LAJMI I FUNDIT:

Plaçkitjet e bankave shqetësuese, paratë e qytetarëve janë të sigurta

Plaçkitjet e bankave shqetësuese, paratë e qytetarëve janë të sigurta

Rastet e shpeshta të plaçkitjeve të bankave në Kosovë, sipas njohëseve të sistemit bankar, do të ndikojnë në krijimin e pasigurisë së përgjithshme, si dhe në humbjet financiare të bankave dhe kompanive të sigurimeve. Por paratë e qytetarëve nëpër banka janë të sigurta pasi që bankat duhet t’i sigurojnë depozitat e qytetarëve.

Njohësi i sistemit bankar Milazim Abazi ka thënë për Telegrafin se rastet e shpeshta të plaçkitjeve të banka në vend janë shqetësuese.


“Plaçkitjet e shpeshta të bankave paraqesin një dukuri shumë shqetësuese në rend të parë, për sigurinë publike në Kosovë. Siç duket, plaçkitja është e orkestruar nga një bandë kriminale që ka për qëllim edhe krijimin e një klime të pasigurisë totale”, tha ai.

“Plaçkitjet e bankave kanë për qëllim”, thotë Abazi “krijimin e një klime të pasigurisë”.

“Plaçkitja e bankave nuk do të ndikojë në besimin e qytetarëve ndaj bankave, por kjo ka krijuar një shqetësim të madh për vet punonjësit e bankave, për sigurinë e tyre fizike. Ndërsa në aspektin e humbjeve nga vjedhjet e bankave, më tepër janë dëmtuar kompanitë e sigurimeve sesa vet bankat, kjo për arsye se të gjitha bankat që veprojnë në Kosovë, parat e tyre i kanë siguruar tek kompanitë e sigurimeve”, tha Abazi.

Ai ka thënë se për të dalë nga kjo situatë duhet të përforcohet edhe më tepër rendi dhe ligji, policia të jetë shumë më pranë bankave, ndërsa kompanitë që merren me ruajtjen fizike të bankave të armatosen me armë të gjata.

Kurse, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se gjatë plaçkitjeve nuk dëmtohen qytetarët, por pasojat i bartin bankat të cilat janë pre e grabitjeve.

“Sipas Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut Operacional, bankat informojnë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me këto ngjarje, si dhe informojnë organet e rendit dhe organet tjera përkatëse që janë përgjegjëse. Çdo dëmtim financiar që ndodhë me rastin e vjedhjeve të bankave, kompensohet nga vet banka dhe asnjëherë nga klientët apo BQK-ja. Për më shumë, në funksion të mbulimit të dëmeve financiare, bankat sigurojnë paratë e gatshme”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), konsideron se një sistem i qëndrueshëm bankar është parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja.

Sipas këtij institucioni, plaçkitjet e vazhdueshme të bankave, janë bërë kërcënim për tërë sektorin dhe shoqërinë, duke marrë përmasa alarmuese.

“Plaçkitjet e armatosura nuk kërcënojnë vetëm perceptimin e përgjithshëm për sektorin bankar, por përbëjnë edhe goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, e rrjedhimisht edhe kundër të ardhmes së Kosovës. Në sytë e investitorëve të huaj, rastet e tilla japin përshtypjen e sistemit të dobët të sundimit të rendit dhe të ligjit, duke rritur pasigurinë e të bërit biznes”, thekson reagimi për media i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar si dhe këtë vit ka pasur raste të shpeshta të plaçkitjes së bankave, madje ka raste kur pikat e njëjta të bankave janë plaçkitur më shumë se një herë. /Telegrafi/