LAJMI I FUNDIT:

Piktorët e Pompeit

Piktorët e Pompeit

Nga: Roberto Serra / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Museo Civico Archeologico di Bologna paraqet Piktorët e Pompeit – një ekspozitë me mbi 100 afreske të rralla, ku pothuajse gjysma nuk janë larguar kurrë nga Napoli qëkur u gërmuan në shekullin XVIII. Ekspozita qëndron hapur deri në mars 2023, në Bolonjë.


Ekspozita rikthen fokusin tek piktorët: artistët dhe zejtarët që krijuan dekorimet e mureve në shtëpitë e Pompeit, Herkulaneumit dhe zonës tjetër vezuviane.
Dihet shumë pak për piktorët dhe veprat e tyre artistike janë shpeshherë të panënshkruara.
Qëkur u zbuluan nga gërmimet e Burbonëve, artefaktet janë dëshmi e vlefshme piktoreske e jetës vezuviane.
Ekspozita synon të kontekstualizojë rolin e piktorëve, duke nxjerrë në pah teknikat, mjetet, ngjyrat dhe modelet e tyre. Nëpërmjet pasurisë së imazheve – të ruajtura pas shpërthimit në vitin 79 të erës sonë – është e mundur të dallohen shijet dhe vlerat e klientëve të ndryshëm.
Kryeveprat nga domusët e ndryshëm (banesat e lashta romake, të famshme për dekorimet e bukura të mureve nga të cilat shpeshherë kanë marrë emrin) shfaqen në Bolonjë.
Ekspozita do të shfaq veprat nga Shtëpia e Poetit Tragjik dhe Shtëpia e Dashurisë së Ndëshkuar të Pompeit, si dhe nga Vila e Fannio Sinistores në Boskoreale dhe Vila e Papirusit në Herkulaneum.
Vizitorët do të kenë njohuri nga përzgjedhja e gjerë e skemave kompozicionale, të njohura përgjatë periudhave të ndryshme të artit romak, duke vëzhguar sesi disa artistë ishin në gjendje të jepnin vizion origjinal të modeleve dekorative, që ndryshonte dhe përditësohej vazhdimisht në përputhje me modën dhe me stilet.
Temat përfshijnë përshkrime të gjalla të mysafirëve që priten, imazhe të sofistikuara të peizazheve, kopshteve dhe arkitekturës, si dhe rikrijime të skenave mitike
Ekspozita do të shfaq mjetet origjinale, teknikat e gjetura nga gërmimet e Pompeit, të cilat piktorët i përdorën për projektimin dhe ekzekutimin e veprave të tyre, si dhe gjësendet e vendosura nga romakët përbrenda dhomave.
Mjetet teknike përfshijnë gotat që janë ende të mbushura me ngjyra, që 2000 vjet më parë, pastaj katrorë, kompase, linja dhe vizatime përgatitore.
Objektet dekorative dhe funksionale janë paraqitur gjithashtu në afresket e ekspozuara, me paraqitje artistike të trikliniumeve (një kauç romak që shtrihet rreth tre anëve të një tavoline), llamba vaji, kana dhe vazo në përputhje me artefaktet e lashta të ruajtura të ekspozuara.
Këta elementë ndihmojnë në rindërtimin e dhomave pompeiane, të tillat si ato të Shtëpisë së Jasonit dhe afresket e mëdha spektakolare me relieve me llaç në Shtëpinë e Meleagerit, pasi ekspozita vihet në skenë përmes syve të piktorëve që do t’i rregullonin pikturat e tyre në kontekstin aktual në të cilin po punonin.
Me shumë vepra të pozicionuara dhe të ndriçuara për të pasqyruar vendosjen e tyre në banesat e tyre origjinale, konfigurimi ilustron lidhjen e një vepre arti me mjedisin e saj si rezultat i mesazheve të marra me kujdes.
Sipas fjalëve të kuratorit të ekspozitës, Mario Grimaldi: “Nëse piktorët klasikë grekë konsideroheshin ‘pronë e universit’ nga Plini Plaku, bashkëkohësit e tyre romakë të pikturës ishin mjeshtër të aftë. Piktura u transferua në punën e të liruarve, skllevërve, grave dhe njerëzve të paaftë për jetën politike dhe ushtarake”.

/Telegrafi/