PDK: Shumica parlamentare po prodhon krizë të re politike

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për situatën aktuale politike, duke akuzuar shumicën parlamentare dhe kryeministrin Albin Kurti për papërgjegjshmëri që po rrezikon moszgjedhjen e Presidentit të ri dhe futjen e vendit në një krizë institucionale të panevojshme.
Në një komunikatë për media, PDK thekson se zgjedhja e Presidentit nuk duhet të jetë as garë për opozitën, as lojë politike për shumicën parlamentare, duke theksuar se numrat në Kuvend janë të qartë dhe detyrimi kushtetues është funksionimi normal i institucioneve.
“Përkundër mandatit që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik,” thuhet në deklaratë.
PDK kritikon kandidaturën e propozuar nga shumica parlamentare si një hap tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësi për konsensus.
Partia opozitare nënvizon se gjatë gjithë procesit ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi, duke marrë pjesë në konsultime dhe duke qenë e gatshme të mbështesë një kandidat konsensual që garanton unitet dhe stabilitet institucional.
“Si kontribut për stabilitetin, pas mosarritjes së një kandidature konsensuale, si subjekti më i madh politik opozitar kemi kërkuar që të zgjidhet një President i propozuar nga PDK-ja, si mekanizëm balancues për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme. Fatkeqësisht, të gjitha këto mundësi u refuzuan,” thekson PDK.
Partia opozitare përfundon duke theksuar se përgjegjësia për situatën bie plotësisht mbi shumicën parlamentare dhe mbi ata që e kanë mandatin për të qeverisur vendin, ndërsa shton se Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik, institucione funksionale dhe lidership që vendos interesin e shtetit mbi interesin partiak./Telegrafi.


















































