Në mesnatë është mbyllur afati i dorëzimit të kandidaturave për kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri.

Përballë kryetarit aktual Lulzim Basha i cili kërkon një mandat të tretë, janë 4 kandidatë të tjerë. Basha u përball me një sërë kritikash për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat pas 8 vitesh e lanë sërish në opozitë Partinë Demokratike dhe refuzoi të jepte dorëheqjen duke i cilësuar zgjedhjet një “masakër elektorale”.

Ndërsa, strukturat drejtuese vendosën hapjen e garës për kreun e ri të partisë dhe zhvillimin e votimit sipas parimit një anëtar një votë, në 13 qershor duke lënë një periudhë të shkurtër kohore, pak më shumë se dy javë (24 maj – 11 qershor) për zhvillimin e fushatës.

I pari që njoftoi vendimin për të kandiduar ishte anëtari i Kryesisë Fatbardh Kadilli. Ai drejtoi gishtin e përgjegjësisë për humbjen, mbi kryetarin Basha dhe foli për nevojën e një opozite të re.

Pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij, Kadilli u shpreh se, “është një moment shumë i rëndësishëm në PD, është një moment kthese., ndonëse është një garë asimetrike sa i përket mjeteve në dispozicion të kandidatëve. Ne kemi kryetarin që nuk del nga zyra. Por ka dhe një asimetri tjetër, është asimetria morale në të cilën ndjehem shumë herë më superior. Vij në këtë garë dhe ballafaqohem me vlerat, zotësinë për të mbajtur fjalën e dhënë, aftësinë e demonstruar në 30 vite për të qenë besnikë me institucionin e PD-së. Jam njeriu që kam kontribuar me pastërti, e nuk do të tradhtoj asnjë nga demokratët edhe në këtë proces”.

Pas tij vetëm, vetëm një ditë më parë ishte Edit Harxhi, e mbështetur nga grupimi “Për PD-në” që gjithashtu ka kërkuar largimin e Basha.

“Uroj shumë që gjithçka të shkojë siç duhet, pavarësisht se jo gjithçka është bërë sipas rregullave të lojës. Duhet të jetë një garë e hapur, transparent dhe e barabartë. Deri tani nuk është një garë e tillë. Shpresojmë shumë që PD të kthehet në vlerat e konkurrencës së barabartë dhe të transparencës. Ajo çka unë ofroj si kandidate, është një reformim i thellë i PD mbi idealet e vitit 1990-1991. PD ka nevojë për një fillim të ri sa më parë”, tha Harxhi.

Po nga grupimi “Për PD-në” ka kandiduar dhe Ibsen Elezi, sipas të cilit “vetëm me dorëheqjen e Bashës mund të ketë garë të barabartë. Kandidatët për kryetar duhet të kenë përfaqësues në komisionin zgjedhor”.

Në garë u përfshi dhe Agron Shehaj, një figurë e ardhur nga bota e biznesit dhe i përfshirë 4 vjet më parë në Partinë Demokratike.

Shehaj e njoftoi vendimin përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se për të kaluar gjendjen e vështirë ku ndodhen.

“Demokratët kanë nevojë për një vizion dhe drejtim të ri. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime”, ka theksuar Shehaj. /VoA/