Përparim Rama betohet për mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori sot mandatin e tij të dytë gjatë seancës inauguruese të Asamblesë Komunale, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe duke rikujtuar se përgjegjësia e institucioneve është e përbashkët.
Rama theksoi vendosmërinë për të përfunduar projektet kapitale, për të vazhduar investimet në arsim, shëndetësi dhe zhvillim rural, si dhe për të përkrahur idetë inovative të rinisë.
“Ky besim është përgjegjësi dhe motiv. Ne do të punojmë me përkushtim të palëkundur për qytetin tonë”, u shpreh ai, raporton Telegrafi.
Duke iu referuar katër viteve të fundit, Rama vuri në dukje se bllokadat politike kanë penguar zhvillimin e qytetit, por u bëri thirrje asambleistëve për bashkëpunim: “Secili jemi votuar për t’i shërbyer qytetarëve, jo partive. Uroj që në këtë mandat të mos krijojmë bllokada artificiale, por të punojmë për të ardhmen tonë”.
Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e punës së drejtuesve të drejtorive dhe administratës komunale: “Qytetarët nuk na kanë zgjedhur për t’i ushqyer egot tona, por për të punuar për ta. Unë do të jem këtu 24/7 – pa ngjyra politike, pa inate e pa barriera”.
Në kuadër të vizionit të tij “Prishtina përtej”, Rama njoftoi se një ndër projektet kyçe të mandatit do të jetë organizimi i Lojërave Olimpike “Prishtina 2030”: “Kjo është mundësi historike për qytetin dhe për Kosovën. Duhet bashkim dhe vizion i përbashkët për brezat e rinj dhe për imazhin ndërkombëtar të Prishtinës”.
“Ky është momenti ynë. Bashkë mund ta ndërtojmë Prishtinën e së nesërmes. Tani është koha për punë të mëdha", përfundoi kryetari Rama.
Kuvendi Komunal i Prishtinës përbëhet nga 51 asamblistë. Sipas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, LDK-ja ka 15 përfaqësues, PDK-ja dhe LVV-ja nga 12, AAK-ja 5, “Lidhja për Prishtinën” 4, ndërsa Lista GUXO, PSD-ja dhe Nisma kanë nga një asamblist. /Telegrafi/


































