eksperti-banner

Të gjithë personat që dëgjuan për vdekjen e hershme të ikonës së Pop Muzikës, patën një reagim të njëjtë ”mosbesimin”. Ishte e pamundur të besonin se idhulli që i kishte argëtuar dekada me radhë, i përcjellë nga miliona fansa besnikë, papritmas e tradhtoi zemra, dhe pushoi së rrahuri.

Majkëll Xhekson padyshim që nuk ishte thjesht një “showman”, një argëtues. Ai ishte diçka më tepër, kështu e perceptonte veten dhe kështu kishte dëshirë ta perceptonin. Përveç gjenialitetit në muzikë, do ta përkujtojmë si një valltar të shkëlqyer. Mjaftonte ta shihnim veç hijen e tij dhe dinim se ishte “ai”.

Pak valltarë janë në gjendje t´i qesin hapat me aq lehtësi, përpikëri, natyralitet dhe ritëm ashtu sikurse i bënte Majkëll. Kur i shohim koncertet e Justin-it dhe Britney-it ne vërejmë të njëjtat koncepte të cilat së pari i kishte krijuar Majkëll dhe pothuajse presim çdo moment ta shohim atë në skenë me klithmën e famshme “uuuuuuu”, me lëvizje magjike të këmbëve dhe me shikime hipnotizuese.

Një njeri që i ka arritur të gjitha!!! -ashtu na dukej. Mbi të gjitha elementet që i posedonte, një të cilin ai e adhuronte dhe posaçërisht e praktikonte ishte, befasia. Kjo vërehet qysh në spotin më të famshëm të të gjitha kohërave “Thriller”, kur edhe pse mendojmë se çdo gjë u krye si duhet, në fund dëgjohet një qeshje sarkastike, befasuese, dëshmi se “asgjë s´kishte qenë ëndërr”.

Ai është një fëmijë, për të cilin çdo ditë është Halloween, dhe ai vazhdimisht është i përcjellë nga dëshira për të bërë çapkënllëqe ose frikësuar të tjerët.

Kështu kur kishte arritur majën e famës me Thrillerin, ai u plagos për shkak të përdorimit të tepërt të bombave të tymit, duke i shokuar adhuruesit e tij. Pas kësaj fillon procesi i gjatë dhe i dhembshëm i operacioneve plastike. Çfarë dëshironte të arrinte me këtë? Mbase as ai vetë se dinte saktësisht, mirëpo neve na kishte hipnotizuar me bindjen se ai “mund të shndërrohej në gjithçka”.

Ai mund të bëhej –i zi , i bardhë, burrë, grua, androgjen, kyborg, zot , alien! Ç´është më e çuditshmja edhe ai fillon të besojë, të njëjtat cilësi të cilat ia mveshnim ne. Pasi që s´ishte “ njeri” por diçka më tepër, ai s´ka dashnore, as dashnor. Ai është aseksual. Me njëfarë imitimi subkoshient të Krishtit (lëreni fëmijët të vijnë tek unë) ai preferon shoqërimin me fëmijë.

Në “Neverlandin“ e tij, vazhdimisht vijnë musafirë, fëmijë të ndryshëm. Pikërisht këtu do ta marrë teposhtën ylli i tij. Pasuan akuzat për pedofili. Kurrë nuk është marrë vesh me saktësi se çka kishte ndodhur por si duket abuzimi kishte konsistuar në faktin se ai e kishte pyetur çunakun se a masturbonte apo jo, dhe kishte vazhduar se masturbimi ishte një gjë e mirë.
Një gjë të tillë në Kosovë do ta toleronin duke qeshur, dhe është normale që kushëriri ose kojshia i mëhallës të bëj hajgare për diçka të tillë, por jo edhe në Amerikën që sado e shthurur, kur e rrokin ethet moraliste, mezi pret t´i vendos nën llupën puritane, sidomos të famshmit, pavarësisht a janë yje apo prezidentë.

Zot-Njeriu Majkëll u mbështet për muri dhe si formë të mbrojtjes zgjodhi martesën me Lisa Marie Prislley-n, për të dëshmuar se është “ burrë”. Martesa dështoi dhe pikëpyetje se a ishte konsumuar ndonjëherë. Si duket Majkëllit titulli i “bashkëshortit” i zgjoi njëkohësisht edhe ndjenjën për t´u bërë baba. Por megjithatë s´mund të hiqte dorë lehtë nga natyra hyjnore kështu, fëmijët lindën përmes mbarësimit artificial dhe me infermieren që ishte përkujdesur për të në njërën prej operacioneve plastike që i bënte.

Kjo flet mjaft për faktin se sa i tëhuajsuar ishte Majkëll nga bota . Ai s´ishte në gjendje të ketë raporte normale me një femër , e mbase as me njerëzit përreth.

Prototipin e artistit si Majkëll duhet kërkuar në influencën që romantizmi dhe gotizmi bëri tek lëvizja Beat dhe Rock-u në përgjithësi, me plot heronj të tillë, hapat e të cilëve kumbojnë nëpër kështjellën e Valpolit, në aventurat e Bajronit, të strukur në terrin e Edgar Alan Po-së, te vallëzimi shamanist i Jim Morrisonit. Ata janë gjenial, të mëdhenj, të vetmuar, misterioz, dhe mbi të gjitha janë “të nemun”.

Në kulmin e famës Majkëll u distancua nga skena. Kishte thashetheme se gjendej në krizë financiare por, ne mendonim se ai mund t´i shlyente me disa koncerte po të donte. Kur lëshoi bark thoshim e ka bërë për kapriço, kur thoshin se hunda ka nisë t´i shkatërrohej nga përdorimi i hidrogjenit për zbardhje, ne thoshim se është truk magjik i tij. Kur thoshin se shëndeti i tij është dobësuar, mendonim se këtë e bën nga hipohondria.

Ai s´lodhet kurrë, ai s´plaket kurrë. Ai në imagjinatën tonë kolektive ishte renditur qëmoti në mesin e figurave mitike i pajisur me aftësi magjike ”thjesht s´ka gjë që Majkëll nuk mund ta bëjë”.

Tërheqjen e tij nga skena ne e interpretonim si një nga çapkënllëqet e tij. Dhe ne pyesnim se çfarë befasie do të na bëjë tash. Vdekja ishte ajo që më sa paku e prisnim. Ai shfaqi natyrën e vërtetë të vet! I fërfëlluar në gjithësi si të gjithë ne, ku vetë duhet t´i bëjmë pyetjet dhe gjetë përgjigjet, i brishtë, me ankth për të nesërmen. Megjithatë ishte veç një njeri. Ishte kjo që na befasoi më së shumti.