LAJMI I FUNDIT:

Përkeqësohet rritja ekonomike e Evropës, çmimet e larta frenojnë shpenzimet e konsumatorëve

Përkeqësohet rritja ekonomike e Evropës, çmimet e larta frenojnë shpenzimet e konsumatorëve

Bashkimi Evropian ka ulur parashikimin e tij për rritjen ekonomike këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke thënë se inflacioni po dëmton rëndë gatishmërinë e njerëzve për të shpenzuar në dyqane – ndërkohë që normat e larta të interesit po kufizojnë ndjeshëm kredinë e nevojshme për investime dhe blerje.

Parashikimi i rishikuar nga Komisioni Evropian, vjen ndërsa frika nga recesioni rritet dhe ndërsa Banka Qendrore Evropiane përballet me një vendim kyç këtë javë nëse do të vazhdojë të rrisë më tej normat, të cilat synojnë marrjen nën kontroll të inflacionit.


Vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro pritet të rriten me 0.8 për qind këtë vit nga 1.1 për qind që ishte parashikuar nga parashikimi i pranverës, ndërsa për vitin e ardhshëm, parashikimi për rritjen ekonomike është ulur në 1.3 për qind nga 1.6 për qind që ishte më parë.

Një tjetër pasiguri është se sa larg do të shkojë BQE me normat e interesit, kredia më e shtrenjtë frenon rritjen ekonomike në disa fusha si pasuritë e paluajtshme, por nëse normat më të larta arrijnë të ulin inflacionin, kjo do të rriste fuqinë e shpenzimeve të konsumatorëve.

Frika nga recesioni është rritur edhe pasi eurozona kaloi dimrin pa një të tillë, duke regjistruar rritje të vakët prej 0.1 për qind në dy tremujorët e parë të këtij viti.

Një faktor kyç në dobësimin e ekonomisë në Evropë ka qenë Gjermania, ekonomia e së cilës e orientuar drejt prodhimit dhe eksportit është goditur nga çmimet më të larta të energjisë dhe ngadalësimi i kërkesës në Kinë, një partner kryesor tregtar. Komisioni uli parashikimin e tij për ekonominë më të madhe të Evropës këtë vit në minus 0.4 për qind.

Gjermania është e vetmja ekonomi e madhe që pritet të tkurret këtë vit, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikon një rënie prej 0.3 për qind.

Rimëkëmbja ekonomike nga pandemia COVID-19 i çoi në rritjen e çmimeve të konsumit pasi kërkesa për mallra krijoi pengesa në furnizimet e lëndëve të para dhe pjesëve, të cilat tani kryesisht janë lehtësuar.

Perspektivat e dobësimit të rritjes ekonomike kanë bërë që disa ekonomistë të parashikojnë se BQE-ja mund të shmangë rritjen e normave të interesit të enjten pas nëntë rritjeve radhazi. /Telegrafi/