LAJMI I FUNDIT:

​Përurohet projekti i sistemit diellor të qative dhe stacionit të karikimit të automjeteve elektrike në kryeqytet

​Përurohet projekti i sistemit diellor të qative dhe stacionit të karikimit të automjeteve elektrike në kryeqytet

Në Parkun e Gërmisë është bërë përurimi i projektit të sistemit diellor të qative dhe stacionit të karikimit të automjeteve elektrike, projekt i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian dhe Gjermania cili ka për qëllim të bëjë reduktimin e emetimeve të karbonit dhe promovimit të burimeve të energjisë së ripërtritshme në rajon.

“Parkingu Solar Prishtina” është një sipërmarrje novatore, që paraqet instalimin e rreth 36.4 kW të paneleve fotovoltaike solare. Ky projekt largpamës parashihet të reduktojë emetimet e CO2 me përafërsisht 44.7125 ton në vit, duke vendosur një pikë referimi për praktikat e qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Me këtë rast, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu derisa ditën e sotme e ka vlerësuar si ikonike për Prishtinën, ka thënë se me këtë projekt kryeqyteti po e nis një frymë të gjelbër që do të reflektohet në shumë ndërtesa e hapësira komunale.

“Prishtina i gëzohet këtij projekti për shkak se e nis një frymë të gjelbër, një frymë të një energjie të ripërtritshme që do të reflektohet në shumë ndërtesa, hapësira komunale të kryeqytetit, për t’i dhënë mundësi energjisë së ripërtritshme që të zëvendësojë një energji tjetër e cila na qon tek dioksidi i karbonit e që nuk është qëllimi jonë zhvillimor i së ardhmes. Shumë hapësira tona, shkolla, çerdhe, shumë jetike për zhvillimin tonë shoqëror do të mund të ishin pjesë e një qasje të tillë që do t’i shërbenin qytetarëve dhe shëndetit tonë publik në kryeqytet”, tha Lushaku-Sadriu.

Edhe udhëheqësja e Seksionit Politik në BE në Kosovë, AnnaCarin Platon ka thënë se ky projekt ka kapacitet të mjaftueshëm sa i përket ndriçimit të Parkut të Gërmisë, e po ashtu mirëmbajtjes së parkut.

Platon tha se projekti është pjesë e përkrahjes tetë milionëshe sa i përket tranzicionit së energjisë në Ballkanin Perëndimor së bashku me Qeverinë Gjermane, teksa shtoi se BE është duke punuar shumë ngushtë me Kosovën që të bëhet zhvillimi i reformave të agjendës në Planin e Gjelbër.

“Ky projekt i vogël në madhësi ka kapacitet të mjaftueshëm sa i përket ndriçimit të Parkut së Gërmisë e po ashtu mirëmbajtjes së parkut. Në te njëjtën kohë ka mundësi edhe mbushje të veturave elektrike, po ashtu ka mundësi të furnizojë me ndriçim edhe pishinën e Gërmisë. Projekti është pjesë e përkrahjes tetë milionëshe sa i përket tranzicionit së energjisë në Ballkanin Perëndimor së bashku me Qeverinë Gjermane. Ne jemi duke e përkrahur Kosovën sa i përket efiçiencës së energjisë duke e bërë renovimin e ndërtesave. Po ashtu kemi zhvillime të energjisë së ripërtritshme, fuqizimi i rrjetit elektrik dhe infrastruktura sa i përket nxehjes qendrore. BE është duke punuar shumë ngushtë me Kosovën që të bëhet zhvillimi i reformave të agjendës në Planin e Gjelbër, i cili do të shpejtojë zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet investimeve të ndryshme në sektor të ndryshëm përfshirë energjinë dhe ndryshimet klimatike”, tha Platon.

Në anën tjetër, udhëheqësja për Bashkëpunim në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, Vera Baumann ka thënë se do të japin kontribut dhe punojnë në drejtim të Agjendës së Gjelbër.

“Jam e kënaqur që jemi së bashku në programet e tilla dhe jemi shembull se si autoritetet lokale mund të veprojnë në mbrojtjen e klimës dhe përmirësimin e shërbimeve tek qytetarët…Do të mundohemi të punojmë së bashku në procesin e Berlinit, po ashtu të punojmë me Agjendën e Gjelbër dhe marrëveshjen e Parisit, dhe natyrisht punojmë së bashku ta bëjmë rrugën e dekarbonizimit dhe natyrisht ta kemi Agjendën e Gjelbër”, tha Baumann.