LAJMI I FUNDIT:

Përçarja brenda koalicionit penalizon Qeverinë Hoti

Përçarja brenda koalicionit penalizon Qeverinë Hoti
Foto: Arkiv

Përçarja brenda koalicionit qeverisës ka penguar në arritjen e përmbushjes së zotimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. Po ashtu, arritja e një unitetit konsesual ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, shihet si e pamundur nga analistët, të cilët vlerësojnë se janari do të jetë vendimtarë për dhënien e një epilogu për këtë çështje.

Analisti Faton Abdullahu, thotë se Qeverinë Hoti e ka penalizuar përçarja brenda koalicionit në përmbushjen e zotimeve të tyre. Por, megjithatë  ai vlerëson se kjo qeveri ka bërë punë të madhe vetëm për faktin e vendosjes së Kosovës ne agjendën e administratës në Washington.


“Për kaq kohë sa është duke punuar kjo Qeveri është e vështirë për të dhënë përmbledhurazi një kualifikim të qëndrueshëm por ma thotë mendja që kanë mbetur shumë gjëra pa i bërë, por ajo çfarë mund të gjendet si justifikim ose thënë ndryshe arsyetim që vlen për masat është se shumë gjëra nuk kanë mundur të bëhen si e sa duhet pasi energjia institucionale është përqendruar në çështjen e pandemisë ajo çfarë i ka penguar më së shumti kësaj Qeverie që të jetë edhe efikase në çështjen e menaxhimit të pandemisë edhe në çështje tjera është se vet përbrenda saj ka qenë e përçarë për çështje nga më të ndryshme e cila nuk është karakteristik vetëm e kësaj Qeverie por edhe tek qeveritë e tjera ka ndodhë një dukuri jo fer, sepse brenda Qeverisë krijohet raporti pozitë/opozitë për çështjen  interesave nga më të ndryshme klanore, personale etj”, tha Abdullahu për Ekonomia Online.

“Edhe kjo ka ndodhë në raportin Vetëvendosje-LDK dhe kjo është hakmerrur në shumë çështje thjesht e ka topitur aspektin institucional në shumë çështje. Ajo që e ka bërë të mirë kjo Qeveri është në raport me atë se çfarë ka bërë Qeveria Kurti, kur e vendosi me raport me Qeverinë Kurti kjo i bie që ka bërë më mirë, se pse çështjen e Kosovës e ka rivendosur në administratën e Washingtonit zyrtar, gjë që nuk ka qenë karakteristikë e Qeverisë Kurti, ka bërë gabimin tepër të madh prandaj e ka penguar me largim nga qeverisja, e ka zhvendosur Kosovën nga agjenda e administratës se Washingtonit”, u shpreh ai.

Tutje, Abdullahu theksoi edhe njëherë se çështja e pandemisë do të mund të menaxhohej më mirë sikur Qeveria aktuale të ishte për nga numri më i madh.

Më tej, analistët shprehen të bindur se nuk ka zgjidhje tjetër përpos shkuarjes së vendit në zgjedhje, pasi siç thonë ata kjo gjendje nuk po e lejon Qeverinë të përkushtohen në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Megjithatë ata nuk e përjashtojnë mundësinë të ketë përsëri  krizë institucionale edhe pasë zgjedhjeve për shkak të çështjes së presidentit.

Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu tha se duhet të formohet një Qeveri e cila domosdoshmërish duhet t’i ketë 80 vende në mënyrë që ta zgjedhë presidentin.

“Po patjetër që do të ketë zgjedhje, do të shkohet në zgjedhje do të shpërndahet parlamenti domosdoshmërish për shkak të mos marrëveshjeve eventuale dhe mos gjetjes së një zgjidhje koncensuale sidomos të koalicionit qeverisës dhe partive që përbëjnë atë koalicion. Në qoftë se nuk merren vesh këta dy faktorë institucional, atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme sepse afatet kohore janë limituese për shkak se gjashtë muaj nuk mund të vazhdohet. Prandaj domosdoshmërish duhet që deri në janar ose nga fundi i janarit të ketë një marrëveshje për të shkuar drejt zgjedhjes së presidentit dhe eventualisht do të ishte e domosdoshme të merren vesh kjo klasë politike edhe për caktimin e një date konsensuale të zgjedhjeve të parakohshme”. u shpreh ai.

“Askush nuk dëshiron që të bashkëpunohet, të ketë një unitet konsensuale drejt zgjedhjes së presidentit. Prandaj meqë kemi një gjendje të tillë, e cila nuk po ndryshon me javë e me muaj të tëra në këtë gjendje të vështirë kur do të duhej më tepër të përkushtoheshin edhe partitë politike  në zgjidhjen e probleme që kanë të bëjnë me pandeminë dhe me gjendjen ekonomike katastrofale, ata merren me çështje e tyre të palëkundura rreth kandidatëve të tyre. Prandaj e vetmja zgjidhje mbeten zgjedhjet e parakohshme. Do të ketë bashkëpunim, mund të ketë koalicione parazgjedhore krejt tjetër  fare dhe mund të kemi një qeveri tjetër e cila domosdoshmërish duhet t’i ketë mbi 80 vende në mënyrë që ta zgjedhë presidentin dhe t’i zgjedhë problemet tjera që kanë të bëjnë me problemet e Kosovës”, shtoi Baraliu.

