LAJMI I FUNDIT:

Për pak para dhe pushtet, harrohen kauzat nacionale në Luginë!

Për pak para dhe pushtet, harrohen kauzat nacionale në Luginë!
Ilustrim

Në kohën kur bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen me një dinamikë të re dhe priten zhvillime të reja politike në të dyja shtetet, politikanët shqiptarë të Luginës as nuk interesohen për së afërmi për statusin e shqiptarëve të kësaj ane!

Ata së fundmi kanë hapur, me ose pa dashje, diskutime dhe tema të reja në opinion, që në fakt janë rutina të zakonshme të politikëbërjes lokale në këto anë, duke neglizhuar faktin e diskriminimit shtetëror serb karshi popullatës së rëndomtë shqiptare të Luginës.


Në fakt, politikanët shqiptarë dhe njerëzit me pushtet nga kjo anë, nuk e vuajnë fare diskriminim që vjen nga Serbia, për këtë arsye edhe nuk e paraqesin gjendjen reale dhe problematikat me të cilat ballafaqohet kjo popullatë ndër vite.

Për pak para dhe pushtet, ata kanë zhdukur kauzat nacionale dhe kanë lënë fatin e popullit që përfaqësojnë, në duar të politikave shoviniste serbe.

Kur Kosova pati filluar bisedimet me Serbinë, fati i shqiptarëve të Luginës as nuk është diskutuar në tavolinë. Prej kësaj kohe, janë zhvilluar një sërë ngjarjesh e rrethana të reja politike, por statusi i shqiptarëve të Luginës, prej neglizhencës së faktorit politik shqiptar të kësaj ane, nuk ka evoluar aspak.

Tash, kur këtyre bisedimeve duket se po iu afrohet fundi, faktori politik shqiptar i Luginës është dashtë të bëjë çmos që statusi i shqiptarëve të Luginës të diskutohet edhe në këto rrethana.

Në një situatë të ardhshme politike, kur Serbia planifikon të bëjë ndryshime kushtetuese në lidhje me ligjet ku përmendet Kosova, e në një mënyrë ta bëjë edhe njohjen e saj, statusi i shqiptarëve të Luginës, kështu i ngrirë siç është, do t’i mundësonte Serbisë rrugëtimin drejtë BE-së dhe njëkohësisht vazhdimin e diskriminimit të shqiptarëve të Luginës deri në pafundësi.

Ky hap ndoshta paraqet edhe mundësinë e fundit të përmirësimit të statusit politik e social të shqiptarëve të Luginës, gjithmonë me një intensifikim konkret të faktorit politik shqiptar të Luginës, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë!