LAJMI I FUNDIT:

E vërteta e nacionalizmit

E vërteta e nacionalizmit
Roger Scruton, Wiltshire, England, November 2011

Kur revolucionarët francezë kërcyen në skenën e politikës botërore, në skenë u ngjit edhe deklarata, se që nga ai moment nuk ishte sovrani, as ligji, apo Perëndia që urdhëronte dhe bënte të mundur aleancën e qytetarëve, por kombi. Abbe Sieyes, në pamfletin e tij përcëllues, “Çfarë janë njerëzit e thjeshtë?”, të 1789-s, e shprehu këtë gjë prerë. “Kombi është përparësor mbi gjithçka. Ai është burimi i gjithçkaje. Vullneti i tij është gjithmonë i ligjshëm… mënyra me të cilën një komb ushtron vullnetin e tij nuk ka rëndësi; e rëndësishme është që ai e ushtron atë; çdo procedurë është e përshtatshme dhe vullneti i tij është gjithmonë ligji suprem”.

Pas njëzet vjetësh, kur dy milionë njerëz kishin vdekur dhe kur vullneti i kombit francez u përhap në Europë nga fitoret e Napoleonit, ishte e qartë se një koncept krejtësisht i ri i jetës politike hyri në ndërgjegjen e Europës. Përgjatë gjithë kontinentit, lëvizjet nacionaliste po i thërrisnin njerëzit në armë kundër monarkëve lokalë dhe marrëveshjeve perandorake, duke i bashkuar ata në emër të ideve të racës dhe përbashkësive, duke marrë një gjuhë kundër një tjetre dhe një mënyrë jetese kundër fqinjës së saj dhe, në përgjithësi, duke shpërbërë gjithçka që kishte mbetur pas rrëmujës që kishte shkaktuar Napoleoni. Shkatërrimi që ndodhi është përshkruar nga Adam Zamoisky, në “Holy Madness”, dhe ka qenë subjekt komentesh të pafundme nga historitë që kërkonin të gjenin shkaqet e dy luftërave botërore.


Në kohën kur u vendos paqja pas vitit 1945, me Gjermaninë e shkatërruar plotësisht dhe shtetet kombe të Europës Lindore tërësisht në kontrollin sovjetik, një lloj konsensusi po lindte mes klasës së re politike – klasa që kishte për detyrë të rindërtonte vendet e mposhtura. Sipas këtij konsensusi, Europa ishte bërë copash nga nacionalizmi dhe e ardhmja e kontinentit mund të sigurohej vetëm në qoftë se besnikëritë kombëtare, që kishin shkaktuar kaq shumë luftëra, do të zëvendësoheshin qetësisht dhe në mënyrë të pazhurmshme me diçka tjetër. Pyetja kyçe ishte se çfarë ishte kjo diçka tjetër, dhe kjo pyetje u varros thellë në procesin e integrimit europian, aq sa nuk është më e mundur t’i përgjigjesh.

Por, a ishte i drejtë reagimi ndaj nacionalizmit?

Unë po e jap përgjigjen time: nacionalizmi si ideologji është i rrezikshëm, bash siç janë ideologjitë. Ai zë hapësirën e lënë bosh nga religjioni dhe duke bërë këtë gjë ai eksiton besimtarin në adhurimin e idesë kombëtare dhe në kërkimin tek ajo të asaj që nuk mund t’ia japë qëllimin fundor të jetës, rrugën e shpëtimit dhe ngushëllimin për të gjitha vuajtjet e tij. Kjo është ideja e kombit që evokon Sieyes dhe që gjendet në literaturën e Gjermanisë naziste.

Por, nuk është ideja e kombit ashtu siç shfaqet në jetën e zakonshme të përditshme të njerëzve në Europë. Për njerëzit e zakonshëm, që jetojnë në bashkime të lira me fqinjët e tyre, “kombi” ka thjesht domethënien e identitetit historik dhe të angazhimeve të vazhdueshme që i bashkon ata në trupin politik. Kjo është veta e parë shumës e marrëveshjes. Ndjesitë e identitetit kombëtar mund të përflaken nga lufta, veprimtaria civile dhe ideologjia, dhe kjo përflakje ka disa shkallë. Por, në formën e tyre normale këto ndjesi nuk janë paqësore, por një formë paqeje midis fqinjëve. Sepse ne jemi të aftë të përkufizojmë anëtarësinë tonë në terma territorialë që ne në vendet perëndimore, gëzojmë liri elementare që janë, për ne, themeli i rendit politik.

