LAJMI I FUNDIT:

Përmbyllet me sukses dita e parë e Konferencës “Diaspora Flet” 2023

Përmbyllet me sukses dita e parë e Konferencës “Diaspora Flet” 2023

Dje më 18 maj, u hap suksesshëm konferenca ‘Diaspora Flet’ 2023 në Prishtinë, me pjesëmarrjen e 400 personave, nga vendi dhe Diaspora.

Ngjarja filloi me disa pika të përzgjedhura muzikore nga kori i fëmijëve “Okarina”, duke vijuar me fjalimin mirëseardhës nga bashkë-drejtorët e organizatës GERMIN, Zj. Sihana Bejtullahu dhe Z. Lirim Krasniqi, njëherit dhe nikoqir të konferencës. Përgjatë fjalës së tyre, bashkë-drejtorët ndanë falënderimet e tyre të përzemërta për angazhimin dhe mobilizimin e jashtëzakonshëm të qindra pjesëmarrësve për ta bërë konferencë një sukses afatgjatë. Ata theksuan se kjo konferencë vazhdon të zgjerohet si platforma më e madhe e diskutimeve dhe shkëmbimeve mes diasporës dhe atdheut.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Zj. Vjosa Osmani, mori fjalën për një adresim zyrtar ndaj të pranishmëve, ku ndër të tjera tha se “Mërgata jonë është dëshmi e vlerave që na karakterizon si shtet”. Ajo theksoi rëndësinë dhe kontributin historik të diasporës në zhvillimin e Kosovës.

Jashoua Mike, udhëheqës i zyrës për rritje ekonomike të USAID në Kosovë, ishte folësi i radhës që mori fjalën në konferencë, ku ndër të tjera theksoi se Diaspora janë testament i fuqisë, zhvillimit dhe dashurisë ndaj atdheut. Ai tha se Diaspora me të vërtetë është thesar kombëtar, duke përmendur shifrat e rritjes së eksporteve dhe shërbimeve nga Kosova në vendet ku diaspora jonë është e koncentruar.

Në vazhdim mori fjalën Anila Hyka Smorgrav, bashkë-drejtuese e bordit të GERMIN, e cila tashmë ka 30 vite që jeton në Diasporë. Zj. Hyka Smograv theksoi se tre gjërat që na bashkojnë janë dashuria, vendosmëria dhe besimi, dhe se sot jemi këtu për të mbjellur fara të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi. 

Avni Mustafaj, bashkëdrejtues i bordit të GERMIN ishte folësi i radhës, i cili gjatë gjithë jetës ka pasur një dedikim për çështjen kombëtare të shqiptarëve. Ai theksoi se Kosova është vendi më demokratik në rajon, dhe një kontribut të madh e kanë dhënē gratë.

Folësi kryesor në hapje ishte Mike Bailey, Ekspert i Ngritjeve të Fondeve nga Izraeli, i cili bëri një prezantim të shembullit izraelit të lidhjes me diasporën. Ai theksoi se e bukura e diasporës është se është tashmë një rrjet i krijuar global me ndikim të jashtëzakonshëm, por më e rëndësishme është dialogu i vazhdueshëm dhe respekti i ndërsjellë.

Ngjarja u përmbyll me prezentimin e programit OriginAL, përmes një video mesazhi nga Mark Kosmo dhe dy pjesëmarrësve prezent të pilot programit. Në video mesazhin e tij, ndër të tjera Z. Kosmo bëri të ditur se do të dhurohen $1 milion ndaj komunitetit global shqiptar. 

Artikull i sponzorizuar