LAJMI I FUNDIT:

Po afrohet lindja: Çfarë më pret në muajt e fundit të shtatzënisë

Po afrohet lindja: Çfarë më pret në muajt e fundit të shtatzënisë

Si zhvillohet bebja dhe me cilat probleme mund të ballafaqohet shtatzëna në tremujorin e tretë të shtatzënisë

Te disa femra në muajt e fundit të shtatzënisë sërish shfaqen lodhja dhe irritimet. Mirëpo, së shpejti do të arrijë dita kur çdo gjë do të zgjidhet, ndërsa pastaj pason periudha e kënaqjes së pafund në amësi! – transmeton Telegrafi.


MUAJI I SHTATË

Nëna

Në këtë periudhë mund të vëreni që nga sisët del lëng ujor i bardhemët apo lëng i verdhemët. Mos u brengosni, fjala është për kolostrumin – qumështin e parë, i cili krijohet për shkak të nivelit të lartë të hormonit prolaktinë (ai përgatit sisët tuaja për t’i dhënë gji bebes). Qumështin e vërtetë fillojnë të tajitin disa ditë pas lindjes.

Nëse shtatzënia juaj deri tani ka rrjedhur pa probleme, është momenti i fundit të filloni me ushtrimet psikofizike. Bëni listën për maternitet, si edhe listën e gjërave të domosdoshme për beben. Nga fundi i muajit të shtatë duhet bërë kontrolli i tretë me ultrazë.

Në këtë periudhë më shpesh do të urinoni, për shkak të presionit të shtuar të mitrës në fshikëz, por edhe këmbët do t’ju ënjtjen. Shmangni çdo gjë që ju shtrëngon, nëse vëreni që po ju ënjtjen duart dhe fytyra, patjetër shkoni te mjeku.

Bebja

Bebja juaj shpejt rritet dhe “plotëson” trupin e vet. Procesi i pjekjes së funksionit të mushkërive përfundon kështu që ajo tani, nëse lind më herët – është e gatshme për jetë jashtë mitrës. Lëkurën e ka ngjyrë të trëndafiltë, duart dhe këmbët topolake, ndërkaq rrudhat në lëkurë ngadalë zhduken.

Është shumë aktive dhe rrotullohet me shkathtësi në stomak si peshku në ujë.

MUAJI I TETË

Nëna

Nga muaji i tetë i shtatzënisë, do të duhej të shkoni më shpesh në kontrolle. Lodhja do t’ju shoqërojë, sepse gjumi i natës është i çrregulluar duke kërkuar vazhdimisht pozitën e përshtatshme për gjumë.

Pushoni gjatë ditës, shtrijuni çdoherë kur e ndieni të nevojshme. Nyjat dhe gishtat do t’ju ënjtën akoma, ndërsa këtyre telasheve të pakëndshme do “t’u bashkohen edhe dhembja e shpinës, venat e zgjeruara dhe hemorroidet.

Mund të prisni që bebja të “dalë”, domethënë që koka e vogël e saj të vendoset në pjesën e komblikut dhe të përgatitet për lindje. Kur të ndodhë kjo, do ta keni më lehtë të merrni frymë, mirëpo presioni ka lëvizur poshtë, kështu që mund të prisni probleme me gazrat dhe me urinim edhe më të shpeshtë.

Bebja

Duke u rritur, bebja ka gjithnjë e më pak hapësirë, andaj çdo lëvizje të saj e ndieni më fuqishëm. Që tani ka ritmin e vet të gjumit, kështu që do të ndërrohen periudhat kur është e zgjuar dhe kur fle gjumë – ju do ta ndieni qartë sipas aktivitetit të saj.

Akoma “rrumbullakohet”, faqet i ka gjithnjë e më topolake. Koka e vogël e bebes është tërësisht e formuar, mirëpo kockat e kokës nuk i janë rritur, ashtu që madhësia e saj mund t’i përshtatet kanalit të lindjes.

MUAJI I NËNTË

Nëna

Gjatë muajit të nëntë me siguri do të shkoni te mjeku një herë në javë. Sigurohuni a ka lëvizur bebja – së paku dhjetë herë gjatë ditës. Nëse ju duket që bebja është në mënyrë të pazakonshme e qetë, shkoni te mjeku. Çdo ditë mund të prisni të fillojnë kontraktimet e lindjes. Kontrolloni edhe një herë.

A i keni përgatitur të gjitha gjërat? Nëse po, shfrytëzoni kohën deri në lindje për pushim dhe grumbullim të forcës për atë që ju pret.

Bebja

Bebja ende shton peshë. Trashësia është e rëndësishme, sepse rregullon temperaturën trupore. Qimet nga lëkura e bebes kryesisht janë zhdukur, flokët mbulojnë kokën, ndërkaq qerpikët dhe vetullat janë rritur plotësisht.

Në fund të këtij muaji bebja është e rëndë rreth 3.400 gramëve, ndërkaq gjatësia 48-51 centimetra, me mundësi të dallimeve të mëdha. Mirëpo, më me rëndësi është që është e gatshme të lindë.

/Telegrafi/