LAJMI I FUNDIT:

Pishina e Gërmisë pritet të hapet më 12 qershor, në ditën e Çlirimit të Prishtinës

Pishina e Gërmisë pritet të hapet më 12 qershor, në ditën e Çlirimit të Prishtinës

Sezoni i verës tashmë veç ka filluar, e shumë pishina të cilat janë në ambiente të hapura janë duke bërë përgatitjet për hapjen e tyre për qytetarët.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe Pishina e Gërmisë, e cila gjatë ditëve të nxehta frekuentohet shumë nga qytetarët e kryeqytetit.


Liridon Llapashtica, kryeshef i ndërmarrjes e cila menaxhon me Pishinën e Gërmisë, ka bërë të ditur për Telegrafin se tashmë janë bërë përgatitjet që Pishina e Gërmisë të hapet më 12 qershor.

“Më 12 qershor, në ditën e Çlirimit të Prishtinës, planifikojmë të hapet pishina, por kjo do të varet edhe nga kushtet atmosferike”, ka thënë Llapashtica.

Llapashtica ka treguar se si rezultat i situatës me pandeminë, rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik do të zbatohen në tërësi.

Kujtojmë se vitin e kaluar kjo pishinë ishte hapur me një muaj vonesë për shkak të pandemisë, ndërsa edhe numri i personave të lejuar brenda saj ishte i limituar, ndërsa këtë vit pritet të nis sezoni normal i saj. /Telegrafi/