LAJMI I FUNDIT:

Për Radion…

Për Radion…

Shume njerëz e quajnë radion si magjike!?

Behare Bajraktari,
gazetare dhe drejtuese e emisionit ON AIR, RTK-RADIO 1


Ndoshta kanë të drejt ata që besojnë në magji? Por, radio është medium që duhet dhënë shumë për të komunikuar me audiencën e cila dita-ditës po përjeton liri dhe emancipim të rrëmbyeshëm.

Përmes radios nuk mundesh të shpërndash dezinformata, të krijosh monopole apo të transmetosh të pavërteta, siç ka ndodhë në të kaluarën jo fort të largët. Radio-gazetaria, është në funksion të lajmit, informatës dhe shpërndarjes të së vërtetës edhe kur televizioni apo rrjetet sociale mund ta deformojnë atë, apo ta shtrembërojnë.

Barra e radios, është të jetë dritare e hapur dhe e sigurt edhe në epokën digjitale. Mediumi radio mund të bëj mrekulli, nëse arrin ta përshtatësh me zhvillimet e kohës. Me përdorimin masiv të rrjeteve sociale, radio është në përparësi. Por, a mund të bëhet kjo me njerëz pa ide, pa kreativitet dhe të painteresuar?!

Sigurisht që jo. As sot. As nesër. As në të ardhmen.

Radio-mediumi shpërndan informatën, intervistën, zërin, muzikën, aktualitetin, shpejtësinë dhe krejt lehtë tashmë mund ta kap pamjen dhe lëvizjen moderne duke u gërshetuar në multimedia.

Informata në lëvizje ashtu siç është edhe mediumi radio në disa raste udhëhiqet nga njerëz pa ide, ose me ide të vjetruara, de-mode. Nga makutëria po i djegin mundësitë e arta, funksionalizmin në të gjitha dimensionet e transmetimit masiv.

Sot, kur po shënojmë ditën e radios në aspekt ndërkombëtar, lind pyetja natyrshëm: Si erdhi mediumi i magjishëm në pikën kur i jepet e drejta gjithsecilit për ta quajtur si pasion?!

Pasioni nuk të vjen si një dhuratë kur ti sapo e hapë paktën të del si magji. S’mund të bësh radio dhe as profesionalizëm me gazetarë/moderator që e censurojnë vetën, por as me udhëheqës që nuk shohin përtej interesave të ngushta personale, grupore dhe partiake.

Ta lësh medien të lirë është shumë e kushtueshme për disa, sepse liria iu kushton humbjen e pushtetit që e kane fituar në mënyrë të pa drejt dhe të pabarabartë.

Liria e medies, është liri e një populli të tërë për t’u çliruar nga një grup i caktuar i njerëzve që e mbajnë në rreth vicioz përparimin dhe zhvillimin.

Ti vendos kush je dhe në çka beson. Përndryshe në çdo sekondë të jetës të vjen dhe një shanse e dytë për meritokraci!

Përndryshe media, në këtë rast radio ka një vend të pazëvendësueshëm në shumë dimensione. Njëri prej tyre është pushtetin që ajo e ka.

Pra njerëzit e medies, duhet ta kuptojnë drejt pushtetin e katërt pa i ngatërruar me tre pushtete të tjera: Legjislativin, Ekzekutivin dhe Gjyqësorin.

Media, radio është pushteti i katërt, dhe në një shoqëri demokratike duhet mbrojtur liria e medies.

Ekzistenca e radios varet se si do ta informojë publikun dhe si do të ofrojë për të fjalë të lirë- liri të garantuar të shprehjes.

Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Radios, duke uruar globalisht dhe duke punuar lokalisht. Ne jemi të përkohshëm, ndërsa të mirat apo dëmet që i lëmë pas janë për shumë gjenerata. /Telegrafi/