Nga: Roger Scruton
Përktheu: Enkeleda Suti
Nëse në çdo kohë ndërmjet periudhës 1750 dhe 1930, do të pyesnit njerëzit e kulturuar të përshkruanin qëllimin e poezisë, artit dhe të muzikës; ata do t’ju përgjigjeshin: e bukura. Dhe, nëse do t’i pyesnit se përse e bukura – ata do t’ju përgjigjeshin sepse e bukura është një vlerë po aq e rëndësishme sa e vërteta dhe e mira.
Më pas, në shekullin e 20-të, e bukura ndaloi së qeni e rëndësishme. Në shekullin e 20-të, arti synonte kryesisht të shkaktonte shqetësim dhe të thyente tabutë morale. Si i tillë, arti nuk kishte më të bënte me të bukurën, por me origjinalitetin, pavarësisht se si arrihej kjo dhe kostove morale. Jo vetëm që arti e ka bërë të shëmtuarën kult, por edhe arkitektura po ashtu mbetet sterile.
Lexo po ashtu nga Roger Scruton
– E vërteta e nacionalizmit
– Çfarë është njeriu dhe pse ai nuk është kafshë?
Sot, nuk janë të shëmtuara vetëm gjërat që na rrethojnë, por edhe gjuha, muzika dhe sjelljet tona janë të ashpra, të vetqendërsuara dhe egoiste, athua se e bukura dhe shija e mirë nuk kanë më vend në jetën tonë. Mbi këto gjëra shkruhet me të madhe vetëm një fjalë dhe ajo fjalë thotë: Unë! – përfitimet e mia, dëshirat e mia, kënaqësitë e mia!
Dhe, artit si ka mbetur asnjë përgjigje mbi ketë veçse të thotë: “Po, jepi! Vazhdo!”
Unë mendoj se ne po e humbasim të bukurën dhe rreziku që rrjedh nga kjo humbje është se bashkë me të bukurën ne do të humbasim kuptimin e jetës.
Unë jam Roger Scruton, filozof dhe shkrimtar. Profesioni im është të bëj pyetje? Gjatë viteve të fundit kam bërë pyetje mbi të bukurën. E bukura ka qenë thelbësore për civilizimin tonë për thuajse 2000 vjet.
Që nga fillimi i saj, në Greqinë e lashtë, filozofia është marrë me vendin që zë e bukura në art, muzikë, arkitekturë dhe në jetën tonë të përditshme. Filozofët kanë argumentuar se, nëpërmjet kërkimit të së bukurës ne i japim formë botës si një të tërë. Kjo na ndihmon gjithashtu për të kuptuar vetë natyrën tonë dhe qenien tonë shpirtërore.
Por, bota jonë ia ka kthyer krahët së bukurës. Dhe, për shkak të kësaj ne gjendemi të rrethuar nga shëmtia dhe asgjësimi. Unë dua t’ju bind mbi rëndësinë e së bukurës, se ajo nuk është vetëm diçka subjektive, por një nevojë universale e qenies njerëzore. Nëse ne ia mohojmë vetes këtë nevojë atëherë gjendemi në një shkretëtirë shpirtërore.
Unë dua t’ju tregoj rrugën se si të dilni nga kjo shkretëtirë. Dhe, ajo është një rrugë që ju çon në shtëpi.
Artistët e mëdhenj të së shkuarës ishin të ndërgjegjshëm mbi kaosin dhe vuajtjet e mëdha në jetën e njeriut. Por, ata kishin një zgjidhje për këtë dhe kjo zgjidhje ishte e bukura.
Veprat e bukura të artit ofrojnë ngushëllim në kohë vuajtjesh dhe afirmim në kohë gëzimi. Ato na tregojnë se jeta ia vlen të jetohet!
Shumë nga artistët modernë janë të shqetësuar nga kjo detyrë e shenjtë që ka arti në jetët tona. Ata mendojnë se thjeshtësia e jetës së përditshme nuk mund të shpjegohet.
