LAJMI I FUNDIT:

Pezullimi i Ligjit të Pagave nuk i zgjidh pasojat kostos së lartë buxhetore

Pezullimi i Ligjit të Pagave nuk i zgjidh pasojat kostos së lartë buxhetore

Vendimi për pezullimin e Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese nuk i zgjidh pasojat e kostos mjaft të lartë të këtij Ligji, i cili përkeqëson situatën buxhetore, si dhe ndalon investimet publike ose fut vendin në borxh publik.

Kështu u tha sot në debatin “Pagat në sektorin publik në Kosovë dhe implikimet e mundshme në stabilitetin makro-fiskal dhe kohezionin”, organizuar nga Instituti Riinvest.


Muhamet Mustafa nga Riinvest, tha se Ligji i ri për Paga përkeqëson situatën buxhetore, andaj ka ndikime në trendin e rritjes së borxhit publik që mund të krijojë problemeve në stabilitetin makro-fiskal, teksa shtoi se qeveria e re pikërisht do ta ketë këtë problem të pagave.

“Kur kostoja e pagave është tepër e lartë, qeverisë i mbeten instrumentet ose të dëmtojë sektorë të caktuar me rëndësi vitale, siç janë arsimi, shëndetësia dhe investimet publike ose të futet borxh. Për borxhin publik kemi parë një trend shumë dinamik të rritjes së borxhit të brendshëm, edhe pse ende pjesëmarrja e borxhit në PBB-në nuk është kritike. Mirëpo, një trend i tillë përkeqëson këto raporte dhe mund të krijojë probleme në stabilitetin makro-ekonomik. Prandaj, Qeveria e re që vjen tash një nga problemet më të rënda me të cilat do të ballafaqohet është pikërisht ky problem”, tha Mustafa.

Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në Riinvest, tha se vendimet për rritje të pagave kanë krijuar dallime të mëdha me pagat e sektorit privat dhe se Ligji i ri nuk ka bazë për “punë të njëjtë, pagë të ngjashme”.

Hashani tha se mbi 40 për qind është dallimi i pagës mesatare në sektorin publik me atë të sektorit privat.

Ai ngriti shqetësimin e tij për pagat e larta të deputetëve të Kosovës, që janë më të larta se në vendet e rajonit.

Pezullimi i Ligjit për Paga ngjall reagime politike dhe veprime sindikale
Lexo po ashtu Pezullimi i Ligjit për Paga ngjall reagime politike dhe veprime sindikale

“Kosova ka përqindje të lartë të pagave në buxhet dhe në raport me vendet rajonale ajo prinë e pasuar vetëm prej Malit të Zi, e të tjerat kanë nivel më të ulët, ndërsa në vitin 2020 kjo pjesëmarrje arrin në 31 apo 32 për qind të buxhetit. Krahasuar me shpenzimet kapitale nuk e kalojnë 26 përqindëshin. Te rasti i deputetëve, paga prej 1 mijë e 912 euro si pagë bazë e deputetëve në Kosovë është më e larta se në vendet e rajonit, është gati dyfishi i mesatares. Madje, në qoftë se i krahasojmë këto paga në raport me pagën minimale të vendeve respektive rezulton se në Kosovë paga e deputetit është 11.25 herë më e lartë se paga minimale gjë që është më shumë se 2.5 herë se sa ky proporcion me vendet tjera të rajonit”, deklaroi Hashani.

Hashani përmendi edhe statistikat mbi implikimet e këtij ligji për stabilitetin makro- fiskal, sipas të cilit, ky ligj do të ndikojë në masën e rritjes së pagave gjykuar sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve në vitin 2020 do të rriten midis 5,4 për qind deri 11,2 për qind, e në rastin ekstrem, nëse masa e pagave arrin 730 milionë euro, rritja do të jetë 17,7 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Kjo sipas Hashanit do të zvogëlojë hapësirën për rritjen e buxhetit për destinimet e tjera, në veçanti për investimet kapitale, investimet në arsim, shëndetësi dhe rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë.

Drejtori ekzekutiv i Riinvestit tha se numri i madh i shërbyesve civil të Kosovës është i madh që ka pësuar rritje në vazhdimësi. Përderisa në vitin 2010 kanë qenë 77 mijë shërbyes civilë në vitin 2019 janë 85 mijë e 963 ose një rritje e shërbyesve civili, siç tha Hashani, më shumë të përshpejtuar se sa rritja e popullsisë.

Ai komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, pezullimi i ligjit të pagave nuk i zgjidh pasojat.

“Sa i përket çështjes së suspendimit kjo as nuk e zgjidh problemin, as nuk merret realisht me problemin. Problemi veçse ekziston, ne po e trajtojmë logjikën përmes së cilës është ardhur ky ligj në fuqi dhe tash po merrem me pasojat. Pasojat janë që është suspenduar përkohësisht me gjasë gjykata shpejt do të merr vendim lidhur me këtë çështje, mirëpo nuk po zgjidhet problem. Problemi ekziston, po merremi me pasojat”, tha Hashani.

Edhe Berat Thaçi nga Instituti GAP, theksoi se rritja e pagave rrezikon rritjen e tatimeve dhe koston e jetës së atyre që janë në shkallën e varfërisë.

“Skenar tjetër është që të ulen investimet ose do të kemi rritje të taksave. E në këtë rast, nëse e dëshiron qeveria këtë skenar më së shumti me gjasë do të rritet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, tatim të cilin do ta paguajnë qytetarët. Pra, do të shtrenjtohet kostoja e jetës dhe ne si shoqëri për t’i mbajtur pagat e larta të atyre që punojnë në sektor publik do të detyrohemi t’i varfërojmë të gjithë ata që janë jashtë sektorit publik. Kostoja e jetës do të rritet edhe për ata që jetojnë në kufirin e varfërisë apo që të janë të varfër”, deklaroi Thaçi.

Ndër rekomandimet nga debati ishte që Kuvendi dhe Qeveria duhet të vlerësojnë saktë efektet e Ligjit të ri mbi pagat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të evituar ndikimin e tij negativ në stabilitetin buxhetor. /KP/Telegrafi/