Në shtetet e themeluara më së shumti mbi bindje fetare sesa sekulare, liria e ndërgjegjes është një aset i pamjaftueshëm dhe i kërcënuar. Ne megjithatë gëzojmë jo thjesht lirinë për të mos rënë dakord publikisht me të tjerët për çështje të besimit dhe të jetës private, por gjithashtu edhe lirinë për të satirizuar solemnitetin dhe për të tallur pakuptimësinë, përfshirë solemnitetin dhe pakuptimësinë e të shenjtës.

Nga fundi i shekullit të shtatëmbëdhjetë, teksa iluminizmi po përhapte ndikimin e tij në të gjithë botën e krishterë, filloi të pranohet se ne i menaxhojmë punët tona në këtë botë duke miratuar ligjet tona, se këto ligje janë ligje të bëra nga njeriu, sekulare dhe në qoftë e mundur neutrale kur vjen puna te fetë e ndryshme që gjenden brenda shtetit.

Në qoftë se do të ketë një përplasje të dukshme ndërmjet ligjit sekular dhe besimit fetar, është pranuar se në shoqëritë tona do të mbizotërojë ligji sekular. Ka patur shpresë se dy sferat, e shenjta dhe sekularja, janë mjaftueshmërisht të ndara kështu që në çdo rast nuk do të ketë ose do të ketë fare pak mbivendosje. Për ta thënë troç, feja në shoqërinë tonë është bërë çështje private. Nuk duhet të ketë dyshim se trashëgimia jonë e ligjit sekular është e çmuar dhe është diçka tek e cila ne duhet të mbështetemi përballë shumë kërcënimeve. Ai është parimi ynë kryesor i mbrojtjes ndaj asaj që Tocqueville dhe John Stuart Mill e denoncuan si tirania e shumicës. Opinioni i shumicës mund të jetë i gabuar; dëshirat e shumicës mund të jenë djallëzore, fuqia e shumicës mund të jetë e rrezikshme. Ka diçka më të rëndësishme se sa shumica, ky është saktësisht personi që nuk bie dakord me të. Ne duhet ta mbrojmë këtë person. Ai është i vetmi që mund të ngrejë pyetjen të cilën askush nga turma nuk dëshiron ta dëgjojë dhe që është pyetja nëse ajo në anën e drejtë. Por, si mbrohet opozita nuk ndryshon ndërsa opinione tyre të ndryshme shkëmbehen, përballen, ndërrohen.

Një identitet i përbashkët përforcohet nga mosdakordësitë. Kjo e bën opozitën, dhe për pasojë edhe diskutimin racional, të mundshëm; dhe ky është themeli i çdo mënyre të jetuari në të cilën kompromisi, jo diktatura, është norma. E njëjta gjë është e vërtetë për politikën. Opozita, mosrënia dakord, shprehja e lirë e mendimit kundër, dhe mbizotërimi i kompromisit presupozojnë një identitet të përbashkët. Duhet të ketë një vetë të parë shumës, një “ne” në qoftë se shumë individë duhet të qëndrojnë bashkë, duke pranuar dëshirat dhe opinionet e secilit, pavarësisht nga mosdakordësia. Feja e bën të mundur një vetë të parë shumës: unë duhet ta përkufizoj veten si i krishterë ose si mysliman dhe kjo mund të jetë e mjaftueshme për mua që të jem me besimtarët edhe kur nuk bie dakord me ta për gjëra të qeverisjes së të përditshmes. Por, kjo vete e parë nuk rri shumë qetë me politikat demokratike. Në veçanti ajo nuk pranon mosdakordësinë më themelore brenda shtetit, midis besimtarit që pranon doktrinën në fuqi dhe jobesimtarit që nuk e pranon atë.

Kjo është arsyeja pse demokracitë kërkojnë një “ne” kombëtare më shumë se sa një “ne” etnike apo fetare. Shteti komb, siç ne e konceptojmë atë, është produkt i fqinjësisë, së formësuar nga një “dorë e padukshme” prej marrëveshjes të panumërta midis njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë dhe jetojnë pranë e pranë. Ai është rezultat i kompromiseve të arritura pas shumë konfliktesh dhe shpreh marrëveshjen e formuar ngadalë midis fqinjëve për t’i dhënë secilit hapësirë dhe për të mbrojtur këtë hapësirë si territor të përbashkët. Ai ka përthithur dhe përshtatur me vetëdije pakicat fetare dhe etnike brenda territorit të tij ndërsa ato nga ana e tyre i janë përshtatur shtetit komb. Ai varet në zakonet e lokalizuar dhe në rutinë e përbashkët të tolerancës. Ligji i tij është territorial më shumë se sa fetar dhe nuk flet për burim autoriteti më të lartë se sa për asete jo fizike të cilat njerëzit i kanë të përbashkëta.

