LAJMI I FUNDIT:

Për pesë muaj nga Kosova dolën mbi 111 milionë euro para të gatshme

Për pesë muaj nga Kosova dolën mbi 111 milionë euro para të gatshme

Niveli i papunësisë së madhe si dhe mungesa e investimeve të huaja nuk janë shqetësimet e vetme për Republikën e Kosovës. Shqetësuese janë statistikat për daljen e parasë së gatshme nga Kosova, e të cilat investohen në vendet e tjera.

Këto statistika tejkalojnë shumën e investimeve të huaja të cila janë investuar gjatë këtij viti në vend.

Në periudhën janar- maj 2018, në Kosovë kanë ardhur 76 milionë euro investime të huaja, por nga Kosova kanë dal mbi 111 milionë euro para të gatshme. Mesatarisht për çdo muaj nga vendi ynë dalin mbi 22 milionë euro para të gatshme.

Ekspertët e ekonomisë këto shifra i cilësojnë shqetësuese, prandaj thonë se duhet të ndërmerren masa të shpejta, shkruan Telegrafi.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti ka treguar për Telegrafin se investimet e huaja në pesë muajt e parë të vitit 2018, kapin shifrën prej 76 milionë eurove. “Investimet e huaja direkte për periudhën janar-maj 2018 janë 76.0 milionë”, tha Ahmeti.

Në Kosovë gjatë kësaj periudhe më së shumti kanë investuar investitorët nga Gjermania, Zvicra dhe Austria.

Por shqetësuese përveç vëllimit të pakët të investimeve mbetet për Kosovën edhe eksportimi i parasë së gatshme. Sipas statistikave të BQK-së, kjo shifër është
shumë më e madhe sesa parat që janë investuar në vendin tonë.

“Vlera e mjeteve që kanë dalë nga Kosova në kategorinë e investimeve të huaja direkte në periudhën janar-maj 2018 janë 111.6 milionë euro”, tha zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, shkruan Telegrafi.

Por mungesën e investimeve si dhe largimin e parave jashtë vendit njohësit e ekonomisë e shohin si problem i cili vije nga korrupsioni, mos sundimi i ligjit si dhe pa siguria për të investuar.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka ka thënë për Telegrafin se shifrat e daljes së parave jashtë vendit janë shqetësuese.

Sipas tij, institucionet duhet të marrin masa të shpejta. “Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës, është mjaft shqetësues për sa i përket trendëve të investimeve të huaja direkte. Në njërën anë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja hyrëse është dukshëm më e ulët krahasuar me vitin paraprak, ndërsa në anën tjetër edhe fluksi dalës i investimeve të jashtme është shumë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, me ndikim të madh në bilancin e investimeve të huaja për këtë periudhë”, tha ai.

Zeka thekson se ka sektor që kanë përformuar me vlera pozitive. “Vlera negative të investimeve të jashtme janë shënuar edhe në sektorët e bujqësisë dhe të industrisë. Por në kategorinë e shërbimeve financiare vazhdojmë të kemi vlera pozitive të investimeve të huaja direkte, duke pasur parasysh ndikimin që ky sektor ka pasur në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka theksuar Arian Zeka.

Për një vend si Kosova, sipas Drejtorit Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, duhet angazhim më agresiv për promovim të mundësive për investime.

“Duhet që përmes shfrytëzimit të mekanizmave ligjorë të aprovuar viteve të fundit, siç është edhe Ligji për Investimet Strategjike, por edhe masat e reja fiskale që e bëjnë vendin tonë më atraktiv. E krahas përmirësimit të ofertës dhe rritjes së promovimit, është e nevojshme që vendi të demonstrojë edhe stabilitet politik, ashtu që rreziku i perceptuar politik, si faktor i rëndësishëm i investimeve, të jetë sa më i vogël”, tha Zeka.

Kurse, eksperti i ekonomisë, Naim Gashi tha për Telegrafin se vuajtja e Kosovës nga mungesa e investimeve të jashtme, është si pasojë e destabilitetit politik dhe institucional i cili po vazhdon tash e disa vite.

“Janë një varg arsyesh që kemi nivel kaq të ulët të investimeve. Situata e tensionuar në veri dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë, ku dominon një diskurs armiqësor, shkakton frikë te investitorët e jashtëm”, tha ai.

Gashi ka thënë se brishtësia e funksionimit të sistemit të drejtësisë është pengesë për investimet e jashtme. “Pas tyre vijnë korrupsioni, burokracia e administratës publike në nivel lokal dhe qendror, furnizimi jo i rregullt me energji elektrike etj”, ka deklaruar Naim Gashi ekspert i ekonomisë. /Telegrafi/