Klubet të cilat po përkrahin Erolld Belegun kanë reaguar sot ndaj vendimit të Bordit të FBK-së, e cila të mërkurën nuk e ka pranuar kandidaturën e tij, me arsyetimin se ka pasur nënshkrime të falsifikuara, raporton Express.

Sipas krahut të Belegut, Bordi i FBK-së nuk ka pasur të drejtë të marr një vendim të tillë, pasi nuk ka pasur kuorum.


Kuvendi zgjedhor i FBK-së mbahet të shtunën, derisa zyrtarisht kandidatë është vetëm Blerim Vuniqi, i propozuari nga bordi i FBK-së.

Në vazhdim mund të lexoni komunikatën e klubeve që përkrahin Erolld Belegun

Ne përfaqësuesit e të gjitha klubeve të cilat paraqitën kandidaturën e z. Erolld Belegu për postin e Kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës më 13 gusht 2013, përmes kësaj komunikate për shtyp dëshirojmë të reagojmë ndaj vendimit të djeshëm të Bordit të FBK-së, me të cilin i Bordi i FBK-së hedhë poshtë kandidaturën e z. Erolld Belegu për Kryetar të FBK-së.

Me këtë rast duam t’ia rikujtojmë anëtarëve të mbetur të Bordit të FBK-së se në bazë të Statutit të FBK-së, i njëjti nuk ka të drejtë të marrjes së vendimeve, ngase neni 23 përcakton se Bordi i FBK-së përbëhet nga 13 anëtarë. Bordi i FBK-së ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Bordit të FBK-së, i cili në nenin 10 rregullon se ‘Bordi mund të marrë vendime vetëm nëse në mbledhje janë prezent më shumë se gjysma e anëtarëve të Bordit”.

Më tej, ia rikujtojmë anëtarëve të mbetur të Bordit të FBK-së se pas dorëheqjeve Kryetarit të Federatës dhe të disa anëtarëve të Bordit të FBK-së, Bordi i FBK-së nuk mund ta arrijë kuorumin prej 7 anëtarësh i cili është kusht i domosdoshëm për marrjen e vendimeve sipas akteve normative të FBK-së. Kuorum të tillë nuk ka pasur as në mbledhjen e datës 21 gusht 2013, në të cilin është marrë vendimi joligjor i kontestuar me këtë rast.

Spekulimet e djeshme të anëtarëve të mbetur të Bordit të FBK-së se Statuti i miratuar më datë 3 gusht 2013 do të hyjë në fuqi tek pas mbajtjes së Kuvendit të ardhshëm të FBK-së përbëjnë një interpretim të gabueshëm dhe tendencioz të Statutit të FBK-së. Statuti në nenin 48 në mënyrë eksplite përcakton se hyn në fuqi në datën e miratimit të tij nga Kuvendi – që do të thotë Statuti ka hyrë në fuqi më 3 gusht 2013.

Të gjitha klubet më tej konfirmojnë se qëndrojnë prapa kandidaturës së z. Erolld Belegu. Më tej ia rikujtojmë FBK-së se këtë kandidaturë e përkrahin mbi 20 anëtarë të FBK-së, duke e tejkaluar kësisoj për disa herë kushtin e kandidimit nga shtatë anëtarë, sipas nenit 27 të Statutit të FBK-së.

Çfarëdo interpretimi i pranueshmërisë së kandidaturës mund të bëhet vetëm nga Kuvendi i Federatës. Andaj, kërkojmë nga anëtarët e mbetur të Bordit të FBK-së që të ndërpresin veprimtarinë e vet për shkak të jolegjitimitetit aktual dhe që tërë vendimmarrjen lidhur me veprimtarinë e FBK-së t’ia lë Kuvendit të FBK-së si organi më i lartë i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Vendimi i djeshëm dhe deklaratat e fundit të “Bordit” jolegjitim të FBK-së përbëjnë një përpjekje të dëshpëruar për të eliminuar kandidatin i cili gëzon përkrahjen e pjesës dërmuese të anëtarëve të Kuvendit të Federatës së Basketbollit të Kosovës. /Express/Telegrafi/ 

telegrafi sport app