Ndërsa, Abdullah thotë se edhe përpiluesit e Kushtetuesës edhe juristët duhet të mendojnë se si ta evitojmë situatën që edhe pasë zgjedhjeve të sillemi prapë te problemet e njëjta.

“Kjo Qeveri duhet të bëjë çmos që të vijë me propozim se kënd duan ato ta kemi për president për pesë vjet, por ato këtë s’po e bëjnë për shkak të asaj që janë të përçarë. Ky koalicion duhet të jetë i bashkuara së paku në këtë segment për të ardhur me diçka për të kërkuar ndihmë nga opozita, përderisa nuk e bënë këtë është e vështirë të shihet si do të vazhdojmë tutje”.

“Duket se jemi të shtrënguar të shkojmë zgjedhje nëse vazhdon kjo Qeveri kështu e ngathët për shkak të faktit përçarës dhe faktit se është minore është më mirë të shkojmë në zgjedhje për të shikuar se çfarë mund të bëjmë tjetër, aq më shumë duke pasur parasysh se tani pasë një viti e më shumë që nga zgjedhjet e fundit, gjërat kanë ndryshuar dhe duhet t’i jepet e drejta qytetarit që të vijë prapë para kutive të votimit dhe të vendosë për atë se kush duhet t’i prij shtetit të tyre, gjithmonë duke pasur parasysh që të mos bien pre e mashtrimit të kaluar që është bërë vitin e kaluar në tetor me populizëm se do të të luftohet korrupsioni, nepotizmi etj të kësaj natyre që ishte mashtrim i madh për të cilin po hjek tash qytetari i Kosovës”.

“Qeveria e ardhshme, presidenti i ardhshëm të gjithë së bashku duhet të jenë më efikas në raport me dialogun me Serbinë, kjo është kruciale, ne duhet t’i bashkojmë të gjitha forcat për këtë çështje. Një koalicon i ardhshëm t’ja ofrojë këtë mundësi që në të njëjtën kohë të jetë pro-amerikane në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”, thotë Abdullahu

“Mund të ndodhë që të shkojmë në zgjedhje dhe prapë të vijmë në pozitën e njëjtë që të kemi problem me çështjen e presidentit, kjo duhet t’i shtyjë edhe përpiluesit e Kushtetuesës edhe juristët e tjerë që të mendojnë në vijat të gjata sesi të na nxjerrin nga kjo situatë, sepse herët a vonë prapë do të sillemi aty, sepse është një rreth vicioz të cilin duhet ta bishtnojmë, thjeshtë duke ndryshuar Kushtetutën. Ajo çfarë ka ndodhur me pakon e Ahtisarit që është inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës është se i është dhënë të drejtë shume komunitetit serbë, por kjo është bërë pengesë për t’i arritur disa gjëra siç është zgjedhja e presidencës”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Baraliu tregoi se si do të shkojë procedura e zgjedhes së presidentit, i cili theksoi se në qoftë se nuk bëhen shumica prej 80 deputetësh për ta zgjedhur presidentin  në raundin e parë dhe të dytë, atëherë shkohet me raundin e tretë prej 61 deputetësh.

Sipas profesor Baraliut nëse as në raundin e dytë dhe të tretë nuk  zgjidhet presidenti, atëherë shpërndahet parlamenti dhe mbahen zgjedhjet.

“Kushtetuta thotë që presidenti ose presidentja duhet të zgjidhen më së voni një muaj para se të mbarojë mandate. I bie që në fund të marsit ta kemi procedurën e kryer dhe marrëveshjet politike për të votuar se ka probleme sa i përket procedurave të kandidimit dhe votimit sidomos ato të votimit që kërkojnë procedurat kushtetuese. Dispozitat e saj kërkojnë që të ketë të pranishëm dhe të votojnë qoftë pro dhe kundër për kandidatin e parë 80 deputetë duhet të jenë në seancë”.

“Në qoftë se nuk bëhet shumica herën e parë dhe të dytë atëherë kushtetuta parasheh herën e tretë me 61 deputet. Dhe në raundin e tretë do të duhej të përfundonte çdo gjë. Në qoftë se nuk zgjidhet as në raundin e tretë atëherë shpërndahet parlamenti dhe mbahen zgjedhjet. Tashmë domosdoshmërish duhet shkuar në zgjedhje madje ata thonë që edhe në janar do të duhej përgatitur në mënyrë që të shkohet në zgjedhje. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet”, u shpreh ai.

Në trend Lajme

Më shumë
BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

Lajme
Macron ia konfirmon Kurtit mbështetjen për Kosovën në KiE - kërkon formimin e Asociacionit

Macron ia konfirmon Kurtit mbështetjen për Kosovën në KiE - kërkon formimin e Asociacionit

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Zgjidhen dekanët e rinj në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës

Zgjidhen dekanët e rinj në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës

Arsim
Osmani: Drafti i statutit të Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Osmani: Drafti i statutit të Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Lajme

"Nënat e Srebrenicës" falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Kalo në kategori