Nga: Myftar Barbullushi
Pallati madhështor, krenaria e perandorisë, prej ditësh ishte kërrusur nën klithmat vajtuese, të cilat, si kthetrat e një përbindëshi, do të shtriheshin në çdo cep të qytetit, duke mbërthyer çdo qenie të gjallë e më pas duke ua lënë vendin gulçimave, si prelud i një heshtjeje të trishtë, ndërsa shpirtrat e pikëlluar kishin filluar të mendonin se çfarë do të ndodhte pas ikjes së tij. Në korin e dhimbjes do të merrnin pjesë jo vetëm maqedonas, por edhe barbarë apo humbës, persianë, të cilët me zë të dridhur do t’i bashkoheshin korit të këngëve të dhimbjes së përbashkët. Imazhi i tij mbinjerëzor, i atij që vetëm me një piskamë tërhiqte si me magnet mijëra e mijëra ushtarë në beteja ekzistencialiste, i atij që shkatërronte qytete, shkërmoqte kështjella gjigante, shpërblente ushtarët e guximshëm para çdo beteje, duket se ishte plazmuar në shpirtin dhe trupin e miqve dhe armiqve të tij më shumë sesa vetë perënditë.
Një yll rrezatues si kurrë më parë në histori, vetëm 32 vjeç, i cili kishte pushtuar një perandori që shtrihej nga Ballkani në Pakistanin modern, ishte shuar thjesht nga zilia e perëndive, të cilët do të befasoheshin që edhe pas vdekjes së mistershme në Babiloni, më 323 p.e.s., trupi i tij do të dekompozohej vetëm pas gjashtë ditësh dhe për më tepër si rrallëherë mendja e tij do të mbeste krejtësisht e qartë deri në minutat e fundit të vdekjes. Për grekët e lashtë, këto detaje të vdekjes së tij mjaftonin për të konfirmuar atë që ata gjithmonë kishin menduar për mbretin e tyre maqedonas si dhe për atë çka ai mendonte për veten e tij – se ai nuk ishte njeri i zakonshëm, por një Zot.
Natyrisht, jeta e një ylli, në luftë jo vetëm kundër të gjithë botës, por edhe ndaj perëndive më të forta greke, reagimi i tij jonjerëzor ndaj vdekjes e kanë shtuar akoma më shumë dëshirën për ta njohur dhe kuptuar thellë jetën e tij e sidomos misterin e vdekjes së tij, e cila vazhdon të kuriozojë të gjithë brezat e nxënësve në të gjitha shkollat e botës. Malaria, tifo, helmimi nga alkooli apo pabesia nga ndonjë prej rivalëve të tij, vështirë ta mposhtin një gjigant si ai.
Por, në fillim të këtij viti, më shume se 2300 vite më pas, studiuesit e universitetit të Otagos, Zelanda e Re, do ta zgjidhnin përfundimisht enigmën e misterit të vdekjes. Sipas tyre, Aleksandri i Madh vuante nga një sëmundje neurologjike, e quajtur Sindromi Guillain-Barré (GBS), i cili më së shpeshti shkaktohet nga një infeksion, Campylobacter Pylori, që shkakton paralizë të nervave periferike. Në raste të rënda të kësaj sindrome, prekja e nervave dhe muskujve të kraharorit mund të dëmtojë edhe aftësinë për të marrë frymë. Duke qenë se në atë kohë diagnoza e vdekjes mbështetej në gjykimin e frymëmarrjes dhe jo të pulsit, mjekët, frymëmarrjen e tij të rrallë dhe sipërfaqësore të shkaktuar nga GBS, gabimisht do ta interpretonin si diagnozë të vdekjes. Pra, trupi i tij nuk u dekompozua për shkak të ndonjë mrekullie, por për një arsye të thjeshtë – se Aleksandri nuk kishte vdekur akoma. Ai ishte shpallur i vdekur gjashtë dite para se të vdiste në të vërtetë.
Pikërisht ndërthurja në një tërësi koherente të pakundërshtueshme i elementëve themelore të kësaj sëmundjeje, si vështirësia ne diagnozën e vdekjes, mosdekompozimi i kufomës dhe qartësia mendore deri pak para vdekjes, konfirmojnë elegancën e diagnozës së Sindromit Guillain-Barré.
Pra, historia duhet të rishkruhet; Vdekja e vërtetë e Aleksandrit ka ndodhur gjashtë ditë më vonë sesa është shkruar në tekstet e historisë. Vdekja e tij mund të jetë rasti më i famshëm i pseudothanatos, diagnozës së rreme të vdekjes, të regjistruar ndonjëherë.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëParaqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?
INTIME
Mbijetesa e poezisë
Karnavalet, origjina dhe domethënia
Historia e shqiptarëve në Bukuresht
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri
"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion
Klopp e donte lojtarin që sot luan për Liverpoolin, por bordi kërkonte një tjetër - si nisi mosmarrëveshja mes tyre