LAJMI I FUNDIT:

Po shtohen shpresat në Gjermani për një recesion ekonomik të moderuar

Po shtohen shpresat në Gjermani për një recesion ekonomik të moderuar

Ekonomia gjermane po tregon një qëndrueshmëri të papritur. Të dhënat e reja ekonomike ushqejnë shpresat se rënia e performancës ekonomike mund të jetë më e dobët se ç’pritej fillimisht.

Mirëpo, ekonomia ende ecën drejt një recesioni. Por të dhënat e reja ekonomike japin shpresë se ai nuk do të jetë shumë i thellë. Kështu, Indeksi i Blerjeve për sektorin privat – industri dhe shërbime – u rrit me 1.3 pikë në muajin nëntor, duke arritur në 46.4 pikë. Kjo u njoftua sot nga ofruesi i shërbimeve financiare S&P Global në sondazhin e tij mujor me rreth 800 kompani. Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters prisnin një rënie në 44.9 pikë.

Megjithatë, ky barometër, i cili ndiqet me vëmendje në tregjet financiare, qëndroi për të pestin muaj radhazi nën pikën 50, pikë prej së cilës pritet rritje.

“Të dhënat e nëntorit nuk e ndryshojnë pikëpamjen se Gjermania ka të ngjarë të shkojë në një recesion. Sidoqoftë, ka arsye për të shpresuar se rënia e performancës ekonomike mund të jetë më e vogël se sa pritej fillimisht”, tha ekonomisti i S&P, Phil Smith.

Industria përshtatet me mungesën e energjisë

Pra, ka shenja në rritje se Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës dhe, deri vonë, më e varura nga gazi rus, mund ta kalojë butë konjukturën. Lehtësim solli edhe raporti vjetor i “Të urtëve të ekonomisë”: ekspertët sigurisht presin një recesion për vitin e ardhshëm, por ai duhet të jetë i moderuar, me një rënie prej 0.2 për qind sipas parashikimeve të tyre.

Presidenti i IFO-s, Clemens Fuest, gjithashtu shprehu kohët e fundit optimizëm të kujdesshëm në lidhje me perspektivën për ekonominë gjermane. Nëse mund të shmanget në dimër mungesa e gazit, do të kishte shans për një recesion të moderuar.

“Ne shohim gjithashtu industrinë duke u përshtatur çuditërisht mirë – të paktën tani për tani – me mungesën e energjisë dhe kostot e larta të energjisë”, tha Fuest.

Në përgjithësi, ekonomia gjermane po rezulton më e fortë se sa prisnin shumë.

Tendencë pozitive edhe në Eurozonë

Ekonomia e Eurozonës nuk po tkurret më aq shpejt. Indeksi i menaxherëve të blerjeve për sektorin privat u rrit papritur me 0.5 në 47.8 pikë dhe kështu iu afrua pikës së rritjes prej 50 pikësh, siç raportohet sot nga S&P Global. Ekspertët prisnin edhe këtu një rënie të lehtë. Komisioni Evropian pret që ekonomia e eurozonës të hyjë në recesion gjatë dimrit.

Në një analizë aktuale të indekseve të menaxherëve të blerjeve, ekonomisti i Commerzbank, Christoph Weil shpjegon se çfarë po e frenon ekonominë e eurozonës. Sipas tij, një faktor i parë i rëndësishëm është shtrëngimi i politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane.

“BQE rriti normat bazë me 150 pikë bazë gjatë vitit. Për mbledhjen e dhjetorit presim një rritje të tjetër prej 50 pikësh bazë”, tha Weil.

Presionet inflacioniste janë në zbutje

Përveç kësaj, ekonomia e Eurozonës po vuan nga tronditja e çmimeve të energjisë, vijon eksperti.

Rritja masive e çmimeve të energjisë ka hapur vrima të thella në arkat e familjeve private.

Për sa i përket zhvillimit të çmimeve të konsumit në Eurozonë, analisti i Commerzbank u shpreh me kujdes optimist: përbërësit e indeksit të menaxherëve të blerjeve për blerjet dhe çmimet e konsumit në sektorin e prodhimit tregojnë se presionet inflacioniste duket se janë duke u zbutur. /Deutsche Welle/