Por, në vend të kësaj, ato duhet të shfaqen përpara publikut. Ky model është vendosur një shekull me parë nga artisti francez Marcel Duchamp, i cili nënshkroi një pishuar nën firmën fiksive si R. Mutt (1917), dhe e paraqiti atë në një ekspozitë. Gjesti i tij ishte satirik dhe kishte si qëllim të përqeshte botën e artit dhe snobizmin që ecën krahë për krahë me të. Por, ky gjest i Duchampit është interpretuar në një mënyrë tjetër për të thënë se çdo gjë mund të jetë art, si p. sh., një dritë që fiket dhe ndizet, një kanaçe konservë me jashtëqitje njeriu; madje, edhe një rresht me tulla. Kështu, arti nuk ka me asnjë status të shenjtë. Ajo nuk na ngre më në një nivel më të lartë moral dhe shpirtëror. Por, thjesht një gjest njerëzor ndaj një tjetri.
Dikur arti ngrinte kultin e së bukurës, ndërsa tani kemi kultin e të shëmtuarës. Duke qenë se, në kohët në të cilat jetojmë bota është shqetësuese edhe arti duhet të jetë i tillë, shqetësues. Ata që kërkojnë për të bukurën në art, janë jashtë realitetit modern të kohës ku jetojmë. Ndonjëherë qëllimi është që ai, arti, të na shokojë. Por, ajo që përbën shok herën e parë, bëhet e mërzitshme nëse përsëritet. Kjo e ka kthyer artin në një shaka që dikur mund të ishte edhe argëtuese.
Por, arti krijues nuk arrihet thjesht në këtë mënyrë, pra duke pasur një ide. Tani sigurisht që idetë mund të jenë interesante dhe argëtuese, por kjo nuk do të thotë se ajo, ideja e meriton termin art.
Nëse një vepër arti nuk është më shumë sesa thjesht një ide, atëherë çdo njeri mund të jetë artist dhe çdo objekt mund të jetë një vepër arti. Si e tillë, nuk ka më nevojë për aftësi, shije apo krijimtari.
Veprat e Duschampit vazhdojnë të ndikojnë rrugën e artit bashkëkohor sot. Pra, arti i sotëm na e tregon botën ashtu siç është, ajo që është këtu dhe tani dhe të gjitha anët e saj të papërsosura. Por, a është rezultati me të vërtetë art? Sigurisht që diçka nuk është vepër arti vetëm sepse ajo ofron një pjesë të realitetit, duke përfshirë edhe shëmtinë në të.
Arti ka nevojë për krijimtari dhe krijimtaria ka të bëje me ndarjen e gjërave duke i bërë thirrje të tjerëve që ta shikojnë botën ashtu siç e shikon artisti. Kjo është arsyeja përse ne gjejmë bukuri në artin naiv të fëmijëve.
Fëmijët nuk janë duke u përpjekur të na paraqesin ide, por të na tregojnë se si e shikojnë ata botën dhe që të ndajnë me të tjerët atë që ata ndjejnë. Diçka e ngjashme me kënaqësinë e dëlirë që gjendet tek fëmijët gjendet tek çdo vepër e vërtetë arti.
Por, vetëm krijimtaria nuk mjafton. Aftësitë e artistit kërkojnë që ai të jetë në gjendje të tregojë të vërtetën nën dritën e idealit, duke e transformuar atë. Këtë ka arritur Michelangelo në portretin e tij të madh të Davidit. Dhe, kur shikojmë kopje të derdhura të Davidit, ato nuk janë fare të bukura sepse atyre u mungon substanca kryesore që është vet krijimtaria.
