LAJMI I FUNDIT:

Pesë arsye për të shkuar në Berat këtë fundjavë

Pesë arsye për të shkuar në Berat këtë fundjavë

Berati duket sikur po merr gjithmonë e më shumë vëmendjen e munguar. Një nga qytetet më të rekomanduar nga të gjitha agjencitë ndërkomëtare turistike, Berati është krenaria e arkitekturës shqiptare.

Qyteti ndërthur në mënyrë harmonike kulturën perëndimore me atë lindore dhe dëshmon më së miri traditën e harmonisë fetare në vend. Vetëm 90 minuta larg nga Tirana, një fundjavë në Berat do t’ju ofroj; ushqim të shijshëm, akomodim të lirë, mikpritje dhe histori.


Kthehuni të frymëzuar dhe me energji të reja pasi të keni vizituar këto vende në qytetin e bardhë (në mesjetë Berati njihej me emrin “Bel(i)grad”, qyteti i bardhë).

Kalaja

Lagjja brenda mureve të kalasë është ende e banuar. Nëse do të ecni këtu mos u çudisni ta gjeni veten në oborrin e dikujt, duke menduar se është kishë (rreth 40 kisha mendohet të kenë ekzistuar brenda në kala). Në pranverë dhe verë aroma e kamomilit përhapet në të gjithë lagjen e kalasë.

Një piknik nën hijen e pishave dhe me peizazhin e lagjes Goricë, do të ishte një mënyrë e mirë për t’u çplodhur, pasi të keni ecur në rrugët e pjerrëta me kalldrëm.

Muzeu i Onufrit

Kalaja tradicionalisht ka qenë lagje ortodokse, por shumë pak kisha kanë mundur t’i qëndrojnë kohës. Kisha më e madhe është “Fjetja e Shën Mërisë”, aty ku është vendosur edhe Muzeu i Onufrit.

Daton prej 1797 dhe është ndërtuar mbi themelet ekzistuese të një kishe të shek. X. Veprat e Onufrit janë të ekspozuara këtu.

Mangalemi

Kompleksi i lagjes “ Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendur në dru e gurë; është emblema e Beratit.

Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”.

Gorica

Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjja Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780 e lidh me pjesën tjetër të qytetit.

Vizitorëve u tërheqin vëmendjen rrugicat intime, me errësirën e tyre duket sikur sfumojnë godinat e lagjes.

Muzeu Etnografik

Sapo zbret nga kalaja është muzeu etnografik, i vendosur në një shtëpi karakteristike të stilit otoman, ndërtuar në shek. XVIII.

Në katin e parë, ashtu si në një ekspozitë janë vendosur veshjet tradicionale, mjetet e përdoruara nga argjendarët dhe endësit. Ndërsa në katin e sipërm ndodhen dhomat e gjumit, kuzhina dhe dhoma e mysafirëve, rregulluar në stilin tradicional.