Nëse papritur në ekranin informues të panelit të instrumenteve të veturës shfaqet mesazhi “Service Now”, kjo do të thotë se automjeti ju njofton se ka ardhur koha për servis.

Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht që duhet të ndaloni menjëherë vozitjen, por para se të vazhdoni udhëtimin duhet të kryeni disa kontrolle dhe veprime të rëndësishme.


Së pari, kontrolloni nivelin e vajit të motorit dhe lëngjet e tjera të rëndësishme të automjetit. Nëse nuk jeni të sigurt si kryhen këto kontrolle, manuali i përdorimit të veturës mund t’ju ndihmojë.

Më pas, është e rekomanduar të verifikoni në kartelën e servisimit ose sipas planit të mirëmbajtjes sa kohë dhe sa kilometra kanë kaluar që nga servisi i fundit.

Në disa raste, kompjuteri i makinës aktivizon mesazhin e servisimit thjesht sepse kanë kaluar 365 ose 730 ditë nga servisi i fundit, edhe nëse automjeti nuk ka bërë shumë kilometra. Në këto raste, zakonisht nuk ka rrezik të menjëhershëm dhe automjeti mund të vazhdojë udhëtimin deri në servis.

Nëse mesazhi lidhet me kilometrazhin e kaluar, duhet të kontrolloni sërish kur është bërë servisi i fundit, pasi mund të ketë ndodhur që në servis nuk është bërë resetimi i intervalit të mirëmbajtjes, i cili zakonisht ndryshon nga 15 mijë deri në 30 mijë kilometra.

Nëse rezulton se paralajmërimi është aktivizuar më herët se pritej, ai nuk duhet injoruar. Në disa automjete moderne me motor dizel dhe filtër të grimcave (DPF), proceset e pastrimit të filtrit mund të ndikojnë në cilësinë e vajit të motorit dhe ta përkeqësojnë atë më shpejt. Nëse servisi shtyhet, ekziston rreziku i dëmtimit serioz të motorit.

Në çdo rast, nëse shfaqet një situatë e tillë ose e ngjashme, rekomandohet që para se të vazhdoni udhëtimin të kontaktoni servisin profesional që mirëmban automjetin tuaj. /Telegrafi/