Diskutimet me të cilat jam marrë unë janë të rrezikshme. Në kulturën tonë demokratike, shpesh njerëzit mendojnë se është kërcënuese që të gjykosh shijen e dikujt tjetër. Disa madje ofendohen nëse thua se ka një dallim midis shijes së mirë dhe asaj të keqe, ose që ajo që shikon ka rëndësi. Mbase njerëzit e kanë humbur besimin e tyre tek e bukura sepse ato kanë humbur besimin e tyre tek idealet.
Gjithçka që ekziston është vetëm bota e oreksit(eve). Nuk ka vlera të tjera përveç atyre utilitare. Diçka ka vlerë nëse mund të përdoret. Cili është në këtë rast përdorimi i së bukurës?! Oscar Wilde ka shkruar se “i gjithë arti është absolutisht i padobishëm”.
Për Wildein, e bukura kishte një vlerë shumë më të madhe sesa dobia. Njerëzit kanë nevojë për gjëra të padobishme; madje, edhe më shumë ngase ata kanë nevojë për gjërat e dobishme në jetët e tyre. Vetëm mendojeni! Cila është dobia e dashurisë, e miqësisë, e adhurimit? Asnjë! Atëherë, e njëjta gjë vlen edhe për të bukurën. Shoqëria jonë konsumatore vendos në vend të parë dobinë. E bukura s’është gjë tjetër veçse një efekt anësor.
Duke qenë se, arti është i padobishëm atëherë nuk ka rëndësi së çfarë lexon, çfarë shikon apo çfarë dëgjon. Nga çdo anë, jemi të rrethuar nga mesazhe të nxitura nga oreksi, i cili nuk plotësohet kurrë. Kjo është arsyeja përse e bukura po zhduket nga bota jonë.
Në botën e sotme një reklamë është më e rëndësishme sesa një vepër arti dhe shpesh veprat e artit përpiqen të kapin vëmendjen tonë në të njëjtën mënyrë siç bëjnë reklamat dhe duke na u paraqitur si të papërpunuara ose të paturpshme.
Ashtu si reklamat, edhe veprat e artit sot përpiqen që të krijojnë një markë edhe nëse ato s’kanë asnjë produkt për të shitur përveç vetes.
E bukura është një lundrim me dy drejtime; nga kulti i së shëmtuarës në art dhe nga kulti i dobishmërisë në jetën e përditshme.
Në botën e arkitekturës moderne, këto dy kulte bashkohen në një. Në fillim të shekullit të 20-të, arkitektët, në mënyrë të ngjashme si artistët, filluan që të ishin të paduruar me të bukurën, duke e zëvendësuar atë me dobinë. Arkitekti amerikan, Louis Sullivan, është shprehur se “forma duhet të jetë në funksion të dobisë”. Pra, mos mendoni se si duket një godinë, por filloni të mendoni se cili është qëllimi i saj; cilit qëllim i shërben?!
Doktrina e Sullivanit është përdorur për të justifikuar krimin më të madh kundër të bukurës që bota s’e ka parë ende. Dhe, ky është krimi i arkitekturës moderne. Por, nëse diçka është e shëmtuar atëherë ajo do ta humbasë dobinë sepse askush nuk dëshiron të jetojë apo punojë në një vend të shëmtuar.
Në vitet 1960-të, publiku filloi të reagonte kundër realitetit të shëmtuar të blloqeve prej betoni që lulëzuan në atë kohë, por arkitektët i zëvendësuan ato me një lloj tjetër ‘plehre’ si muret prej xhami, ndërtime prej çeliku apo detajet absurde të cilat nuk kanë asnjë lidhje. Kjo më bën t’i rikthehem shprehjes së Wildeit: Vendos dobinë të parën dhe do ta kesh humbur davanë, por vendos bukurinë të parën dhe e ke fituar atë përgjithmonë.
Pra, rezulton se asgjë nuk është me e dobishme sesa e padobishmja. Këtë gjë e ndeshim tek arkitektura tradicionale me detajet e saj. Ornamentet na çliruan nga tirania e dobisë dhe nevojën që ne kemi për harmoni.
