Përurohet qendra për të moshuarit, kuzhina humanitare dhe bujtina për studentë në Gjilan

Në Gjilan është inauguruar qendra për të moshuarit, kuzhina humanitare dhe bujtina për studentë, si projekt i përbashkët i Komunës së Gjilanit dhe organizatës Jetimat e Ballkanit.
Në ceremoninë përuruese morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Krenare Latifi Kçiku, ministri për Familje, Punë dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, humanisti dhe hoxha Halil Kastrati, përfaqësues të institucioneve tjera dhe qytetarë.

Sipas njoftimit, investimi përfshin tri komponentë kryesorë: qendër ditore për të moshuar, kuzhinë humanitare dhe bujtinë për studentë, me qëllim ofrimin e shërbimeve sociale dhe mbështetjes për kategoritë në nevojë.
Objekti i ri pritet të shërbejë si hapësirë multifunksionale për qytetarët, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe fuqizimin e përkrahjes sociale në komunë. /Telegrafi/























































