Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Istog, ku një person ka pësuar lëndime të rënda trupore, dyshohet nga një sëpatë.

Sipas informacioneve, incidenti ka ndodhur pas një përleshjeje fizike mes viktimës dhe një personi tjetër të dyshuar.


Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai bëri të ditur se i lënduari është transportuar menjëherë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.

“Njëri nga të përfshirët ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës. Personi i dyshuar, i cili është i njohur për organet e rendit, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim”, tha Gashi.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e të dyshuarit. /Telegrafi/