktet vendimtare, si dhe ligjshmërinë e provave të siguruara nga PTK-ja.

Prandaj, kjo gjykatë e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të theksojë saktë se cilat ishin veprimet inkriminuese që i akuzuari Sekiraqa i kishte kryer apo jo në këtë çështje penale, si dhe të rivlerësoj ligjshmërinë e kontrollit të lokalit “Bar Sekiraqa”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që të vlerësoj nëse këto prova të mbledhura gjatë kontrollimit të lokalit ishin të pranueshme.

Po ashtu, kjo gjykatë kishte udhëzuar që në rigjykim të dëgjohen dëshmitarët Abedin Canolli lidhur me rolin e Sekiraqës në grupin e tij, për njerëzit që i bindeshin urdhrave të Sekiraqës dhe se si ai i ngarkonte me detyra dëshmitarët Canolli dhe Xhafer Bislimi.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2019, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /BetimipërDrejtësi

Në trend Lajme

Më shumë
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Arsim
Kalo në kategori