Në një farë mënyre, diçka e tillë na bën të ndjehemi si në shtëpi pasi na kujton se ne jemi shumë më shumë sesa vetëm nevojat tona praktike. Ne nuk udhëhiqemi vetëm nga orekse kafshërore si ushqimi dhe gjumi, por ne kemi gjithashtu edhe nevoja morale dhe shpirtërore, dhe nëse këto nevoja nuk plotësohen po kështu të paplotësuar do të mbetemi edhe ne.
Ne e dimë se çfarë do të thotë që edhe në jetën e përditshme të ngazëllehemi nga gjërat që shikojmë nga bota e zakonshme e orekseve tona te sfera e ndriçuar e plotësimit, një rreze drite, një melodi e harruar, fytyra e dikujt që kemi dashur – këto janë gjëra të cilat na shfaqen në momentet më të papritura dhe në ato momente ne kuptojmë se jeta ia vlen të jetohet.
Këto janë kohë të paçmuara gjatë të cilave ne ndjejmë praninë e botëve të tjera më të larta.
Që nga fillimi i qytetërimit perëndimor, poetët dhe filozofët e kanë konsideruar përjetimin e së bukurës si thirrjen tonë drejt hyjnores. Platoni, që shkruante në Athinën e shekullit IV Para Krishtit, argumentonte se e bukura është simbol i një rendi tjetër më të lartë. E bukura në sytë e mendjes, thoshte ai, do të jeni në gjendje që të ushqeni virtytet e vërteta dhe të bëheni kështu miq të Zotit.
Platoni ishte një idealist. Ai besonte se ne njerëzit jemi pelegrinë dhe mysafirë në këtë botë, ndërkohë që aspirojmë përtej saj; për të shkuar te Roma e përjetshme, aty ku do të bashkohemi me Zotin. Zoti ekziston në një botë transcendentale, të cilën, ne njerëzit, e aspirojmë, por që nuk arrijmë ta njohim dot në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por, një nga mënyrat për arritjen e saj këtu në tokë është nëpërmjet përjetimit të së bukurës. Por, kjo paraqet një paradoks.
Për Platonin, e bukura ishte para së gjithash dhe mbi të gjitha bukuria e fytyrës dhe e formës njerëzore. Dashuria për të bukurën – mendonte ai – e ka origjinën tek erosi, një pasion të cilën e ndjejmë të gjithë ne. Ne do ta quanim këtë pasion dashuri romantike. Për Platonin, erosi ishte një forcë kozmike, e cila rrjedh tek ne në formën e dëshirave seksuale. Por, nëse bukuria njerëzore ndjell dëshirim, atëherë si mund të ketë ajo lidhje me hyjnoren.
Dëshirat i takojnë individit, të jetuarit në këtë botë është një pasion urgjent. Dëshirat seksuale na ofrojnë një zgjedhje: adhurim ose oreks, dashuri ose epsh. Epshi ka të bëjë me marrjen, por dashuria ka të bëjë me dhënien. Epshi sjell shëmti, shëmtinë e marrëdhënieve njerëzore në të cilën njëri nga personat e trajton personin tjetër si një instrument të zëvendësueshëm. Për të arritur te burimi i së bukurës, ne duhet të jemi në gjendje ta kapërcejmë epshin.
Dëshirimi pa epsh është ajo që nënkuptojmë kur themi dashuri platonike. Kur ne e gjejmë bukurinë te një person i ri, kjo ndodh sepse në kërkojmë atë dritën e përjetësisë, për ato tiparet hyjnore të cilat nuk janë të kësaj bote. Bukuria e formës njerëzore është ftesë për tu bashkuar me të shpirtërisht, jo fizikisht.
Kështu, ndjenja jonë për të bukurën është një ndjesi fetare dhe jo emocion seksual. Kjo teori e Platonit është magjepsëse. Ai mendonte se e bukura është një mysafir i një bote tjetër dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, veçse t’i kënaqemi shkëlqimit të saj. Çdo gjë tjetër e ndot dhe e çshenjtëron atë duke shkatërruar aurën e saj të shenjtë.
