LAJMI I FUNDIT:

Përurohet Ura e restauruar e Tabakëve

Përurohet Ura e restauruar e Tabakëve

Katër muaj punë rindërtimi dhe rinovimi intensiv të Urës së Tabakëve në Gjakovë arritën në përfundim.

Ura e Tabakëve është një perlë e arkitekturës osmane, ndërtimi i të cilës u përfundua në vitin 1751. Urën e ndërtuan zejtarët vendas duke përdorur material ndërtimi të marrë nga rrethina e afërt.


Sipas rrëfimeve historike, ideja për ndërtimin e urës erdhi nga një grup mjeshtërish të lëkurave, të cilët menduan se ura ishte një domosdoshmëri që do t’ju mundësonte transportin më të lehtë të produkteve të tyre për në Selanik.

Punimet e rinovimit përfshinë instalimin e rrjetit elektrik dhe sistemin e ndriçimit të urës, ndërtimin e shëtitores dhe vendkalimeve, trajtimin e bregut të lumit me gurë, instalimin e dritave në të gjithë parkun, dhe muralet.

Pamja e re u mundësua falë projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, i financuar nga Instrumenti i BE-së që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (IcSP/BE).

Gjatë 18 muajve të fundit, projekti ka përfunduar 16 segmente të projektit duke restauruar dhe rinovuar vendndodhje të trashëgimisë kulturore dhe fetare në tërë Kosovën.

Ky segment i veçantë i projektit u financua gjithashtu edhe nga Komuna e Gjakovës duke forcuar ndjeshëm partneritetin lokal.