LAJMI I FUNDIT:

Peja në vitin 2019 do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Peja në vitin 2019 do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Në kuadër të investimeve kapitale, për vitin 2019, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në bashkëpunim me Universitetin ‘’Haxhi Zeka’’në Pejë do të themelojnë Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në këtë qytete.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, për të lansuar këtë projekt të rëndësishëm ka vizituar Universitetin Publik të Pejës ‘’Haxhi Zeka’’, në hapësirat e të cilit do të jetë Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.


Gjatë kësaj vizite, ai ka takuar Rektorin Fadil Millaku, Dekanin Halit Shabani dhe Sekretarin Astrit Adema. Së bashku kanë vizituar ambientet e dedikuara nga Universiteti për këtë Qendër. Ministri Beqaj ka folur për rëndësinë e Qendrës edhe para studentëve të shumtë të Universitetit të Pejës.

“Është kënaqësi e veçantë të shoh entuziazmin e madh të studentëve nga Peja me rrethinë, që ishin në numër kaq të madh, për të dëgjuar dhe për të bashkëbiseduar për idenë e kësaj Qendre”, tha ai.

Ministri Besim Beqaj shtoi se ky është një lajm i mirë për Pejën dhe themelimi i Qendrës ka për qëllim të lidhë shkencën me biznesin.

Ai u bëri thirrje të rinjve të kësaj ane që idetë dhe njohuritë e tyre t’i zhvillojnë përmes inovacionit dhe ndërmarrësisë, në mënyrë që e ardhmja e tyre dhe e vendit të jetë e sigurt dhe e suksesshme. /Telegrafi/