Teoria e Platonit mbetet një nga teoritë më me shumë ndikim në histori. Përgjatë qytetërimit tonë poetët, tregimtarët, piktorët, priftërinjtë, dhe filozofët janë frymëzuar nga këndvështrimet e Platonit për seksin dhe dashurinë. Po të shikojmë te këndi i poezive do të gjejmë se si janë përpjekur poetët të paraqesin vizionin platonik të erotikes.
Piktori i rilindjes italiane, Sandro Botticelli, e ka ilustruar këtë teori të Platonit në pikturën e tij të famshme Lindja e Venererës, që tregon lindjen e perëndeshës së dashurisë erotike. Venera e shikon botën nga një vend tjetër, që shkon përtej dëshirës. Ajo na fton që t’i kapërcejmë orekset tona tokësore dhe që të bashkohemi me të nëpërmjet dashurisë së pastër të së bukurës. Modelja e Botticellit ishte Simonetta Vespuçi. Botticelli e deshi atë deri në fund të jetës së saj të shkurtër. Madje, ai kërkoi që të varrosej te këmbët e saj. Për të ajo përfaqësonte idetë e Platonit. Ajo ishte bukuria që mund të soditej, por që nuk mund të zotërohej.
Platoni dhe Botticelli na thonë se bukuria e vërtetë shtrihet përtej dëshirave seksuale. Kështu që, ne mund ta gjejmë të bukurën jo vetëm në një person të ri të dëshirueshëm, por gjithashtu edhe tek një fytyrë të plakur dhe me dhimbje e mençuri, ashtu siç i ka pikturuar Rembrandt.
Bukuria e një fytyre ka të bëjë me jetën që ajo shpreh. Ajo është mishi që kthehet në shpirt. Dhe, duke parë atë, ne shikojmë drejt e në shpirt. Rembrandt na ka treguar se e bukura mund të gjendet edhe në gjërat e rëndomta të jetës së përditshme. Ajo gjendet rreth nesh dhe ne na duhen vetëm sytë për ta parë dhe zemrën për ta ndjerë atë. Edhe ngjarja më e rëndomtë mund të kthehet në diçka të bukur, nëpërmjet paraqitjes me zemër që piktori i bën asaj.
E bukura është vetë zbulesa e Zoti këtu dhe tani. Kjo qasje fetare ndaj së bukurës zgjati për 2000 vjet. Por, në shekullin e 17-të, me shpërthimin e Revolucionit Shkencor, dolën në pah farat e para të dyshimit mbi këtë qasje. Kisha mesjetare pranoi këndvështrimin e lashtë që toka qëndron në qendër të universit pastaj Koperniku dhe Galilei provuan se toka vërtitet rreth diellit.
Ndërsa, Newton plotësoi punën e tyre duke na treguar se bota funksionon si mekanika e një ore, ku çdo ndodhi është pasojë e një veprimi ndaj një veprimi paraprinjës. Ky ishte vizioni i ndriçuar, që e përshkon botën tonë si një vend ku nuk ka vend për Zotin apo për shpirtin, pa vend për idealet dhe për vlerat. Asnjë vend për asgjë përveç lëvizjes mekanike që e rrotullon hënën rreth tokës dhe tokën rreth diellit pa asnjë qëllim.
Në qendër të universit njutonian qëndron një vakum shpirtëror. Këtë boshllëk e plotësoi një filozof në veçanti. Ai ishte Anthony Ashley Cooper, konti i Tretë i Shaftsbërit [Shaftesbury]. Sipas tij, shkenca mund ta shpjegojë botën, por, sipas tij, kjo mënyrë e të parit është e paplotë. Ne mund ta shikojmë botën gjithashtu nga një perspektivë tjetër. Jo për ta shpjeguar atë, por për ta përjetuar ekzistencën e saj. Ashtu siç mund të sodisim një peizazh apo një lule.