Të gjitha këto karakteristika janë fuqi, deri sa ato ushqehen në një formë të adaptueshme besnikërisë parapolitike. Deri sa njerëzit të mos e identifikojnë veten me vendin, territorin dhe trashëgiminë kulturore -në diçka që ngjan me mënyrën se si njerëzit identifikojnë veten me familjen- nuk do të ketë politikë të kompromisit. Ne duhet t’i marrim seriozisht fqinjët tanë, si njerëz që kanë të drejtë të barabartë të mbrohen, për të cilën ne mund të na kërkohet në momente krize edhe të japim jetën. Ne e bëjmë këtë sepse ne besojmë se vetët tona i përkasin së bashku së njëjtës shtëpi.

Historia e botës është provë e kësaj: Kur njerëzit e identifikojnë veten në terma që nuk janë të përbashkët me fqinjët atëherë shteti bie në goditjen e parë serioze- siç ndodhi kohët e fundit në ish-Jugosllavi, në Siri, në Somali dhe në Nigeri. Ka një arsye tjetër më të thellë për aderimin te kombi si burimi i detyrimit ligjor. Vetëm kur ligji vjen nga sovraniteti kombëtar mund t’u përshtatet gjendjeve të ndryshueshme të njerëzve, Ne i shohim qartësisht këto përpjekje të padobishme të shteteve moderne islamike për të jetuar sipas sheriatit. Shkollat origjinale të jurisprudencës islamike, që lindën pas profetit në Medina, i lejuan juristët të përshtatin ligjin e zbritur ndaj nevojave që ndryshonin të shoqërisë, me anë të një procesi reflektimi të njohur si ixhtihad ose përpjekje. Por kjo duket se mori fund gjatë shekullit të tetë të erës sonë, kur u tha nga shkolla e atëhershme dominuese teologjike se të gjitha çështjet e rëndësishme janë zgjidhur dhe se “dera e ixhtihadit është mbyllur”. Kjo duket se është e vetmja rrugë për të ruajtur autoritetin e Zotit absolut dhe të dekreteve të përjetshme përballë devijueshmërisë dhe rrëshqitjes njerëzore. Kështu sot, kur klerikët vijnë në pushtet, ligji iu referohet përsëri parimeve të përcaktuara për qeverisjen të një komuniteti të zhdukur prej shumë kohësh.

Juristët hasin vështirësi të shumta për të përshtatur një ligj të tillë me jetën e njerëzve modernë. Për ta thënë më qartë – ligji sekular përshtatet, ligji fetar rri përjetësisht njësoj. Për më tepër, saktësisht për shkak se sheriati nuk është përshtatur, askush nuk e di me të vërtetë se çfarë thotë ai. A na thotë ai të gurëzojmë me vdekje ata që tradhtojnë kurorën martesore? Disa thonë po, disa thonë jo. A thotë ai që të investosh para me interes është e ndaluar në çfarëdo rasti? Disa thonë po, disa thonë jo. Kur Zoti bën ligje, ligjet bëhen aq të mistershme sa ç’është edhe Zoti. Kur ne bëjmë ligje dhe i bëjmë ato për qëllimet tona, ne mund të jemi të sigurt se çfarë duan të thonë ato. Pyetja e vetme atëherë është “kush jemi ne?”. Dhe në kushtet moderne, kombi është përgjigjja e kësaj pyetjeje, një përgjigje pa të cilën ne jemi të gjithë në det të hapur.

Siç edhe e vura në dukje, pas luftës së dytë botërore elita politike në vendet e mundura u bë skeptike ndaj shtetit komb. Pse çoi në një demokraci të shëndetshme në Amerikë eksperimenti në qeverinë federale, i cili në Europë çoi në perandori jollogaridhënëse? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse federalizmi amerikan nuk krijoi një perandori, por një shtet-komb. Kjo ndodhi pavarësisht grindjeve mbi të drejtat e shteteve, pavarësisht Luftës Civile, pavarësisht trashëgimisë së skllavërisë dhe konfliktit etnik. Kjo ndodhi sepse marrëveshja amerikane vendosi synimin e ligjit sekular, juridiksionin territorial dhe gjuhën e përbashkët në një vend të cilin njerëzit nuk reshtnin së quajturi shtëpia e tyre. Nën marrëveshjen amerikane njerëzit duhet ta trajtonin njëri-tjetrin një herë e përgjithnjë si fqinjë dhe jo si anëtarë të së njëjtës racë, së njëjtës klasë, të njëjtit grup etnik apo feje, por si banorë të një vendi që e kishin së bashku.

