LAJMI I FUNDIT:

Për dy muaj u arrestuan 14 policë në Shqipëri, shumica akuzohen për korrupsion e shpërdorim detyre

Për dy muaj u arrestuan 14 policë në Shqipëri, shumica akuzohen për korrupsion e shpërdorim detyre
Foto: Ilustrim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në dy muajt e parë të këtij viti ka arrestuar 14 punonjës të policisë.

Referuar raportit, një prej tyre u kap në flagrancë dhe 13 të tjerët për vepra të ndryshme penale, si korrupsion e shpërdorim detyre, të cilat hetime kishin nisur muaj më parë.

Nga 13 oficerët e arrestuar me vendim gjykate, për nëntë prej tyre ishte vendosur masa e sigurisë arrest në burg dhe për katër të tjerë arrest në shtëpi.

Ndërsa, gjashtë punonjës policie janë pezulluar nga detyra.

Gjatë muajit janar e shkurt, nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, janë referuar në prokurori 29 punonjës policie për t’u hetuar në prokuroritë përkatëse në të gjithë vendin.

Kryesisht ankesat për ta janë bërë nga qytetarët.

ABC News mëson se AMP dhe Prokuroria e Posaçme kanë nisur hetimet për Sektorin e Krimeve Ekonomike në Policisë e Tiranës, pasi kanë dyshime të forta se disa efektivë janë përfshirë në skema korruptive.

Hetimet që përfshijnë disa punonjës si dhe drejtues të sektorit vijnë pas arrestimit të oficeres Arta Nazifit, të cilën gjykata e la në arrest shtëpie me akuzën se ka marrë 5 mijë euro nga dy motra që kishin një klinikë estetike, ndaj të cilave kishte nisur një hetim nga strukturat e policisë. Dhënia e parave është bërë me qëllim që të mbyllej çështja, si dhe t’u ktheheshin produktet e sekuestruara.

Ndërkohë, në një mbledhje të zhvilluar të premten, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku vendosi të pezullojë deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit, të gjithë drejtuesit vendor të Krimit Ekonomiko-Financiar, në të gjitha qarqet e vendit. Kjo për shkak të mungesës së efikasitetit të këtyre strukturave dhe mospërmbushjen e pritshmërive, në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike, apo goditjen e korrupsionit. /AbcNews/Telegrafi/