Ideja që bota është e magjishme dhe që për ta ndjerë këtë ajo nuk ka nevojë për asnjë doktrinë fetare, i dha përgjigje një nevoje emocionale shumë të thellë: E bukura nuk u soll në tokë nga Zoti, por që ajo u zbulua nga njerëzit.
Idetë e Shaftsbërit inkurajuan kultin e së bukurës duke i ridhënë artit dhe natyrës vendin që ato zënë. E bukura do të plotësonte atë zbrazëtinë e madhe të krijuar nga shkenca.
Pas këtij momenti, artistët nuk ishin më tregimtarë të historive të shenjta në shërbim të kishave, por ato po i rizbulonin historitë vetë, duke interpretuar sekretet e natyrës. Peizazhet që dikur ishin thjesht sfonde të tablove me paraqitje të shenjtë, u kthyen në plan të parë ku shpesh figura njerëzore humbiste në tërësinë e saj. Por, për Shaftsbërin ne nuk kemi domosdoshmërisht nevojë për një vepër arti për të vlerësuar bukurinë e botës.
Thjesht duhet ta shikojmë një imazh më kthjelltë, domosdoshmërisht, si dhe pa emocion. Shaftsbëri na thotë: Mjaft i shpjeguat apo shfrytëzuat gjërat, por shikojini ato. Vetëm atëherë do ta kuptojmë kuptimi e tyre. Mesazhi i lules është lulja. Budistët kanë thënë gjëra të ngjashme. Vetëm duk i lënë punët dhe interesat tona mënjanë, domosdoshmërisht do të takojmë të vërtetë reale të lules. Vetëm duke i parë gjërat në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të zbulojmë bukurinë e tyre.
Filozofi i madh i iluminizmit, Immanuel Kant ka qenë thellësisht i ndikuar nga idetë e Shfatsbërit. Kant ka shpjeguar se ne mund ta përjetojmë të bukurën vetëm kur i lemë mënjanë interesat tona. Atëherë kur i shikojmë gjërat jo me qëllim për t’i përdorur ato për qëllimet tona, ose për t’i shpjeguar se si funksionojnë ato, për të kënaqur nevojat apo orekset tona, por thjesht për t’i absorbuar ato dhe për t’i pranuar për atë që janë. Mendoni për gëzimin që ndjeni kur mbani në krahë foshnjën e një mikeje apo miku.
Ju nuk doni të bëni asgjë me foshnjën; ti nuk do ta hash, as do ta përdorësh për ndonjë gjë, apo të bëni eksperimente shkencore me të; ju thjesht keni dëshirë ta shikoni atë dhe të ndjeni rrymën e madhe të dritës që buron nga foshnja kur vëmendja juaj është e përkushtuar e gjitha te foshnja dhe jo tek vetja juaj. Kjo është ajo që Kant e ka përshkruar si sjellja e painteresuar dhe ky është qëndrimi në themel të përjetimit tonë ndaj së bukurës.
Të shpjegosh një gjë të tillë është tejet e vështirë, pasi nëse nuk e keni përjetuar kurrë diçka të tillë ju nuk mund ta dini se për çfarë bëhet fjalë. Por, çdo njeri duke dëgjuar muzikë, apo duke parë një peizazh apo duke lexuar një poemë që të jep ndjesinë se përmban thelbin e asaj që është duke përshkruar çdo njeri që ka përjetuar diçka të tillë thotë: Po, kjo mjafton. Por, përse është kaq e rëndësishme kjo përvojë? Takimi me të bukurën është kaq i menjëhershëm, kaq i gjallë dhe kaq personal saqë vështirë që t’i përkasë botës së rëndomtë.
