Shtatë persona, përfshirë pesë shtetas amerikanë, kanë vdekur pasi një helikopter safari u rrëzua të mërkurën në mëngjes në një zonë të thellë të veriut të Kenias.

Helikopteri u rrëzua rreth orës 09:13, gjatë fluturimit nga rezervati Loisaba Conservancy drejt zonës Ewaso Nyiro në qarkun Samburu. Në bord ndodheshin shtatë persona – gjashtë pasagjerë dhe piloti.


Policia lokale konfirmoi se të gjithë personat në bord humbën jetën. Autoritetet e aviacionit civil të Kenias kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se pesë nga viktimat ishin shtetas amerikanë.

“Ambasada amerikane është në kontakt me autoritetet lokale dhe po ofron asistencë konsullore”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Mes viktimave ishte edhe José Suárez, 55 vjeç, president dhe menaxher i përgjithshëm i disa stacioneve të rrjetit televiziv Telemundo në Florida.

“Jemi të pikëlluar kur mësuam lajmin tragjik se José humbi jetën në një aksident me helikopter në Kenia”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të drejtuesve të NBC Universal dhe Telemundo, raporton The Guardian.

Po ashtu, në aksident humbi jetën Michele Sensi-Contugi, drejtori i Qendrës Kombëtare të Inteligjencës së Ekuadorit. Ai ndodhej në Kenia si turist së bashku me bashkëshorten e tij, Stephany Hollihan Vasconez, e cila gjithashtu vdiq në aksident. Ajo kishte shtetësi amerikane dhe ekuadoriane.

Çifti ka lënë pas dy fëmijë.

Helikopteri u rrëzua në një zonë të vështirë malore, në rrëzë të malit Ololokwe, një destinacion i njohur turistik në Kenia. Helikopteri ishte në pronësi të kompanisë lokale Lady Lori Helicopters dhe po kryente një fluturim charter për turistët e kompanisë së udhëtimeve +Beyond.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kenias bëri të ditur se bëhej fjalë për një helikopter të tipit Eurocopter EC130 B4.

Kompania Tropic Air Kenya, e cila operon në fushën e safarive, dërgoi dy helikopterë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Kenia është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe përdor gjerësisht transportin ajror për të dërguar turistët në zona të largëta. Megjithatë, aksidentet me helikopterë janë raportuar me një frekuencë në rritje.

Në shkurt të këtij viti, gjashtë persona, përfshirë një deputet, humbën jetën pasi një helikopter u rrëzua në një zonë kodrinore të Kenias perëndimore.