LAJMI I FUNDIT:

Petroviq : SLS mbështet ministren Zhiviq, më eksperte se ministrat e Listës Serbe

Petroviq : SLS mbështet ministren Zhiviq, më eksperte se ministrat e Listës Serbe

Partia e Pavarur Liberale Serbe (SLS) i ka dhënë mbështetje të plotë Dijana Zhiviq si ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në detyrën e saj të re, pas shkarkimit të Nenad Rikalos nga Lista Serbe.

Kryetari i SLS-së, Sllobodan Petroviq në një konferencë për media ka bërë të ditur se emërimi i Zhiviqit në këtë detyrë është bërë me propozim të tij, duke thënë se me këtë emërim është rregulluar një padrejtësi ndaj kësaj partie që të udhëheqë me të paktën një ministri.


Ai ka folur edhe rreth reagimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili me rastin e emërimit të Zhiviq kishte thënë se kryeministri Ramush Haradinaj ka emëruar “serbë privatë” në ministritë e tij.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e di se SLS është parti parlamentare dhe SLS është parti parlamentare që 12 vjet në kontinuitet dhe SLS është partia më e vjetër në Kosovë, e cila mbledh serbët e Kosovës dhe si e tillë në vitin e 13 jemi politikisht aktiv në Kosovë është normale të jemi pjesë e qeverisë sikurse viteve të kaluar dhe nuk ka arsye të zemërohet dikush. Është interesante nga këto që kemi dëgjuar se ministri i Mbrojtjes Vulin, i cili thotë se Zhiviq është organizatore dhe pjesëmarrëse e protestës një prej pesë milion në Graçanicë. Çfarë të themi? Qëndroj këtu para jush dhe them me sinqeritet se nëse Zhiviq është organizatore ose pjesëmarrëse, unë dhe Zhiviq do të japim dorëheqje dhe do të mbyllim partinë”, ka thënë Petroviq.

Ai ka akuzuar Listën Serbe për përhapje të gënjeshtrave të ndryshme ndaj ministres Zhiviq, duke thënë se një gjë e tillë është e turpshme, ndërsa është zotuar se MBPZHR do të jetë ministri e të gjithëve dhe se do të punohet në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.

“Kjo ministri do të jetë transparente dhe nuk do të ketë keqpërdorime. Për këtë mund të jem garantues unë dhe partia”, tha Petroviq.
Ai tha se këtë pozitë në Qeveri nuk do ta përdorin për t’u hakmerr ndaj Listës Serbe.

Kreu i SLS-së ka hedhur poshtë pohimet se ministrja Zhiviq nuk është eksperte në resursin që ajo drejton, duke thënë se ka pasur rezultate të shumta pozitive në këtë fushë.

“Nëse më pyetni për ekspertizë, Dijana Zhiviq është 50 herë më eksperte dhe e kualifikuar sesa ndonjë ministër që ka propozuar Lista Serbe”, tha ai.
Ai foli edhe rreth bojkotit të Listës Serbe në Parlament dhe kthimit të tyre të mundshëm.

“Ata që bojkotojnë është zgjidhja e tyre. Gjithmonë kam qenë kundërshtar i zgjidhjeve të lehta. Kjo është zgjidhja që aktualisht zgjidh problemet afatgjata. Nuk jam prej atyre që mbështesin këtë politikë. SLS nuk ka qenë kurrë në këtë”, tha Petroviq.

Kreu i SLS ka folur edhe rreth ndalimit të tij kohë më parë nga BIA serbe, duke thënë se kjo mund të ketë qenë pjesë e presioneve që kjo parti të mos jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës në rast se Lista Serbe del nga koalicioni qeverisës.

Ai ka folur edhe rreth idesë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur qëndrimin e mëhershëm të partisë që ai drejton se është kundër çdo ndarje, ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë do të thotë delimitimi.

Ndryshe, në këtë konferencë nuk mori pjesë ministrja Zhiviq, mos pjesëmarrjen e cilës kreu i SLS-s Sllobodan Petroviq e arsyetoi me aktivitetet e saj të shumta në detyrën e re. /KP/Telegrafi/