LAJMI I FUNDIT:

Përveç masave të reja anti-COVID, Qeveria miratoi sot edhe katër projektligje

Përveç masave të reja anti-COVID, Qeveria miratoi sot edhe katër projektligje

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar katër projektligje dhe masat e rejat për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës thuhet se në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territoret e shteteve përkatëse.


Gjithashtu është miratuar Projektligji  për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore i cili përcakton rregullat e parimeve kryesore dhe procedurave të huamarrjes shtetërore, emetimit të garancive shtetërore, pagesave të kryegjësë dhe interesit për borxhin shtetëror, pagesat e garancive shtetërore të thirrura si dhe shpenzimeve tjera të ndërlidhur me to.

Është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit. Marrëveshja i siguron Kosovës një kredi në vlerë prej njëzetepesë milionë e njëqind mijë euro (25,100,000 €)  për të asistuar në financimin e projektit.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Programin Shkëmbimit Akademik Fulbright.

Në mbledhjen e sotme  Qeveria ka miratuar vendimin për Kalendarin vjetor të përkthimit të acquis të Bashkimit Evropian në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ky kalendar do të publikohet në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit dhe lista e akteve të BE-së do të procedohet për përkthim. Gjatë përgatitjes së këtij Kalendari janë konsultuar departamentet ligjore të ministrive dhe Komisioni Teknik për Koordinimin e përkthimit të legjislacionit të BE-së, bazuar në Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për krijimin e Komisionit Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe.

Qeveria po ashtu ka miratuar edhe kalendarin e aktiviteteve për vitin 2022, vit i shpallur si “Viti i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës” nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Më tej në mbledhjen e sotme është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 5 qershor 2018, për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror. Sikurse është anuluar edhe vendimi i Qeverisë i datës 11 qershor 2019, në bazë të së cilit ishte miratuar rekomandimi i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes për ristrukturimin e disa pozitave në këtë ministri.

Kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore për të mundësuar harmonizimin e ndarjeve buxhetore në kategorinë e pagave dhe shtesave për muajin nëntor të viti 2021, ka marrë miratimin e Qeverisë në këtë mbledhje.

Kabineti qeveritar i ka rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare:

-Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim për Projektin e trajtimit të ujerave të zeza në Mitrovicë.

-Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për zhvillimin e Projektit të zhvillimit të impiantit për ujërat e zeza në Mitrovicë.

Njësoj ka vepruar edhe për dhënien e autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Konfederatën e Zvicrës.

Në fund, kabineti qeveritar në mbledhje është informuar edhe për mbledhjen e IV të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, e cila do të mbahet me 7 dhjetor 2021 në Bruksel, thuhet në njoftimin e Qeverisë. /Telegrafi/