Për herë të parë në QKUK realizohen me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë


Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve mjekësore në vend.
Sipas njoftimit të QKUK-së, ndërhyrjet janë kryer më 6 dhe 7 korrik, në bashkëpunim me neurokirurgun nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili ka udhëhequr procedurat së bashku me ekipin e Klinikës së Neurokirurgjisë.
Gjatë kësaj vizite janë realizuar me sukses dy operime të avancuara, përkatësisht heqja e një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me të njëjtën teknikë.

Në të dy ndërhyrjet është përdorur edhe neuronavigatori, pajisje moderne që gjendet në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe që mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacioneve.
Sipas QKUK-së, përdorimi i kësaj teknologjie rrit sigurinë e procedurave kirurgjikale dhe mundëson kryerjen e ndërhyrjeve me precizion të lartë, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë.
Institucioni ka bërë të ditur se të dy pacientët e operuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit mjekësor.

Përveç aspektit klinik, vizita e neurokirurgut nga Gjermania është vlerësuar edhe për rëndësinë e saj profesionale dhe edukative. Gjatë procedurave, mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative kanë marrë pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.
QKUK vlerëson se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve që u ofrohen pacientëve në Kosovë. /Telegrafi/



































