LAJMI I FUNDIT:

“Për ta shpëtuar veten thellojnë krizën”

“Për ta shpëtuar veten thellojnë krizën”

Shpërbërja e Kuvendit pa prezencën e opozitës ka thelluar krizën politike në vend. Analistët vlerësojnë se zgjedhjet mund ta nxjerrin vendin nga kriza, por nëse ato do të pranoheshin nga të gjitha palët dhe kur interesi i përgjithshëm do të ngadhënjejë mbi atë personal.

Gazetari Nazim Rashidi, njohës i çështjeve politike porositi se të gjitha subjektet që kanë pak sens dhe përgjegjësi për vendin, situatat duhet t’i marrin me një seriozitet të jashtëzakonshëm.


“Vendi ndodhet në krizë të thellë, por mund të hidhet dhe në “erë”. Prandaj, nuk bëhet më fjalë për individ partish por për fate njerëzish. Zgjedhje të dyshimta nuk mund të ketë. Nga kriza, në krize më të thellë nuk mund të shkohet më. Nëse zgjedhjet do të jenë më 5 qershor, atëherë ato duhet të jenë të pakontestueshme. Roli faktorit ndërkombëtar si “arbitër” do jetë vendimtar, por po e përsëris pa ngadhënjim mbi interesat personale dhe partiake do ketë veç riciklim dhe thellim të situatave që shohim”, theksoi për Rashidi.

Sipas ish ministrit Sulejmani Rushiti në këtë krizë ka dy palë, njëra është pala monteskjeiste, që kërkon sundimin e së drejtës dhe tjetra palë është makiaveliste që këmbëngul në mbajtjen peng të shtetit, institucioneve dhe qytetarëve për të ngopur nevojat bakanaliste.

“Palët janë përtej bindjeve ideologjike, ndarjeve etnike ose partiake. Ka vetëm oligarkë keqpërdorues të pushtetit që fshihen pas demokraturës dhe qytetarë të keqpërdorur, të mashtruar, të shantazhuar e të frikësuar. Vendimi i fundit, ishte i pritshëm në vazhdën e taktizimeve të autorëve që tashmë bëjnë gjithçka për ta mbajtur pushtetin për t’i ikur drejtësisë. Tani që situata precipitoi në drejtim të humnerës, vendimet mbeten në duart e qytetarëve. Qytetarët do të angazhohen për vënien e drejtësisë sepse pa drejtësi nuk ka demokraci e pa demokraci nuk ka zhvillim. Siç thotë populli çdo e keqe e ka një të mirë, edhe kjo situatë e rrënduar do të shpie drejt zgjidhjes reale”, tha për Portalb Rushiti.

Deri tani- shton ai- ishim dëshmitarë të taktizimeve meskine të prodhuesve të krizës, tashmë nuk kanë mundësi të blejnë kohë sepse nuk ka kohë në shitje!

Deri më tani pothuajse të gjitha partitë shqiptare kanë konfirmuar mospjesëmarrjen në zgjedhjet e caktuara për 5 qershor.

Profesori universitar është i mendimit se pa opozitën nuk mund të ketë zgjedhje.

“Mendoj që pa opozitën nuk do të mbahen zgjedhjet, por do të ketë trysni ndaj bashkësisë ndërkombëtare që me intervenimin e tyre të shtyhen për 15 ose 20 ditë, që në atë rast LSDM patjetër të pajtohet me të”, vlerëson Kekenovski.

Kujtojmë se mbrëmë kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka shpërbër parlamentin. Ai vendimin për shpërbërjen e Kuvendin do ta nënshkruaj më 15 prill. Ashtu siç thuhet në kumtesën e kabinetit të Veljanovskit, ky vendim është sjellë që zgjedhjet fer dhe demokratike të mbahen më 5 qershor./Telegrafi/