Megjithatë, e bukura buron edhe nga gjërat e rëndomta. A është kjo një veçori e botës apo pjellë e imagjinatës? Pjesën më të madhe të kohës jetët tona janë të organizuara nga shqetësimet e jetës sonë të përditshme, por ka momente kur gjendemi jashtë kësaj sfere të nevojave dhe të interesave tona të përditshme, diçka që nuk i përket kësaj bote.
Nga Platoni deri tek Kant, filozofët janë përpjekur të kapin mënyrën e çuditshme se si na përndjek e bukura si një rreze drite, apo kërkimi i dashurisë.
Për Platonin, një përjetim i tillë kishte të bënte me origjinën e saj transcendentale. Dashuria dhe e bukura na flasin si zëri i Zotit. Edhe Kanti, gjithashtu, edhe pse në një mënyrë më të kthjellët, besonte se përjetimi i së bukurës na lidh me ekzistencën mistike të të qenurit. Nëpërmjet së bukurës në gjendemi në praninë e së shenjtës.
Ne mund ta kuptojmë rëndësinë e kësaj që kanë thënë filozofët duke menduar për atë që ndjejmë në prani të vdekjes, veçanërisht nga humbja e dikujt që duam. Ne e shikojmë me përçmim trupin nga e cila ka fluturuar jeta, hezitues për të prekur trupin e të vdekurit, duke e parë atë si një gjë që nuk i përket botës sonë, thuajse një mysafir nga një sferë tjetër.
Përjetimi transcendental që ka frymëzuar Platonin është e njëjta me përjetimin e dashurisë. Edhe kjo është pjesë e universit njerëzor dhe është një përjetim i llojit më të çuditshëm. Fytyra dhe trupi i të dashurve tanë përmbajnë jetën, por gjithashtu ato janë edhe si trupi i dikujt që ka vdekur, sikur ata nuk i përkasin botës së përditshme.
Poetët kanë shpenzuar mijëra fjalë për të shpjeguar këtë përvojë e cila nuk kapet tërësisht nga asnjë fjalë. Por, këto ndryshime në jetë si nevoja për t’u bashkuar me një qenie tjetër apo humbja e një njeriu të shtrenjtë, janë momente të shenjta për ne. Nëse shikojmë historinë e ideve të së bukurës, gjejnë arsyet se përse filozofët dhe artistët kanë pasur nevojë për të lidhur bashkë të bukurën dhe të shenjtën dhe për ta parë nevojën tonë për të bukurën si një gjë më të thellë në qenien tonë, si njerëz, si pjesë të botës sonë të mbushur me vuajte, dhimbje dhe rrezik.
Ashtu si besimtarët që kanë humbur besimin e tyre dhe kanë nevojën për të përqeshur idealet dikur të adhuruara në të njëjtën mënyrë, edhe artistët sot kanë nevojën për ta trajtuar jetën njerëzore në mënyra poshtëruese dhe të tallen me ndjekjen e së bukurës.
Një sjellje e tillë është edhe mohim i dashurisë: Një tentativë për rikrijimin e botës, si një vend që nuk ka më vend për dashurinë. Për mua ky është tipari më i rëndësishëm i kulturës tonë post-moderne.
Dhe, kjo është një kulturë që na thotë se njeriu nuk meriton dashuri; ai është i padashtshëm. Sigurisht, që ky gërmim drejt kësaj ane të njeriut nuk përbën asgjë të re. Që në fillim të civilizimit kjo ka qenë një nga detyrat kryesore të artit për të marrë atë që është më e dhimbshme në gjendjen njerëzore dhe për ta kthyer atë në një vepër arti.
Arti ka fuqinë që të gjejë të bukurën edhe te aspektet më të këqija të gjërave. Edhe në praninë e vdekjes, fytyra njerëzore mund të jetë fisnike, të tregojë mëshirë. Arti është një mënyrë për të pranuar vdekjen. Arkitektura që nuk respekton të shkuarën, nuk respekton as të tashmen sepse ajo nuk respekton nevojat parësore të njeriut nga arkitektura që ka të bëjë me ndërtimin e një shtëpie të qëndrueshme.