Besnikëria e tyre ndaj rendit politik buronte nga detyrimet e fqinjësisë dhe mosmarrëveshjet midis tyre do të zgjidheshin nga ligji i vendit. Ligji do të vepronte brenda kufijve territorialë të përkufizuar nga qasjet e mëparshme të njerëzve dhe jo nga ndonjë burokraci transnacionale e hapur për t’u kapur nga njerëzit, për të cilët këta kufij nuk thoshin asgjë. Shkurt, demokracia ka nevojë për kufij, dhe kufijtë kanë nevojë për shtetin-komb. Në të gjitha mënyrat me të cilat njerëzit përkufizojnë identitetin e tyre në terma të vendit që i përkasin kanë një pjesë për të luajtur në çimentimin e sensit të kombësisë. Për shembull, common law e anglosaksonëve te të cilët ligji që merr jetë nga zgjidhja e konflikteve lokale më shumë ligji që del nga imponimi i sovranit ka patur një pjesë të madhe për të luajtur në ngjizjen e sensit anglez dhe amerikan që ligji është pasuria e përbashkët e të gjithë atyre që jetojnë në brenda juridiksionit të tij më shumë sesa është krijim i priftërinjve burokratëve apo mbretit.

Një gjuhë dhe një kurrikulum i përbashkët kanë një efekt të ngjashëm në bërjen e familjaritetit, afrimitetit dhe zakonit të përditshëm burim të qasjeve të përbashkëta. Gjëja thelbësore për kombet është se ato rriten nga poshtë, përmes zakoneve të bashkimit të lirë mes fqinjëve, dhe si rezultat kemi besnikëritë që janë të lidhura me një vend dhe historinë e tij më shumë sesa me një fe, me një dinasti apo si në Europë, me një klasë politike që riprodhon vetveten. Kombet mund të përzihen në gjëra më komplekse se ç’kanë bërë Uellsi, Skocia dhe Anglia- ose mund të ndahen si çekët dhe sllovakët ose siç mund të bëjë një ditë Mbretëria e Bashkuar teksa skocezët kërkojnë të ndahen. Kufijtë kombëtarë mund të jenë të fortë ose të dobët, të depërtueshëm ose jo: por në të gjitha format ata i pajisin njerëzit me një identitet me të cilin ata përmbledhin të drejtat dhe detyrat tyre si qytetarë dhe besnikërinë ndaj atyre që janë bartësit e paqes civile. Këtu, pra qëndron e vërteta e nacionalizmit, siç e shoh unë. Kur ne i bëjmë vetes pyetjen, çfarë i përkasim, dhe çfarë i përkufizon besnikëritë dhe angazhimet tona ne nuk gjejmë përgjigje te një fe e përbashkët dhe akoma më shumë nuk gjejmë përgjigje te lidhjet fisnore. Ne e gjejmë përgjigjen te gjërat që ne kemi të përbashkëta me qytetarët tanë dhe veçanërisht tek ato gjëra që shërbejnë për të bërë të qëndrueshëm sundimin e ligjit dhe format konsensuale të politikës. E para, te këto gjëra është territori. Ne besojmë se ne banojmë në një territor të përbashkët, të përkufizuar nga ligji dhe ne besojmë se ky territor është i joni, është vendi ku ne jemi dhe vendi ku do të jenë fëmijët tanë. Edhe në qoftë se ne vijmë këtu nga diku tjetër, kjo nuk e ndryshon faktin që ne jemi të angazhuar ndaj këtij territor dhe e përkufizojmë identitetin tonë-të paktën pjesërisht- në terma të tij. E pothuajse së njëjtës rëndësi janë historia dhe zakonet që janë vendosur në këtë territor. Ka rite dhe zakone që shfaqen këtu dhe që iu japin fqinjëve idenë e një shtëpie të përbashkët. Këto rite dhe zakone mund të përfshijnë shërbesat fetare por këto janë pa asnjë diskutim dhe janë të hapura për riinterpretim kur është e domosdoshme të përfshihen disa fqinjë të cilët nuk kanë të njëjtin besim me ne. Kësisoj, historitë dhe zakonet e atdheut janë sekulare. Historitë mund të mos jenë të vërteta literalisht; ato mund të përfshijë hapësira të gjera të mitit, si historitë që francezët tregojnë për Zhan D’Ark, për Bastijën dhe për revolucionin apo historitë që skocezët tregojnë për Robertin Bruce dhe për rebelimin Jakobit. Historitë janë produkt i besnikërisë së përbashkët dhe jo prodhues të saj: Besnikëria nuk krijohet për shkak të historive që besohen; historitë besohen sepse besnikëria ka nevojë për to. Dhe historitë ndryshojnë për të përshtatur vetën e parë të ndryshueshme shumës të njerëzve. Ato janë, siç thotë Platoni, gënjeshtra fisnike: falsifikime literale që shprehin të vërteta emocionale. Një qenie racionale do të shohë përmes tyre, por nuk do t’i respektojë kurrë ato, siç respekton bindjet fetare që nuk i ka të vetat dhe heronjtë e kombeve të tjera që sigurisht nuk ta vetët…

