Peja po bëhet me rezervuar të ri të ujit


Komuna e Pejës, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” dhe Ministria e Ekonomisë kanë konkretizuar një projekt të rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në qytet.
Sipas njoftimit, në kuadër të bashkëpunimit institucional është siguruar parcela ku do të ndërtohet një rezervuar i ri me kapacitet prej 5 mijë metrash kub, i cili pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me ujë për qytetarët e Pejës.
Për realizimin e këtij investimi, Ministria e Ekonomisë ka ndarë 500 mijë euro, duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës ujore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në komunë.
Lidhur me ndarjen e parcelës dhe zbatimin e marrëveshjes është zhvilluar një takim ndërmjet kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe kryeshefit ekzekutiv të KRU “Hidrodrini”, Dri Cena.
Gjatë këtij takimi është konkretizuar ndarja e parcelës, e cila konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt realizimit të këtij investimi strategjik.
Sipas njoftimit, projekti synon të sigurojë furnizim më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe të përmbushë nevojat e qytetarëve të Pejës edhe në vitet në vijim. /Telegrafi/





