Mjeshtrit e së shkuarës e kanë kuptuar nevojën shpirtërore të njeriut, ashtu siç kanë kuptuar edhe orekset tona më kafshërore.
Për Platonin, e bukura ishte rruga drejt Zotit. Ndërsa mendimtarët e iluminizmit, e kanë parë të bukurën dhe artin mënyrën sipas së cilave ne shpëtojmë vetveten nga rutinat e pakuptimta duke u ngritur kështu në një nivel më të lartë.
Por, arti i ka kthyer krahët së bukurës. Ai është kthyer në skllav të kulturës së konsumerizmit, duke ushqyer kënaqësitë dhe veset tona dhe duke na zhytur në vetëneveri. Për mua, ky është mësimi i formës më të shëmtuar të artit dhe arkitekturës moderne. Ato nuk tregojnë realitetin, por hakmerren ndaj tij, duke na lënë pa atë vend që mund të kishte qenë shtëpia jonë, të pangushëlluar dhe të asgjësuar në një shkretëtirë shpirtërore. Por, rruga nuk ka të bëjë me pranimin e këtij asgjësimi, por me kërkimin e rrugës së shpëtimit për të dalë nga kjo shkretëtirë, në një vend kur e vërteta dhe ideali të ekzistojnë ende në harmoni.
Në jetën time, unë e kam gjetur këtë rrugë më lehtësisht nëpërmjet muzikës sesa nëpërmjet çdo lloj forme tjetër arti. Në këtë dokumentar e kam përshkruar të bukurën si një burim thelbësor. Nëpërmjet kërkimit të së bukurës, ne i japim botës formën e shtëpisë. Dhe, duke bërë këtë, ne shumëfishojmë gëzimet dhe gjejmë ngushëllim për vuajtjet tona.
Arti dhe muzika i japin kuptim jetës tonë të përditshme dhe, nëpërmjet tyre, ne jemi në gjendje të përballemi me gjërat të cilat na shqetësojnë dhe të gjejmë ngushëllim dhe paqe në praninë e tyre. Ky kapacitet i së bukurës për të zbutur vuajtjet tona është një nga arsyet përse e bukura mund të shikohet si një zëvendësuese e fesë. Përse t’i japim përparësi fesë? Përse të mos themi që feja është një zëvendësuese e së bukurës? Për të shkuar edhe më tej; përse t’i përshkruajmë të dyja si kundërshtare kur në fakt e bukura dhe e shenjta janë dy dyer drejt një hapësire të vetme dhe në atë hapësirë të vetme ne gjejmë shtëpinë tonë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Ndahet nga jeta Anita Take

Cezari e Pompeu, dy strategët e mëdhenj që zbarkuan në trojet shqiptare

Nga varfëria në bohemi: Jeta e çuditshme e Gala Dalit

"Një letër për njerëzimin": Ky do të isha, kështu do të jetoja - nëse Zoti do të ma jepte edhe një copëz jetë

SI TË DUA

Ballkoni dhe Ballkani

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

A po shuhet përfundimisht dialogu Kosovë-Serbi? - Analistët në Beograd: Kosova s’është më temë

Aksident me fatalitet në Bresje të Fushë-Kosovës, mbyllet përkohësisht rruga Prishtinë-Pejë

Bota ngritet kundër Elon Muskut, 200 protesta në ditë kundër pronarit të Teslas

Goditeni nga rryma sa herë që prekni diçka? Ekspertët zbulojnë pse ndodh kjo dhe si të parandaloni

Prindërit e Gjestit thonë dy fjalë për Egli Takon, i kërkojnë falje familjarëve të saj

Bournemouth vendos çmimin për Antoine Semenyo – kërkohet nga tre klube të mëdha angleze