Dallimet që unë kam paraqitur midis trashëgimisë politike perëndimore të bazuar mbi ligjin sekular, qytetarinë dhe shtetin-komb dhe pikëpamjes tradicionale islamike të bazuar mbi ligjin hyjnor, vëllazërinë, dhe nënshtrimin ndaj një besimi universal janë vetëm pjesë e historisë. Në të gjitha mënyrat bota islamike po lëviz në drejtime të reja dhe diferenca midis një vendi si Irani, që ka patur dikur një besim shiit disident, dhe një histori të gjatë studimesh fetare, studimesh dhe letërsie humane dhe një vendi si Jemeni, në pjesë të cilit jeta ende i shëmbëllen asaj të kohës së profetit ka një diferencë aq të madhe sa ajo midis atij dhe një vendi europian. Megjithatë, bota islamike mbetet dyshuese ndaj ndarjeve kombëtare të imponuara mbi të nga fuqitë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara. Është e pashmangshme, megjithatë, që islamistët të mos e shohin me indinjatë Perëndimin si krijues dhe imponues i një forme të ndryshme rendi politik. Kundërshtia ndaj idesë kombit nuk vetëm nga jashtë, megjithatë. Në qoftë se ju shihni tek organet e opinionit në Britani dhe Europë dhe tek institucione të tilla si universiteti, në të cilat shprehet dhe zhvillohet vetëdija e shoqërive europiane, ju do të gjeni kudo një kulturë mospranimi. Merrni një aspekt të trashëgimisë perëndimore, për të cilën të parët tanë ishin krenarë dhe do të gjeni kurse universitetesh të përkushtuara për ta dekonstruktuar atë. Merrni ndonjë cilësi pozitive të trashëgimisë sonë kulturore dhe politike dhe do të gjeni përpjekje të organizuara në akademi dhe në media për ta vënë atë në shenja citimi dhe për ta bërë që të duket si mashtrim. Dhe ka një segment të rëndësishëm të opinionit politik në të majtë, që kërkon të mbështesë këto kritika dhe t’i konvertojë ato në politika. Është kjo “kulturë mospranimi” siç e quaj unë, së cilës ne duhet t’ia atribuojmë sulmet e fundit mbi shtetin komb dhe idesë kombëtare. Por konservatorizmi është një kulturë konfirmimi. Ai është për gjërat që ne vlerësojmë dhe për gjërat që ne duam t’i mbrojmë. Çdokush që e kupton se çfarë është në lojë në konfliktin global që po zhvillohet sot, – besoj unë – do të shohë se kombi është një nga gjërat që ne duhet të ruajmë. Në atë që vijon, kësisoj, unë do t’iu drejtohem njerëzve që i identifikojnë të drejtat edhe detyrat e tyre politike në terma kombëtarë dhe që kanë mësuar ta vendosin Zotin në vendin që i përket Atij.

(Publikuar në Mapo. Marrë nga libri “Si të jesh i djathtë”, i filozofit britanik Roger Scruton, botim i UET-Press)

Në trend

Më shumë
BE afër finalizimit të raportit për çështjen e masave ndaj Kosovës

BE afër finalizimit të raportit për çështjen e masave ndaj Kosovës

Lajme
Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Evropa
Nëna nga India hodhi të birin 6-vjeçar me aftësi të kufizuara në një lumë të mbushur me krokodil, reptilët e kafshojnë deri në vdekje

Nëna nga India hodhi të birin 6-vjeçar me aftësi të kufizuara në një lumë të mbushur me krokodil, reptilët e kafshojnë deri në vdekje

Azia
Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shëndetësi Lajme
Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Lajme
Nënshkrimi i Mbappes ka shkaktuar tension në zhveshtoren e Real Madridit

Nënshkrimi i Mbappes ka shkaktuar tension në zhveshtoren e Real Madridit

Ndërkombëtare
Kalo në kategori